Hoxhaj i kundërpërgjigjet Serbisë për rastin e Ivanoviqit

Aktuale May 27, 2018 - 22:44
Lexoni më shumë detaje

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se katër muaj pas vrasjes së politikanit të Kosovës Oliver Ivanoviq, Serbia vazhdon të refuzojë bashkëpunimin me Kosovën.

LEXO EDHE: Serbia kërkon nga EULEX-i të hetojë vrasjen e Ivanoviqit

Kjo sipas zëvendëskryeministrit Hoxhaj po ndodh sepse Serbia dëshiron ta fshehë të vërtetën dhe ta pengojë drejtësinë.

“Vrasja e Ivanoviqit ka rrënjët në politikën destruktive të Serbisë dhe përgjigjet për të fshihen në Beograd”, ka shkruar Hoxhaj më një postim në Twitter.

Reagimi i Hoxhajt vjen pas deklaratave të ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, se vendi i tij është i interesuar të zbardhë vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq, i vrarë në veri të Mitrovicës, por sipas tij nuk ka interesim për një gjë të tillë edhe nga pala kosovare.

Ai tha se nuk ka shkëmbim të informacioneve për rastin e vrasjes së Ivanoviq dhe i bëri thirrje EULEX-it që seriozisht të përfshihet në zgjidhjen e këtij rast.

“Kur nuk ka hetime, rezultate, xhirime, shkëmbim të informacioneve, nuk ka asgjë dhe duket se nuk ekziston vullneti nga ana tjetër”, u shpreh Stefanoviq.