Serbia po e bllokon procesin e dialogut

Aktuale May 10, 2018 - 07:49
Lexoni më shumë detaje

Serbia nuk është duke respektuar Marrëveshjen e Brukselit për Lëvizjen e Lirë. Kuvendi i Serbisë ua ka ndaluar tre deputetëve të Kosovës shkuarjen në Beograd, ku ishin ftuar nga kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Serbisë, Nenad Canak. Po ashtu dje Përfaqësueses së Kosovës në Karate i është ndaluar hyrja në Serbi për pjesëmarrje në Kampionatin Evropian, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Ndonëse është bërë gati një dekadë prejse ka nisur procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, kjo e fundit ende po vazhdon të mos i zbatojë marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Gjatë ditës së djeshme Serbia shkeli dy herë mbi Marrëveshjen e Lëvizjes së Lirë, fillimisht duke ia ndaluar Përfaqësueses së Kosovës në Karate hyrjen në territorin e Serbisë dhe më pas u tërhoq edhe ftesa për deputetët e Kuvendit të Kosovës (Vjosa Osmani, Blerat Deliu e Ilir Deda), të cilët parashihej të merrnin pjesë në konferencën “Përmes idesë së BE-së drejt paqes dhe zhvillimit”, e cila do të mbahej në Beograd, shkruan më tutje "Zëri".

Pas këtyre dy vendimeve reaguan krerët institucionalë në Kosovë, të cilët i cilësuan tërësisht të papranueshme veprimet e shtetit serb.

Në anën tjetër, monitoruesit e procesit të dialogut konsideruan se shkelja e marrëveshjeve nga ana e Serbisë paraqet një mesazh tejet negativ për procesin e dialogut.

Ndërkohë, ish-drejtuesja e negociatave me Serbinë Edita Tahiri ka thënë për Zërin se Serbia është duke e bllokuar dialogun në vazhdimësi.

Andaj, ajo ka kërkuar urgjentisht nga Bashkimi Evropian që të marrë masa dhe ta ndëshkojë Serbinë për moszbatim të marrëveshjeve të arritura.

Osmani: Veprimet e Serbisë nuk i kontribuojnë normalizimit të raporteve

Ndërkaq Vjosa Osmani, kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme (së cilës iu ndalua pjesëmarrja po ashtu), ka konsideruar se Serbia gjatë ditës së djeshme e ka dëshmuar se është shtet antievropian.

“Edhe pse ka hapur shumicën e kapitujve për anëtarësim në BE, Serbia tregon se mbetet një shtet me vlera antievropiane dhe se të gjitha të arriturat e saj drejt rrugës integruese i ka fituar përmes temave të Kosovës dhe jo për shkak të meritave dhe përmbushjes së standardeve”, ka deklaruar ajo.

Sipas Osmanit, veprimet e tilla të Serbisë nuk i kontribuojnë paqes e as normalizimit të raporteve në mes dy vendeve.

Ndërkohë, anëtari i Komisionit për Integrime Evropiane Ilir Deda, teksa ka bërë publik njoftimin e Serbisë për ndalim-hyrje, konsideroi se një veprim i tillë është totalisht në kundërshtim me normalizimin e raporteve.

Deliu - Kodra: BE-ja të reagojë kundër veprimeve të Serbisë

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane (së cilës iu pamundësua shkuarja në Beograd) ka bërë thirrje nga Bashkimi Evropian që të reagojë kundër vendimeve të fundit të Serbisë.

“Kosova si shtet ka dëshmuar gjithmonë se është e orientuar kah fqinjësia e mirë. Sot në Ditën e Evropës kërkojmë nga përfaqësuesit e institucioneve të Bashkimit Evropian të reagojnë kundër këtij akti, më tepër duke pasur parasysh edhe faktin që po i njëjti shtet sot i ndaloi edhe karateistët kosovarë pa asnjë bazë të marrin pjesë në kampionatin evropian në Novi Sad”, ka deklaruar ajo.

Sipas Deliu-Kodrës, veprimet e fundit të Serbisë e zbehin entuziazmin e ruajtjes së frymës së bashkëpunimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor për të ecur drejt integrimit evropian.

Thaçi e Haradinaj: Veprimi i Serbisë, i papranueshëm

Duke folur rreth vendimit të Serbisë për të mos e lejuar Përfaqësuesen e Kosovës për Karate të hyjë në Serbi, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e ka cilësuar si krejtësisht të papranueshëm një vendim të tillë.

