Kurteshi: Nëse nuk shkarkohet Dërguti, i drejtohemi Kushtetueses

Aktuale May 03, 2018 - 09:17
Lexoni më shumë detaje

Aida Dërguti sot mund të shkarkohet nga pozita e nënkryetares së Kuvendit me iniciativë të ish-bashkëpartiakëve të saj, ndonëse para më pak se një viti ishte përzgjedhur në këtë pozitë të lartë në legjislativ pikërisht me propozim të Lëvizjes Vetëvendosje.

Për të kaluar iniciativa e Lëvizjes Vetëvendosje për shkarkimin e Dërgutit duhet votuar nga 2/3 e deputetëve të Kuvendit, vota këto sipas drejtuesve të këtij subjekti politik opozitar i sigurojnë me lehtësi, ndonëse deri më tani nuk kanë arritur marrëveshje për përkrahje nga ndonjë subjekt tjetër politik parlamentar.

Ismajl Kurteshi, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se presin që sot në Kuvend pa ndonjë problem të shkarkohet nënkryetarja Aida Dërguti, pasi Kushtetuta e Kosovës përcakton që këto pozita t’i takojnë tri partive më të mëdha.

LEXO EDHE: Vetëvendosja sot tenton shkarkimin e Dërgutit

“Duke u bazuar në situatën e krijuar, unë besoj që nuk ka nevojë për ndonjë shkarkim sepse edhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës parashihet që në Kryesinë e Kuvendit marrin pjesë përfaqësuesit e tri subjekteve më të mëdha parlamentare e që në këtë rast janë Vetëvendosja, LDK-ja dhe PDK-ja. Kështu që kjo është çështje e rregulluar dhe mendoj që do të jetë vetëm një lloj formaliteti që duhet të kalojë pa asnjë problem”, ka thënë Kurteshi.

I pyetur se si do të veprojë Vetëvendosja në rast se nuk arrihen 2/3 e votave për shkarkimin e Dërgutit (ashtu siç edhe e parasheh Rregullorja), Kurteshi ka thënë se në këtë rast LVV-ja do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. /ZËRI/