Manovrat politike me ushtrinë

Aktuale May 15, 2018 - 07:49
Lexoni më shumë detaje

Ministria e Forcës së Sigurisë tashmë e ka dorëzuar në Qeveri Projektligjin për Ushtrinë. Por ekzekutivi i vendit ende nuk ka ndonjë plan se kur do ta ketë në rend dite këtë çështje, në mënyrë që pastaj të procedohet në Kuvend. Formimi i ushtrisë nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, ashtu siç po kërkojnë ndërkombëtarët, shihet si i pamundur, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK) tashmë ia ka dorëzuar Qeverisë së Kosovës Projektligjin për Ushtrinë, por ekzekutivi i vendit ende nuk ka vendosur nëse do të vazhdohet përmes ndryshimeve ligjore ose kushtetuese.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës i kanë deklaruar gazetës Zëri se kjo çështje është krejtësisht politike dhe nuk kanë precizuar se kur do ta procedojnë në Kuvend.

Në anën tjetër, anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrjen e FSK-së nga radhët e opozitës kanë vlerësuar se  patjetër duhet të gjendet një plan strategjik për të vepruar në këtë drejtim, pasi Lista Serbe po vazhdon ta bllokojë bërjen e ushtrisë, ashtu siç po kërkon bashkësia ndërkombëtare - me anë të amendamentimit të Kushtetutës.

Duke marrë parasysh faktin se për t’i votuar ndryshimet kushtetuese nevojiten edhe 2/3 e votave të komuniteteve joshumicë, zyrtarë të qeverisë së Serbisë kanë ripërsëritur edhe një herë qëndrimin gjatë ditës së djeshme se ushtria e Kosovës nuk duhet të formohet.

Sipas tyre, një gjë e tillë e destabilizon jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin.

Si pasojë e këtij kundërshtimi nga Lista Serbe, me kërkesë të Beogradit zyrtar, ekspertët e çështjeve ushtarake kanë konsideruar se bërja e ushtrisë nuk do të ndodhë shumë shpejt.

Andaj sipas tyre, duhet të gjendet një “Plan B” për të dalë nga kjo situatë, qoftë duke vepruar edhe nëpërmjet ligjit.

Matoshi: Është çështje politike se kur Qeveria i miraton projektligjet

Halil Matoshi, këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk ka ndonjë afat të caktuar se kur Projektligji për Ushtrinë do të jetë në rend dite në mbledhjet e Qeverisë, në mënyrë që pastaj të procedohet për në Kuvend.

Sipas tij, kjo çështje është krejtësisht politike.

“Se kur Qeveria i trajton dhe i miraton ato projektligje është çështje ekskluzivisht politike, prandaj kjo çështje mbetet në duart e politikës, por besohet se kjo do të ndodhë në një afat optimal”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

I pyetur nëse ushtria do të bëhet nëpërmjet ndryshimeve ligjore ose nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, siç ka kërkuar bashkësia ndërkombëtare, Matoshi duke mos saktësuar ka thënë se për këtë gjë merr vendim politika.

“Kjo është çështje politike. Është çështje për të cilën merr vendim politika”, ka nënvizuar ai.

Daçiq: Formimi i ushtrisë është hap drejt destabilizimit

Ndërkaq shefi i diplomacisë së Serbisë, Ivica Daçiq, sërish ka bërë të qartë qëndrimin e palës serbe sa i përket bërjes së ushtrisë së Kosovës.

Në fjalën e tij para Këshillit të Sigurimit të OKB-së në New York gjatë ditës së djeshme ka thënë se formimi i ushtrisë së Kosovës është një hap drejt destabilizimit të sigurisë në Kosovë dhe në rajon.

Ai madje konsideroi se një gjë të tillë nuk e lejon as Kushtetuta e Kosovës dhe se e vetmja forcë ushtarake është KFOR-i.

“KFOR-i do të mbajë qëndrim neutral. Shpresoj që BE-ja dhe NATO-ja do të vazhdojnë të mbajnë qëndrim kundër ushtrisë së Kosovës”, theksoi kryediplomati serb.

