Projektligji për ushtrinë shkon në Qeveri

Aktuale May 11, 2018 - 07:45
Lexo detajet

Ministria e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës me 8 ditë vonesë ia ka dërguar Qeverisë së Kosovës draftligjet për transformimin e FSK-së në ushtri, ndërsa tani i mbetet Qeverisë së Kosovës që ta procedojë të njëjtën në mbledhje të Qeverisë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Ministria e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës ka konfirmuar që Projektligji për Transformimin e FSK-së është dërguar në Qeveri më 8 maj, me ç’rast ata janë shprehur të bindur se partitë politike të vendit do të votojnë pro këtij transformimi.

“Pas marrjes së deklaratës financiare për koston buxhetore nga Ministria e Financave dhe pëlqimit nga Ministria e Integrimeve Evropiane që draftligjet janë të harmonizuara me legjislacionin e BE-së, draftligjet për transformimin e FSK-së MFSK-ja më 8 maj 2018 i ka dërguar në Qeveri”, ka thënë Ibrahim Shala, zëdhënës në MFSK, shkruan më tutje "Zëri". 

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës thotë se po kërkon konsensus për këtë çështje, që sipas tyre duhet të bëhet në koordinim me partnerët strategjikë të Kosovës.

Janë pikërisht partnerët ndërkombëtarë të cilët formimin e ushtrisë e kërkojnë përmes ndryshimeve kushtetuese, porse sipas tyre është me rëndësi që për mënyrën e transformimit të ushtrisë Kosova të koordinohet me partnerët e NATO-s.

MFSK: E kemi dërguar Projektligjin për Ushtrinë në Qeveri

Ibrahim Shala, zëdhënës në Ministrinë e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, ka konfirmuar për “Zërin” që Projektligji për Transformimin e FSK-së i është dërguar Qeverisë së Kosovës më datën 8 maj.

“Pas marrjes së deklaratës financiare për koston buxhetore nga Ministria e Financave dhe pëlqimit nga Ministria e Integrimeve Evropiane që draftligjet janë të harmonizuara me legjislacionin e BE-së, draftligjet për transformimin e FSK-së MFSK-ja më 8 maj 2018 i ka dërguar në Qeveri”, ka thënë Shala.

Ndërsa i pyetur se a është duke u lënë pas formimi i ushtrisë si pasojë e gjendjes aktuale në vend, Shala ka thënë se janë të bindur që të gjitha partitë politike të vendit do të votojnë pro këtij transformimi.

“Kur bëhet fjalë për FSK-në, ne kemi bindjen se të gjitha partitë parlamentare do të votojnë për, sepse transformimi i FSK-së është në të mirë të shtetit të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj”, ka thënë Shala.

Qeveria kërkon konsensus politik për ushtrinë

Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi, ka thënë për “Zërin” se është kërkesë e Qeverisë së Kosovës që formimi i ushtrisë të bëhet në bashkëpunim me të gjitha partitë politike në vend.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës për formimin e ushtrisë ka kërkuar konsensus politik në bashkëpunim me të gjitha partitë politike në vend dhe në koordinim me partnerët strategjikë. Sipas programit legjislativ të Qeverisë, kjo ka qenë e paraparë të ndodhë më 30 prill, por kjo pako e ligjeve ende nuk është proceduar në mbledhjen e Qeverisë”, ka thënë ai.

Gashi mes të tjerash ka thënë edhe se është interesi i Qeverisë që kjo të ndodhë sa më parë, por gjithmonë duke i respektuar partnerët tanë.

Ambasada Gjermane: Ushtria duhet të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese

Zyrtarë nga Ambasada Gjermane në Prishtinë për “Zërin” kanë thënë që formimi i ushtrisë së Kosovës duhet të bëhet vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese.

“Definimi i mandatit dhe strukturës së FSK-së, duke përfshirë një transformim të mundshëm në forca të rregullta të armatosura, është vendim sovran i Kosovës. Me këtë rast është e rëndësishme që transformimi të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Po ashtu ata thonë që e rëndësishme për këtë proces është bashkëpunimi i vazhdueshëm i NATO-s me Kosovën.

