Rezolutë në dëm të liberalizimit

Aktuale June 01, 2018 - 08:02
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Kuvendi i Kosovës të mërkurën ka miratuar një rezolutë përmes së cilës kërkohet që të hiqen kontrollet në pikat kufitare me Shqipërinë. Megjithatë, sipas njohësve të integrimeve evropiane, kjo rezolutë është në kundërshtim me rekomandimin e Komisionit Evropian për kontrolle të dyfishta kufitare të dhënë në vitin 2015 në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave në korrik të vitit 2015 Komisioni Evropian (KE) pati rekomanduar që të bëhen kontrolle në të dyja anët në pikëkalimet kufitare me Shqipërinë.

Por në kohën kur Kosova po i afrohet çdo ditë e më shumë vendimit për heqjen e vizave Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë e cila është në kundërshtim më rekomandimin e ekspertëve të Bashkimit Evropian të dhënë në vitin 2015.

Në rezolutën e miratuar të mërkurën kërkohet që ta bëhet hapja e plotë, pra të hiqen kontrollet në pika kufitare në Vërmicë, Qafë-Prush dhe Qafë-Morinë.

Njohësit e integrimeve evropiane thonë për “Zërin” se kjo rezolutë është në kundërshtim me rekomandimin e vitit 2015, ndërsa thonë se BE-ja do ta kundërshtojë heqjen e kontrolleve kufitare.

Megjithatë sipas tyre, kjo rezolutë e sikurse edhe ajo për heqjen e romingut me Shqipërinë, që janë miratuar në të njëjtën ditë, do ta kenë fatin e rezolutave të mëhershme të Kuvendit, pra nuk do të zbatohen.

Qeveria e Kosovës nuk ka dashur të komentojë Rezolutën për Heqjen e Kontrolleve Kufitare. Kurse sa i përket Rezolutës për Heqjen e Romingut, ka thënë se ajo është në interes të të dyja shteteve. Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane Blerta Deliu-Kodra ka thënë për “Zërin” pas përfshirjes së disa rekomandimeve në Rezolutë nuk do të paraqiten probleme në procesin e liberalizimit të vizave.

“Me rekomandimet që janë futur në Rezolutë nga grupet parlamentare nuk do të ketë probleme, pasi kemi deklaruar se qëndrimi i Kuvendit është pro heqjes së kontrolleve kufitare, por është specifikuar që veprimet të jenë në përputhje me direktivat e BE-së që rregullojnë çështjet e kufirit”, ka deklaruar Deliu-Kodra.  

Edhe anëtari i Komisioni për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, Arben Gashi, ka thënë për “Zërin” se në Rezolutë është përfshirë edhe një pikë, në të cilën thuhet se veprimet do të merren duke respektuar direktivat e BE-së.

Sipas tij, nëse Rezoluta del të jetë në kundërshtim me direktivat e BE-së, atëherë ajo nuk do të zbatohet.

“Është futur një pikë në Rezolutë ku thuhet se këto veprime do të merren duke respektuar standardet më të mira evropiane dhe direktivat e Bashkimit Evropian. Nëse nuk është në përputhje me direktivat e BE-së nuk zbatohet”, është shprehur Gashi.  

Ndërsa duke folur për Rezolutën për Heqjen e Romingut, Gashi ka thënë se ajo është shprehje e vullnetit të mirë të Kuvendit të Kosovës, porse është vështirë të zbatohet.

“Tani varet edhe nga Qeveria e Kosovës, edhe nga ajo e Shqipërisë, si dhe nga operatorët. Pra është shumë më e komplikuar, megjithëse është një proces i reduktimit të romingut që ka filluar në kuadër të integrimeve rajonale. Por është më e komplikuar”, ka shtuar Gashi.  

Kryeziu: Rezoluta është në kundërshtim me rekomandimin e BE-së

Njohësi i integrimeve evropiane Taulant Kryeziu ka thënë për “Zërin” se në vitin 2015 Komisioni Evropian ka rekomanduar që të shtohet kontrolli kufitar.

“Kërkesa për kontrolle kufitare në të dy anët e kufirit Kosovë – Shqipëri ka qenë rekomandim i Komisionit Evropian në kuadër të procesit të liberalizimit vizave. Me konkretisht, gjatë misionit verifikues në korrik të vitit 2015 ekspertët e BE-së kanë kërkuar vendosjen e kontrolleve në të dy anët e kufirit në të gjitha pikëkalimet Kosovë – Shqipëri”, ka sqaruar  Kryeziu.

Më tej ai ka thënë se ky nuk ka qenë kriter zyrtar i udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Por ka potencuar se kjo rezolutë është në kundërshtim me rekomandimin e ekspertëve të BE-së të dhënë në vitin 2015.

“Ky rekomandim nuk ka qenë kriter zyrtar i udhërrëfyesit por rekomandim në kuadër të bllokut 2 “Menaxhimi i migrimit dhe kufijve”. Pra kjo rezolutë është në kundërshtim me rekomandimin e ekspertëve të korrikut 2015, mirëpo duhet të thuhet që rezoluta nuk ka fuqi juridikisht të detyrueshme”, ka përfunduar Kryeziu.

BE-ja mund të dalë kundër heqjes së kontrolleve kufitare

Arton Demhasaj, nga organizata “Çohu”, ka thënë se rezolutat janë vetëm shprehje e vullnetit të Kuvendit dhe se nuk obligojnë Qeverinë. Ai ka thënë se në vazhdimësi është parë se si nuk janë respektuar këto rezoluta të Kuvendit. Prandaj sipas Demhasajt, edhe dy rezolutat e miratuara të mërkurën pritet ta kenë fatin e njëjtë, pra të mos zbatohen.

Demhasaj ka thënë se Rezoluta për Heqjen e Kontrolleve Kufitare edhe nëse nuk paraqet problem në procesin e liberalizimit të vizave do të mundë të kundërshtohet nga BE-ja pasi, sipas tij, ky veprim mund të shihet si “bashkim i trojeve shqiptare”.

“Kjo Rezoluta për Lëvizjen e Lirë edhe nëse nuk paraqet problem për liberalizimin e vizave, paraqet problem për BE-në, pasi mund të kuptohet se me heqjen e kufijve po ndodh bashkimi i trojeve shqiptareve. Me këtë kartë Serbia luan shumë në raport me BE-në dhe prandaj BE-ja mund të dalë kundër heqjes së kontrolleve kufitare”, ka shtuar Demhasaj.  

Kurse sa i përket heqjes së romingut, ai ka thënë se varet nga vullneti i partive dhe më pas edhe nga operatorët e telefonisë.

Ndërsa drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, duke folur për rezolutën për romingun ka thënë se do të ishte në dobi të qytetarëve po që se trajtohet nga dy qeveritë.

“Nëse do të mundë të jetësohej Rezoluta dhe të përfshihej në platformën e diskutimeve ndërmjet dy qeverive, do të ishte një veprim i cili do t'u sillte përfitime shtetasve të Kosovës në rend të parë, duke e ditur se shumë prej tyre udhëtojnë më shpesh në Shqipëri, por edhe shtetasve të Shqipërisë natyrisht”, ka vlerësuar Zeka.

Ai më tej ka thënë se është skeptik se kjo rezolutë mund të jetësohet. “Jam megjithatë skeptik që Rezoluta mund të implementohet në të ardhmen e afërt, duke e parë dinamiken e zbatimit të marrëveshjeve ndërmjet dy vendeve në të kaluarën”, ka shtuar Zeka.