Shala: Besoj që kryeministri s’do të gabojë si presidenti

Haxhi Shala, kryetar i Komisionit për Punë të Brendshme dhe për Mbikëqyrjen e FSK-së, është shprehur optimist se Projektligji për Ushtrinë shumë shpejt do të shkojë në Kuvend.

“Nëse e ka dërguar me të vërtetë, ai shumë shpejt do të procedohet në Kuvendin e Kosovës. Besoj që kryeministri nuk do ta bëjë gabimin e mëhershëm të cilin e ka bërë presidenti i Kosovës, që ta sjellë një ligj pa një koordinim të mirë me faktorin ndërkombëtar. Kështu që ne e mirëpresim kurdo që ai vjen. Ne si Komision do ta kryejmë punën tonë dhe ta dërgojmë në seancë, atëherë vendos Parlamenti për votim”, ka deklaruar ai.

Megjithatë, Shala ka thënë se nuk e di se si do të veprohet tutje sa i përket bërjes së ushtrisë vetëm me anë të ligjit ose me amendamentim të Kushtetutës.

“Nuk e di tash a kanë sjellë ndryshime kushtetuese apo kanë sjellë ligjet, pa e parë materialin nuk di ç’të them”, ka shtuar ai.

Millaku: Të bëhet një plan strategjik për bërjen e ushtrisë

Drita Millaku, anëtare e Komisionit për Mbikëqyrjen e FSK-së nga LVV-ja, ka konsideruar se formimi i ushtrisë me anë të ndryshimeve kushtetuese siç po kërkojnë ndërkombëtarët nuk është i lehtë të realizohet.

“Çështja e ushtrisë është çështja më serioze e shtetit tonë të ri. Kjo çështje është edhe mjaft komplekse për nga aspekti legal i realizimit. Bashkësia ndërkombëtare kërkon që kjo të ndodhë me ndryshime kushtetuese, të cilat janë tejet të vështira për t’u arritur pasi kjo kërkon pajtimin e komunitetit serb”, ka theksuar ajo për “Zërin”.

Andaj sipas saj, duhet të përpilohet një plan se si të veprohet më tej sa i përket kësaj çështjeje.

“Pasi ushtria është tejet e rëndësishme për ne, unë mendoj se duhet të bëhet një plan strategjik ku do të duhej të implikohej jo vetëm spektri i gjerë politik, por edhe bota jonë akademike për të gjetur zgjidhje kreative për këtë problem. Krejt kjo me qëllim që me dhimbje sa më të vogla në relacion me komunitetin serb të realizohej ushtria”, ka shtuar ajo.

Qehaja: Situata është mjaft e ndërlikuar

Në anën tjetër Ramadan Qehaja, ekspert i çështjeve ushtarake, ka vlerësuar se gjasat janë shumë të vogla që ushtria të bëhet në pjesën e parë të këtij viti.

“Projektligji është formësuar, pritet të dalë në Qeveri, pastaj në Kuvend, por ashtu siç janë gjërat dhe si është situata politike dhe ajo e sigurisë në gjysmën e parë të këtij viti nuk pres që të ketë ndonjë lëvizje lidhur me këtë, sepse nuk kemi arritur që ta bindim Listën Serbe t’i votojë ndryshimet kushtetuese, pavarësisht asaj që janë mbajtur disa takime me përfaqësuesit serbë këtu në Kosovë”, është shprehur ai.

E pasi sipas Qehajës kjo çështje nuk mund të rregullohet shpejt, atëherë duhet të veprohet përmes ligjit.

“Situata është mjaft e ndërlikuar, nuk pres shpejt të rregullohet kjo çështje, por në gjysmën e dytë të këtij viti domosdoshmërish ne duhet të shkojmë në formimin e Forcave të Armatosura, qoftë edhe vetëm me ndryshim të Ligjit për FSK-në, duke ia dhënë detyrat që kanë të bëjnë me çështje ushtarake dhe asgjë tjetër. Nuk mund të presim më. Deshi dikush ose jo, ne duhet të shkojmë t’i kryejmë detyrat tona shtëpiake”, ka potencuar ai.