Haxhiu: Nuk votojmë asnjë marrëveshje nëse nuk votoni për shkarkimin e Dërgutit

Aktuale May 31, 2018 - 11:15
Lexoni më shumë detaje

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu gjatë seancës së sotme, ka kushtëzuar deputetët e Kuvendit të Kosovës, që të krijoj kuorum për të votuar për shkarkimin e nënkryetares së Kuvendit, Aida Dërguti, pasi që ajo këtë post e kishte marrë gjatë kohës sa ishte në Vetëvendosje raporton “Zeri.info”.

Deputetja Haxhiu me këtë rast tha se nëse nuk votohet pro apo kundër këtij shkarkimi, partia e saj nuk do të votoj asnjë marrëveshje që propozojnë grupet e tjera parlamentare.

“Kërkesa e grupit parlamentar është që ne nuk votojmë për këtë projektligj në qoftë se Kuvendi nuk e mundëson kuorumin për shkarkimin e nënkryetares së Kuvendit, Aida Dërguti. Prej momentit kur disa prej ish-anëtarëve të Vetëvendosjes kanë krijuar një grup të ri, atë të grupit të deputetëve të pavarur pozicioni i nënkryetarit të Kuvendit i takon Vetëvendosjes. Aida Dërguti po e mban këtë post në mënyrë jo kushtetuese”, ka theksuar Haxhiu.

Ajo bërë ti ditur që Vetëvendosje nuk do të votoj asnjë marrëveshje nëse nuk votohet kërkesa për shkarkimin e Dërgutit.

“Ne nuk do të përkrahim asnjë marrëveshje nëse paraprakisht nuk votohet kërkesa jonë për shkarkimin e nënkryetares Aida Dërgutit”, tha ajo.

Me këtë rast kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli nuk lejoi që debati për këtë pikë të kaloj më tej, duke e hedhur në votim pikën e radhës që ishte në rend të ditës.

“Këtë që e kërkoi kolegia ne e kemi në rend dite. Ne nuk mund të kërkojmë kushtëzim, me këtë vetëm mund të bëjmë shaka që të hapim diskutim. Mos ta komplikojmë situatën. Lufta politike zhvillohet në Kuvend”, tha Veseli.

Veseli me këtë rast e hodhi pikën në votim duke mos lënë debatin më të vazhdoj./ZERI