Projektligji për punëtorët e arsimit të viteve të 90-ta në kundërshtim me Kushtetutën!

Aktuale May 31, 2018 - 10:54
Ja kush e thotë këtë

Projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të viteve të 90-ta ka gjasa të mëdha të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Kështu ka vlerësuar Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), shkruan “Zëri.info”

Ky është shkrimi i plotë i Krasniqit:

Nëse Projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të viteve të 90-ta miratohet nga Kuvendi i Kosovës, gjasat janë të mëdha të jetë në kundërshtim me Kushtetutën.

Në vitin 2011 ne kemi kontestuar në Gjykatën Kushtetuese (me ndihmën e Avokatit të Popullit) ligjin që u jepte pensione suplementare deputetëve.

Gjykata Kushtetuese kishte vlerësuar se është në kundërshtim me Kushtetutën, pasi që pensionet e propozuara duhet të paguhen nga buxheti i shtetit pa kontributin e përfituesve të pensioneve, ky lloj i legjislacionit krijon diskriminim ndaj pjesëtareve të tjerë të shoqërisë dhe të gjithë pensionistëve të tjerë në Kosovë dhe i shkel parimet e barazisë dhe të drejtësisë sociale të mbrojtura me Kushtetutë.

I njëjti parim mund të vlejë edhe për pensionet e punëtorëve të arsimit të viteve të 90-ta, të cilët pritet të përfitojnë më shumë në raport me pensionistët e tjerë të cilët kanë paguar tatimet dhe kontributin pensional.