Krasniqi: Të krijohet konsensus rreth dialogut, s’ka kohë për të humbur

Aktuale May 21, 2018 - 14:14
Lexoni më shumë detaje

Qeveria e Kosovës është në pritje të miratimit të platformës për dialogun nga ana e Kuvendit, raporton "Zeri.info".

Kjo platformë ditë më parë u shqyrtua në Komisionin për Punë të Jashtme dhe tashme pritet që kryesia e Kuvendit të caktojë seancë për diskutimin e kësaj çështjeje.

Ky dokument që ka nëntë pika parasheh transparencë për procesin e dialogut dhe që presidenti Thaçi të jetë udhëheqës i raundit të fundit të bisedimeve.

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka vlerësuar se Kuvendit po vonon të thërras seancën për platformën e dialogut.

Sipas saj një seancë e tillë është dashur të caktohet menjëherë pas aprovimit të këtij dokumenti nga Qeveria.

“Kuvendi i Kosovës që nga konstituimi i legjislaturës aktuale nuk ka mbajtur asnjëherë seancë të veçantë rreth procesit të dialogut Kosovë-Serbi, pavarësisht faktit që partitë politike në vazhdimësi kanë deklaruar se Kuvendi i Kosovës duhet të luaj rol të rëndësishëm në këtë proces dhe me rezoluta të Kuvendit kanë për obligim mbikëqyrjen e këtij procesi”,  ka thënë ajo.

"Pas aprovimit të platformës së Qeverisë për këtë proces, Kuvendi i Kosovës duhet ta kishte caktuar tashmë  një seancë ku do të diskutohej platforma e aprovuar nga Qeveria. Kjo seancë nuk duhet të kufizohet vetëm në diskutimin rreth platformës, sepse vet platforma është një dokument me përmbajtje të kufizuar që nuk ofron vizion mbi ekipin negociues, temat që do të diskutohen, afatet kohore, rolin e vet Kuvendit dhe institucioneve të tjera, garancat ndërkombëtare apo dhe mekanizmat zbatuese”, ka thënë ajo në një prononcim për “Zërin”.

Ajo ka thënë që përtej diskutimit për këtë çështje nevojitet konsensus politik.

Ajo tha se Kuvendi duhet të miratojë një rezolutë me anë të së cilës i jep legjitimitet këtij procesi dhe e merr përsipër mbikëqyrjen e tij.

“Diskutimet në Kuvend që mund të rezultojnë me nevojën e diskutimit të kësaj teme përtej një seance plenare, duhet të synojnë ndërtimin e një konsesusi politik mbi qëndrimin shtetëror të Kosovës në këto negociata dhe vetëm pas shterjes së debatit të mirëfillte Kuvendi i Kosovës duhet të aprovoj një rezolutë me anë të së cilës i jep legjitimitet këtij procesi dhe e merr përsipër mbikëqyrjen e tij, ndërsa vet procesi garanton gjithpërfshirje të spektrit politik dhe institucional si dhe transparencë ndaj qytetarëve”, ka thënë ajo.

Tutje Krasniqi tha se ndonëse kjo çështje nuk është diskutuar ende në Kuvend, presidenti Thaçi ka marrë rolin e udhëheqësit të dialogut me aprovimin e Qeverisë dhe me kërkesën e BE-së.

“Presidenti i vendit tashmë e ka marr rolin udhëheqës të këtij procesi si një kërkesë që ka buruar nga vet BE dhe dakordimi me kryeministrinë e Qeverinë e Kosovës, ende pa një diskutim të mirëfilltë në kuvendin e Kosovës dhe pa ndërtimin e konsensusit politik rreth këtij procesi. Qeveria tashmë ia ka dhënë dritën e gjelbër presidentit për të ecur përpara në këtë proces me aprovimin e platformës. Është Kuvendi si institucion që ende nuk e ka bërë një gjë të tillë. Kosova është demokraci parlamentare, prandaj Kuvendi duhet të luaj rolin e tij në këtë proces. Presidenti Thaçi deklaroi nga Samiti i Sofjes që ka shprehur përkushtimin e palës kosovare për ta vazhduar sa më parë dhe për ta përmbyllur shpejt këtë proces. Procesi i dialogut është proces shtetëror, nuk është proces individësh, andaj të gjitha institucionet duhet te luajnë rolin e tyre, të marrin përsipër përgjegjësit kushtetuese që kanë dhe të ndërtojnë një platformë të mirëfilltë shtetërore. Kjo është e vetmja mënyrë si mund të garantojmë mbrojtjen dhe promovimin e interesave shtetërore të Kosovës në këtë proces”, tha Krasniqi.

Sipas saj nuk ka më kohë për të humbur, institucionet e vendit  dhe partitë politike duhet të veprojnë në bashkërendim sa më parë duke lënë anash politikat dhe inatet ditore, për ndërtimin e konsensusit politik mbi këtë interes shtet të Kosovës, dialogun me Serbinë dhe perspektivën evropiane të vendit.