“Proceset politike të transformimit duhet të jenë transparente dhe përfshirëse. Përveç kësaj, për bashkëpunimin e ardhshëm me NATO-n është me rëndësi që mënyra e transformimit të koordinohet me partnerët e NATO-s”, thuhet aty.

Selimi: Është zgjedhur rruga jo e duhur për formimin e ushtrisë

Rexhep Selimi, nga Vetëvendosja, anëtar në Komisionin për Mbikëqyrjen e FSK-së, ka thënë për “Zërin” që rruga në të cilën Qeveria e Kosovës planifikon ta formojë ushtrinë është e gabuar dhe duhet të ndryshohet.

“Formimi i ushtrisë së Kosovës duket që përveç dinamikës, që gjithsesi është një proces shumë i vonuar, problematike del edhe kahja që ia kanë dhënë këtij procesi. Qeveritë në vazhdimësi që nga qeveria ‘Thaçi’, ‘Mustafa’ dhe tash ‘Haradinaj’ e kanë qasjen e gabuar dhe rrugën jo të duhur lidhur me bërjen e Kosovës me ushtri, sepse po vazhdojnë me mënyra elektorale ta adresojnë problemin e FSK-së”, ka thënë Selimi.

Sipas Selmit, nëse vazhdohet me këtë qasje formimi i ushtrisë do të vazhdojë të zvarritet edhe më tej. “Sot e kësaj dite Qeveria e Kosovës në vend që të flasë, të bashkëpunojë dhe ta koordinojë këtë proces me partnerët strategjikë, me Brukselin dhe Washingtonin, të cilët e duan Kosovën me ushtri, Qeveria po koordinon dhe po bashkëpunon me Listën serbe dhe me Serbinë, të cilat nuk e duan ushtrinë e Kosovës, pra kjo është qasje dhe mënyrë totalisht e gabuar, prandaj ata rrezikojnë që edhe më tutje ta dështojnë projektin e Forcave të Armatosura të Kosovës”, ka theksuar Selimi.

Duke folur për rrugën e duhur të formimit të ushtrisë së Kosovës, Selimi thotë se zgjidhja e vetme është përmes bashkëpunimit me aleatët strategjikë, pra me Washingtonin dhe me NATO-n, duke e shmangur kështu rolin përcaktues që ka Lista Serbe në këtë proces.

Xhelili: Ushtria duhet të bëhet në koordinim me ndërkombëtarët

Fatmir Xhelili, nga PDK-ja, anëtar i Komisionit për Mbikëqyrjen e FSK-së, ka thënë që askush nuk është duke e zvarritur procesin e formimit të ushtrisë, porse sipas tij, ky proces është kompleks dhe duhet të bëhet në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.

“Nuk mendoj që dikush është duke e bllokuar këtë proces, por ushtria është proces shumëdimensional dhe është domosdoshmëri që të jetë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë me të cilët jemi duke punuar bashkë në ndërtimin, strukturimin dhe komandimin e FSK-së. Është proces që ka nevojë për përkrahjen e faktorit ndërkombëtar dhe duhet të kemi parasysh që tani jemi në bisedime me Serbinë në fazën përfundimtare dhe duhet të jemi të kujdesshëm”, ka thënë Xhelili.

Sipas tij, forma e vetme për formimin e ushtrisë është përmes ndryshimeve kushtetuese, por nëse kjo nuk funksionon duhet të gjendet një mënyrë tjetër.

“Të gjitha investimet duhet t’i bëjmë në drejtim të asaj që ushtria duhet të bëhet me ndryshime kushtetuese, deri në momentin kur nuk kemi rrugë tjetër. Kur ta shohim që nuk ka rrugë tjetër, atëherë mund të shkojmë edhe me ligj, mirëpo duhet të jemi të kujdesshëm që të jemi në bashkëveprim me partnerët strategjikë, me ndërkombëtarët dhe me NATO-n”, ka thënë ai.

Xhelili ka thënë mes të tjerash se penguesit kryesorë të këtij procesi, pra Lista serbe nuk do ta japë pëlqimin derisa të nënshkruhet marrëveshja me Serbinë, gjë që sipas tij nuk do të ndodhë së shpejti.