Nuk respektuan vendimin e inspektorëve, pronarët e fabrikave në polici

Aktuale May 22, 2018 - 16:28
Lexo detajet

Drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit në komunën e Mitrovicës, Hysni Ahmeti, ka thënë se fabrikat për përpunimin e vajrave motorikë nuk kanë respektuar vendim e inspektorëve komunalë dhe ata kanë vazhduar të punojnë dhe për këtë arsye me ta do të merret policia, shkruan "Zëri.info".

Pronarët: Nuk jemi duke prodhuar, jemi në fazën testuese.

Inspektorët komunalë të Mitrovicës kanë mbyllur para një jave dy fabrikat për përpunimin e vajrave motorikë që ndodhen në jug të Mitrovicës në afërsi të “Lagjës së Boshnjakëve”, pas kërkesave të vazhdueshme, protestave e pastaj edhe të një peticioni të banorëve të “Lagjes së Boshnjakëve dhe të disa lagjeve të tjera në afërsi, por pronarët e këtyre fabrikave nuk kanë respektuar vendimin e inspektorëve komunalë të Mitrovicës dhe kanë vazhduar të punojnë.

Drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit në komunën e Mitrovicës, Hysni Ahmeti, tha të hënën, se fabrikat e mbyllura nuk po e respektojnë vendimin e organeve komunale, andaj inspektorët kanë intervenuar sërish dhe drejtuesit e njërës fabrikë janë ftuar në polici për shkeljet ligjore që kanë bërë, por të cilat, siç tha ai “me urdhër të Prokurorisë janë lënë të lirë, përkatësisht lënda ka shkuar në procedurë të rregullt hetimore”.

“Ndërsa, për fabrikën tjetër, iu njoftoj se ka bërë shkelje të rënda ligjore dhe se aty duhet të intervenojë policia e krimeve ekonomike, pasi që pronarët e fabrikës kanë mashtruar se janë në punë testuese, ndërsa kanë bërë prodhim të rregullt të produkteve”, ka sqaruar drejtori Ahmeti.

Inspektorët e Komunës së Mitrovicës, në mbështetje edhe të pjesëtarëve të policisë, kanë ndërprerë punën në dy fabrika të këtij qyteti, para një jave, veprimtaria e të cilave është përpunimi i vajrave motorikë. Inspektorët kishin konstatuar se përveç mungesës së dokumentacionit, këta operatorë gjatë veprimtarisë së tyre prodhojnë helme toksike dhe rrezikojnë shëndetin e qytetarëve. Kryeinspektori i Mitrovicës, Hysni Ahmeti, pati thënë se fabrikat mbyllen përkohësisht derisa të pajisen me dokumentacionin përkatës.

“Kemi marr urdhër nga kryetari, por edhe si Drejtori e Inspekcionit, jemi duke bërë inspektimin e dy fabrikave të riciklimit të gomave “BTP “Holdin” dhe “Bas Partners”. Nuk kanë pëlqim nga Drejtoria e Ambientit dhe pas peticionit të qytetarëve për ndotjen e ambientit, kemi marr vendim që t’i mbyllim përkohësisht derisa të pajisen me dokumentacion përkatës nga Ministria e Ambientit dhe Drejtorisë së Ambientit. Kemi bërë më të mirën për qytetarët e Mitrovicës për arsye se ndotja e ajrit ka qenë në nivel jashtëzakonisht të madh. Por fabrikat nuk e kanë respektuar vendimin e inspektorëve komunalë dhe ne jemi të detyruar që ta angazhojmë policinë, madje edhe atë për krime të rënda”, ka thënë Ahmeti.

Në anën tjetër, Baki Baliu, njëri nga pronarët e “BTP Holdin” ka sqaruar se puna në këtë fabrikë aktualisht është vetëm në fazën testuese dhe jo prodhuese. Ai theksoi se kompania ‘Sirius Eko-tek’ nga Austria, e cila është e licencuar në tërë botën për matjen e ndotjes, ka bërë verifikimin këtu dhe ka konstatuar se nuk ka mbetje dhe as ndotje të ambientit.

“Ne nuk jemi në prodhim, por në testim. Pa u kry testimi komplet ne nuk marrim leje të prodhimit deri t’i plotësojmë të gjitha kushtet. Të gjitha kushtet janë të plotësuara, tash pritet vetëm të vijnë nga Ministria e Mjedisit me na dhënë pëlqimin për prodhim. Kompania ‘Sirius Eko-tek nga Austria e cila është e licencuar në tërë botën për matjen e ndotjes, kanë qenë këtu dhe kanë bërë verifikimin. Nuk ka asnjë mbetje, e kemi edhe me shkrim. Në bazë këtyre analizave shtetërore austriake që nuk ka mbetje dhe ndotje. Nëse kanë ndonjë provë këta, ose ndonjë dëshmi që ka ndotje, lë ta sjellin dhe po e zgjidhim problemin”, theksoi Baliu.

E ndërkaq, pronarët e fabrikës “Bas Partners” kanë thenë se kanë marrë licencën nga Ministria e Ambientit. Ata kanë thenë gjithshtu se Ministria e Ambijentit ka kërkuar analiza, të cilat i kanë bërë instituti nga Novi Sadi.

“Analizat për vërtetimin e cilësisë së ndotjes së ajrit që i ka bërë instituti i Novi Sadit i kanë dërguar dy javë, kur kanë ardhë është konstatuar se janë brenda normative. Analizat janë krye në monitorimin e inspektorëve të Ministrisë së Ambientit”, thotë njëri prej pronarëve të “Bas Parnters”, Masar Bashota. 

Ai ka shtuar se banorët nuk rrezikohen nga puna e fabrikës së tij. Pronarët e të dy fabrikave për përpunimin e vajrave motorikë thonë se janë në fazën testuese, e jo në fazën prodhuese, ndërsa insistojnë se kanë pëlqimin e komunës së Mitrovicës për të operuar.

Pronarët e këtyre dy fabrikave edhe më tutje insistojnë se fabrika nuk janë duke punuar, por janë në fazën të testuese, të cilët duhet kryer. /Zëri/