Miliona euro për pagat dhe luksin e deputetëve

Aktuale May 29, 2018 - 07:49
Lexoni më shumë detaje

Për vetëm katër muaj deputetët e Kosovës kanë marrë mbi 1.3 milion euro paga dhe mëditje, kanë shpenzuar 30 mijë euro për dreka zyrtare, rreth 22 mijë euro kanë bërë shpenzime telefonike, përderisa për udhëtime dhe për mëditje gjatë vizitave jashtë vendit kanë marrë rreth 30 mijë euro, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Mbi 1.3 milion euro ka shpenzuar Kuvendi i Kosovës për pagat dhe për mëditjet e deputetëve vetëm gjatë katër muajve të fundit të vitit të kaluar, përkatësisht në shtator, në tetor, në nëntor dhe në dhjetor të 2017-s.

Sipas raporteve financiare të legjislativit të vendit, gjatë kësaj periudhe kohore janë shpenzuar edhe më shumë se 14 mijë euro për udhëtime zyrtare.

Gazeta Zëri ka analizuar edhe shpenzimet tjera të Kuvendit, në të cilat shihet se për dreka zyrtare të zgjedhurit e popullit kanë shpenzuar rreth 30 mijë euro.

Ndërkohë, Kuvendi nuk ka publikuar ende shpenzimet e deputetëve për vitin 2018, ndonëse tashmë po bëhen 5 muaj qyshkur ka nisur viti.

Përkundrazi, nga Kuvendi i Kosovës kanë thënë për gazetën Zëri se raporti financiar për tremujorin e parë të vitit 2018 do të publikohet pasi të shqyrtohet në Komisionin për Buxhet dhe Financa.

Në anën tjetër, duke folur rreth shpenzimeve të deputetëve për paga dhe për mëditje monitoruesit e punës së Kuvendit kanë konsideruar se pagat e tyre janë tejet të larta duke e krahasuar me standardin e jetesës së qytetarëve në Kosovë.

30 mijë euro për dreka zyrtare

Sipas shifrave të publikuara del se deputetët e Kuvendit kanë shpenzuar 14 mijë e 834 euro vetëm për vizitat zyrtare jashtë vendit.

Me këtë rast mësohet se mëditjet e tyre nga këto vizita jashtë vendit kapin vlerën prej 13 mijë e 777 eurosh.

Përderisa harxhimet për akomodim gjatë udhëtimeve zyrtare shkojnë deri në 9 mijë euro, shpenzimet e tjera gjatë këtyre udhëtimeve, të cilat nuk specifikohen në raport, kapin shifrën prej 1600 eurosh.

Sipas të dhënave në fjalë bëhet e ditur se vlera e mëditjes për vetëm një vizitë jashtë vendit sillet nga 129 deri në 568 euro për individ.

Ndërkohë, gjersa shpenzimet e tjera telefonike në operatorin “Vala” përgjatë këtyre katër muajve kapin shifrën 21 mijë 800 euro, harxhimet e udhëtimeve brenda vendit për 120 deputetët mbërrijnë 2300 euro.

Pos këtyre, deputetët e Parlamentit të Kosovës shpenzuan fiks 29 mijë e 407 euro për dreka zyrtare përgjatë kësaj periudhe kohore.

Por ndonëse po bëhen pesë muaj prejse ka nisur viti 2018, Kuvendi i Kosovës ende nuk ka publikuar asnjë raport financiar për këtë periudhë.

Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, ka thënë për “Zërin” se shpenzimet për tremujorin e parë të këtij viti do të publikohen në uebfaqe pas shqyrtimit të raportit nga Komisioni për Buxhet dhe Financa dhe Kryesia e Kuvendit.

Haliti: Do të duhej të analizohej çdo udhëtim i deputetëve

Teksa ka folur për pagat dhe për mëditjet e deputetëve, Xhavit Haliti, deputet i PDK-së, ka thënë se qysh në legjislaturën e dytë ai kishte propozuar uljen e tyre, porse një gjë e tillë nuk ishte përfillur.

“Varianti i njëjtë po vazhdon edhe sot, domethënë Parlamenti nuk e ka zbatuar”, ka deklaruar ai.

Sipas Halitit, Kryesia dhe Parlamenti i Kosovës do të duhej që t’i reduktonin udhëtimet e deputetëve, në mënyrë që të reduktoheshin pastaj edhe shpenzimet.

