BE: Presim dëshmi të fuqishme në luftimin e korrupsionit

Aktuale May 25, 2018 - 07:54
Detajet

Zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë deklaruar për gazetën “Zëri” se nga institucionet kosovare po presin dëshmi të fuqishme në luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Muajin e ardhshëm Komisioni Evropian pritet të dalë me raport për çështjen e liberalizimit të vizave me Kosovën, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Bashkimi Evropian po pret nga institucionet vendore dëshmi të fuqishme në luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, në mënyrë që të përmbushet edhe kriteri i fundit i mbetur për liberalizim të vizave me Kosovën.

Zyrtarë të lartë të BE-së kanë deklaruar për gazetën “Zëri” se sapo Komisioni Evropian ta vlerësojë se kriteri i fundit për liberalizim të vizave është përmbushur nga pala kosovare, atëherë propozimi i KE-së duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe në fund nga Këshilli i Ministrave.

“Shpresojmë që ky proces të përfundojë së shpejti”, kanë deklaruar për “Zërin” zyrtarët e BE-së, duke shtuar se derisa vlerësimi i KE-së është duke vazhduar, atëherë çdo progres që do ta raportojë Kosova do t’i ndihmojë institucioneve të BE-së për të dalë me vendim pozitiv për liberalizimin e vizave.

“Aktualisht procesi i vlerësimit është duke vazhduar. Ne jemi në kontakte të përditshme me autoritetet kosovare.

 Ka përparim të vazhdueshëm në kornizën legjislative dhe në e mirëpresim këtë, përkatësisht në miratimin e Ligjit mbi Konfliktin e Interesit, Ligjin për Prokurorinë e Shtetit, përderisa është në proces legjislacioni i rëndësishëm kundër korrupsionit, ku përfshihet pezullimi dhe largimi nga detyra i të dënuarve për ‘Korrupsion’, etj”, kanë deklaruar zyrtarët e BE-së.

Në fillim të këtij muaji një delegacion i Komisionit Evropian kishte vizituar Kosovën për ta vlerësuar progresin e Kosovës në kriterin e mbetur për liberalizimin e vizave me BE-në, përkatësisht luftën kundër korrupsionit dhe të krimit të organizuar.

Ndërsa zyrtarë të Komisionit Evropian nuk kanë precizuar se kur do ta bëjnë publik raportin për çështjen e liberalizimit të vizave me Kosovën. Edhe ata kanë thënë se do të vazhdojnë ta monitorojnë punën e autoriteteve kosovare në luftën kundër krimit të organizuar dhe të korrupsionit. “Komisioni do të vazhdojë të monitorojë progresin e bërë dhe beson se Kosova do të vazhdojë punën e madhe për të arritur udhëtimin pa viza për popullin e Kosovës. Vlerësimi i standardeve të pazgjidhura është në vazhdim”, thuhet mes tjerash në përgjigjen e zyrtarëve të KE-së.
 

Ministria e Integrimeve: Në qershor publikohet raporti

Në anën tjetër, drejtues të Ministrisë së Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës kanë deklaruar për “Zërin” se presin që raporti i Komisionit Evropian për vizat të publikohet gjatë muajit të ardhshëm (qershor).

“Nuk mund të flasim për datën se kur do të publikohet raporti, sepse këto janë procedura të brendshme të Komisionit Evropian dhe çdo gjë në këtë drejtim varet nga ata, mirëpo presim që kjo të bëhet gjatë qershorit”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Duke shpjeguar procesin e liberalizimit pas publikimit të raportit zyrtar nga Ministria e Integrimeve kanë thënë se ky raport fillimisht shkon në Parlamentin Evropian dhe më pas në Këshillin e Ministrave të BE-së.
“Pas publikimit të raportit të misionit vlerësues për kriterin e mbetur të luftimit të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, Komisioni Evropian ia dërgon këtë raport Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Ministrave të BE-së (formati i ministrave të Punëve të Brendshme). Parlamenti Evropian pastaj duhet votuar me shumicë të thjeshtë lidhur me atë se a duhet të lëvizin qytetarët e Kosovës pa viza ose jo dhe pastaj vjen për votim Këshilli i Ministrave të BE-së, të cilët duhet votuar me shumicë të kualifikuar”, kanë thënë ata.
Sipas tyre, Ministria e Integrimeve Evropiane ka kryer të gjithë hapat e nevojshëm sa i përket përmbushjes së kritereve për liberalizim të vizave.

Presim vlerësim pozitiv

Zenun Pajaziti, anëtar i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, ka thënë se presin që raporti i BE-së të jetë pozitiv dhe të përkrahet edhe nga shtetet anëtare të BE-së.
“Ne presim që raporti të jetë pozitiv dhe ky raport t’i hapë dyert brenda institucioneve të BE-së, që më pas ato të procedojnë më tutje edhe nivelet politike dhe teknike që të bëjnë edhe finalizimin e këtij procesi për ne”, ka thënë Pajaziti.
I pyetur për deklaratat e ndërkombëtarëve që nuk duhet të ngutemi për të përmendur afate kohore se kur do të ndodhë liberalizimi i vizave për Kosovën, Pajaziti ka thënë se edhe ndërkombëtarët janë shprehur pozitivë për këtë raport.

Ndërsa analisti politik Imer Mushkolaj, duke folur për procesin e liberalizimit të vizave me BE-në, ka thënë që Kosova deri më tani ka plotësuar kushtet që i janë dhënë nga BE-ja dhe nëse nuk vendoset ndonjë kusht tjetër, atëherë liberalizimi duhet të ndodhë këtë vit. “Duhet të marrim një rekomandim pozitiv, kriteret janë plotësuar. Natyrisht që luftimi i korrupsionit dhe i krimit të organizuar është një proces dhe jo një akt, edhe pse në këtë drejtim është bërë përparim duke pasur parasysh këto javët e fundit ku kemi parë vendime të përshpejtuara në disa raste të gjykatave. Me këtë logjikë nuk ka asnjë arsyeje që të shtyhet ky proces edhe të jepet një rekomandim pozitiv që në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm qytetarët e Kosovës të lëvizin pa viza”, ka thënë Mushkolaj./ZËRI