“Ndalimi i pjesëmarrjes së karateisteve kosovarë në Kampionatin Evropian të Karatesë për seniorë në Novi-Sad nga autoritetet e Beogradit është e papranueshme, është kundër frymës sportive dhe rregullave elementare të Federatës Ndërkombëtare të Karatesë”, ka theksuar Thaçi.

Pas ndalimit të sportistëve kosovarë për të hyrë në Serbi ka reaguar edhe kryeministri Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se një veprim i tillë nuk shkon në favor të asnjërës palë sa i përket normalizimit të raporteve.

“Ndalimi i Kombëtares së Kosovës nga autoritetet e Serbisë për të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të Karatesë në Novi Sad të Vojvodinës është akt i papranueshëm, që nuk i kontribuon normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve tona”, është shprehur ai.

Ndërkaq zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj vendimet e fundit të Serbisë i ka cilësuar si antievropiane.

Tahiri: Qeveria ta njoftojë urgjentisht BE-në

Në anën tjetër ish-udhëheqësja e procesit të dialogut nga pala kosovare, Edita Tahiri, ka konsideruar se vendimi i Serbisë për të mos i lejuar të hyjnë në Serbi deputetët dhe sportistët kosovarë dëshmon qartazi shkeljen e marrëveshjeve të arritura.

“Këto veprime të Serbisë për moslejim edhe të delegacionit sportiv, por edhe të delegacionit parlamentar, që u desh të shkojnë në Serbi për ngjarjet e tyre, tregon qartë që Serbia po e shkel Marrëveshjen e Brukselit për Vizitat Zyrtare, që është bërë mes dy shteteve. Sjellja e këtillë e Serbisë nuk është në frymën e normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve e që është njëri prej qëllimeve kryesore të dialogut të Brukselit”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Andaj sipas Tahirit, Bashkimi Evropian duhet të ndërhyjë sa më parë në këtë proces, duke e detyruar Serbinë që ta zbatojë marrëveshjen dhe duke e ndëshkuar për moszbatimin e saj.

Po ashtu, sipas saj, institucionet e Kosovës duhet ta njoftojnë sa më parë BE-në për zhvillimet e fundit.

“Për këtë çështje Qeveria e Kosovës duhet urgjentisht ta njoftojë Bashkimin Evropian dhe të kërkojë që Serbia të detyrohet ta zbatojë Marrëveshjen dhe të ndëshkohet, meqenëse zbatimi i marrëveshjeve të Brukselit dhe vetë dialogu lidhet edhe me integrimet evropiane për të dyja shtetet”, ka shtuar ajo.

Krasniqi: Vendimet e Serbisë, mesazhe negative për dialogun

Kurse Jeta Krasniqi, monitoruese e procesit të dialogut me Serbinë nga KDI-ja, ka vlerësuar se vendimi i djeshëm i Serbisë paraqet një mesazh aspak të mirë për procesin e dialogut.

“Vendimi i ndërmarrë nga Kuvendi i Serbisë për ndalimin e shkuarjes së deputetëve të Kosovës në Kuvendin e Serbisë në kuadër të bashkëpunimeve të cilat janë të parapara është faktikisht mesazh negativ për procesin e dialogut Kosovë - Serbi. E dimë që në kuadër të këtij procesi është edhe Marrëveshja për Lëvizjen e Lirë e kjo është ndërhyrje e drejtpërdrejtë e marrëveshjeve që janë arritur në kuadër të këtij procesi”, është shprehur ajo.

Andaj sipas saj, Kosova duhet të kërkojë garanci nga ana e BE-së kur vjen puna e zbatimit të marrëveshjeve nga ana e Serbisë.

“Garancia duhet të jetë nga ana e BE-së. Kosova po ashtu duhet të kërkojë që edhe SHBA-ja të jetë pjesë e këtyre garancive”, ka theksuar ajo për “Zërin”.  

Kurse Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve politike, ka konsideruar se veprimi i Serbisë për t’i ndaluar deputetët kosovarë për të hyrë në Serbi është tërësisht i gabueshëm.

Sipas tij, ky është një sinjal që Beogradi nuk është i interesuar t’i stabilizojë raportet me Kosovën. Këtë sinjal, siç është shprehur Baraliu, BE-ja do të duhej ta merrte seriozisht.