Merkel i përmend Thaçit nevojën për luftim të krimit dhe korrupsionit

Aktuale May 09, 2018 - 18:03
Lajmi i Fundit

Kancelarja e Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel në një konferencë për media me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ka përmendur nevojën për luftim të krimit të organizuar dhe korrupsionit nga institucionet e Kosovës, transmeton Zëri.info.

Merkel ka thënë se edhe papunësia vazhdon të jetë e lartë.

“Luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Natyrisht papunësia që vazhdon të jetë lartë këto janë disa nga çështje ku ne mund të thellojmë bashkëpunimin. BE mund të ndihmojë me masa për infrastrukturën dhe duhet ta bëj”, ka deklaruar Merkel.

Ajo më tej ka thënë se duhet të zbatohen marrëveshjet e arritura dhe se prioritet duhet t’i jepet themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Çështje qendrore në lidhjen afrimin në BE natyrisht është raporti në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe ky raport do të zër vend qendror në bisedat tona që do të kemi pas pak. Ne e dimë që ky raport nuk është i thjeshtë, por besoj që ka pasur disa përparime por duhet të punohet edhe më shumë. Marrëveshjet që janë nënshkruar duhet të zbatohen. Prioritet në këtë kohë ka Bashkësia e Komunave Serbe dhe çështjet e energjetikës”, ka shtuar kancelaria gjermane.

Në fund Merkel tha se takimi me Thaçin i shërben përgatitjet për Samitin e Sofjes që mbahet këtë muaj dhe Procesit të Berlinit që në qershor vazhdon në Londër. /Zëri/