“Është një situatë e çuditshme, por besoj se Kryesia e Kuvendit, dhe Kuvendi në përgjithësi, do të duhej ta analizonte çdo udhëtim për deputetët, por edhe të administratës për dobitë që i sjell Kosovës dhe ta zbatojë rregulloren e miratuar më herët që deputetët të dalin jashtë vendit vetëm me detyrë të ngarkuar nga Parlamenti dhe me ftesa zyrtare nga parlamentet përkatëse”, ka shtuar ai.

Sipas tij, nuk do të duhej që të gjithë anëtarët e komisioneve parlamentare të merrnin pjesë në vizitat jashtë vendit, porse një gjë e tillë të bëhej nëpërmjet rotacionit të anëtarëve.

“Në vend që të shkojë gjithë Komisioni, do të duhej të veprohej në bazë të një përfaqësimi ndoshta me rotacion të grupeve parlamentare për të mos shkuar krejt Komisioni për çështje studimore në vendet tjera. Do të duhej vërtet të reduktoheshin ato lëvizjet jashtë vendit. Kjo do ta kursente buxhetin e Kosovës”, ka shtuar ai.

Nagavci: Paga e deputetit të mos e kalojë trefishin e pagës mesatare

Ndërkaq Arbërie Nagavci, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, ka konsideruar se pagat e deputetëve duhet detyrimisht të zvogëlohen.

“E kemi potencuar disa herë se jemi për pagën maksimale të deputetëve që nuk mund të jetë më shumë se trefishi i pagës mesatare. Domethënë, në momentin që LVV-ja do të jetë në qeverisje do ta shtyjmë këtë siç kemi kërkuar që pagat e deputetëve të rishqyrtohen”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Ndërkohë duke folur për mëditjet, Nagavci ka thënë se LVV-ja është duke insistuar në vazhdimësi që të kursehet buxheti në këtë drejtim.

“Në raport me mëditjet, të paktën në komisionet që ne qeverisim kemi insistuar që të kursehet buxheti i vendit. Për shembull, në Komisionin për Arsim gjatë gjithë kësaj kohe kemi pasur vetëm një vizitë studimore jashtë vendit, ishte e mbështetur prej GIZ-it. Pra, jemi plotësisht të interesuar që të kursehet buxheti i vendit”, ka shtuar ajo.  

Kurse arsyeja se pse nuk arrihet të bëhet reduktimi i këtyre shpenzimeve ka të bëjë me faktin që përfaqësuesit e pushtetit janë të interesuar vetëm se si të arrijnë përfitime personale.

Cakolli: Pagat e deputetëve, tejet të larta

Në anën tjetër Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka vlerësuar se pagat e deputetëve janë tejet të larta duke e krahasuar me standardin e jetesës së qytetarëve.

“Është e ditur që shumica prej tyre janë të shpenzuara në kategorinë e pagave dhe të mëditjeve, të cilat i marrin deputetët dhe administrata e Kuvendit. Sa i përket pagave të deputetëve dhe të mëditjeve që ata marrin qoftë për pjesëmarrjen në seanca, ose në mbledhjet e komisioneve, ose edhe për udhëtime jashtë vendit është pothuajse e ditur tashmë që këto janë tepër të larta duke krahasuar me standardin e jetesës së qytetarëve, duke qenë se rroga mesatare e një deputeti sillet diku rreth 1500 euro dhe me mëditje pothuajse shkon në 2000”, është shprehur ai.

Sipas tij, çështja e mëditjeve do të duhej të rregullohej, në mënyrë që deputetët të sanksionoheshin për bojkotimin e seancave.

“Nëse kemi parasysh se shumica e seancave dhe e mbledhjeve të komisioneve janë duke dështuar në mungesë të kuorumit, pra të mospjesëmarrjes së deputetëve, atëherë vlerësoj që kjo çështja e mëditjeve do të duhej të rregullohej me rregulloren, që tashmë është në shqyrtim të dytë dhe do të duhej të përfshiheshin dispozitat të cilat sanksionojnë deputetët për mospjesëmarrje, pasi ata nuk do të duhej të paguheshin për mëditjen e pjesëmarrjeve në seanca”, ka theksuar Cakolli.

Kjo pasi, siç ai ka konsideruar, një gjë e tillë është detyrë e përcaktuar me Kushtetutë për deputetët dhe nuk do të duhej të shihej assesi si diçka “ekstra” që ata e bëjnë në kuadër të funksionit të deputetit.

Image