Hoti flet për koalicionin qeverisës, por nuk përmend zgjedhjet

Aktuale May 14, 2018 - 11:30
Ja çfarë thotë ai!

Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti në një tryezë të organizuar nga partia e tij ka përmendur të gjitha të metat e koalicionit aktual qeverisës, i cili sipas tij është tanimë jo funksional për shkak se ka humbur shumicën në Kuvend raporton "Zeri.info".

Ndonëse Hoti ka folur për mosfunksionimin e Kuvendit dhe Qeverisë së vendit, por nuk ka përmendur mundësinë për të ngritur mocion ndaj kësaj Qeverie ashtu siç kishin paralajmëruar LDK-ja javë më parë.

"Fillimi i punës së kuvendit në këtë legjislaturë është përcjellur me vështirësi. Është rasti i vetëm deri tani që themelimi dhe funksionimi i Kuvendit është në varësi të listës serbe. Kjo e bënë problematike funksionimin e Qeverisë. Po ashtu nuk kemi parë një program të qartë nga ky koalicion për zgjidhjen e çështjeve të vendit.", tha Hoti.

Po ashtu sipas tij partia e LDK-së është subjekti opozitar që është vënë në mbrojtje të stabilitetit të vendit.

"Ne si LDK jemi munduar ta bëjmë një opozitë të fuqishme dhe konstruktive. Kemi qenë grupi më aktiv opozitar sa i përket debateve, pyetjeve parlamentare etj. Në disa raste kemi marr përsipër mbrojtjen e stabilitetit të fundit", tha Hoti në tryezën e organizuar nga LDK me titull “Sfidat e Kuvendit të Kosovës në realizimin e mandatit kushtetues”, tha ai raporton "Zeri.info".

Hoti mes tjerash tha se tashmë koalicioni qeverisës e ka humbur shumicën dhe si i tillë nuk mund të vazhdoj.

"Në dy muajt e fundit koalicioni është sforcuar edhe më shumë sepse e ka humbur shumicën dhe nuk ka kuptim që të vazhdojnë më. Pa një shumicë për votim Qeveria e vendit nuk ka legjitimitet të vazhdoj më tutje dhe çdo vendim i marrë nga ta është i kontestueshëm", theksoi ai.

Madje sipas Hotit, Qeveria aktuale ka dështuar në shumë raste që të mbroj vendin, duke përmendur kështu depërtimin e 6 shtetasve turq.

Në këtë tryezë të LDK-së po marrin pjesë edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave të vendit. /Zëri/