Zëvendësministrat raportojnë për 'punët' që i kanë bërë

Aktuale April 28, 2018 - 07:53
Detajet

Kryeministri Ramush Haradinaj gjatë këtij muaji ka pranuar mbi 70 raporte të punës nga zëvendësministrat e tij, përderisa shumë shpejt do ta ketë një takim të përbashkët me të gjithë zëvendësministrat e Qeverisë së Kosovës, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Qeveria “Haradinaj” i ka 21 ministri dhe hiç më pak se 78 zëvendësministra.

Zyrtarë për informim të Qeverisë së Kosovës kanë konfirmuar për gazetën “Zëri” për dhjetëra raporte të punës që i kanë pranuar deri më tani nga zëvendësministrat, por nuk kanë treguar datën se kur do të mbahet ky takim i përbashkët.

Në anën tjetër, përfaqësues të opozitës thonë se një numër kaq i madh i zëvendësministrave s’ka çfarë pune të bëjë në Qeveri. Sipas tyre, zëvendësministrat vetëm se janë shndërruar në pengesë për të punuar në dikasteret qeveritare.

Gashi: Shumica e zëvendësministrave i kanë dorëzuar raportet e punës

Donjeta Gashi, nga Zyra e Kryeministrit Ramush Haradinaj në një përgjigje për gazetën “Zëri” ka treguar se pjesa më e madhe e zëvendësministrave ka dorëzuar raportin për punën e tyre deri më tani. “Pjesa më e madhe e zëvendësministrave tashmë ka dhënë raport zyrtar në Zyrën e Kryeministrit për punën e tyre”, ka thënë ajo.

Gashi ka bërë të ditur se të gjithë zëvendësministrat do të ftohen nga kryeministri Haradinaj për raportim gjatë një takimi, mirëpo nuk ka treguar datën se kur do të mbahet ky takim. “Ata do të ftohen nga kryeministri për takim dhe për raportim, por caktimi i datës do të bëhet në koordinim me agjendën e kryeministrit dhe për të cilën do të njoftoheni me kohë”, ka përfunduar ajo.

Gazeta “Zëri” ka kontaktuar me disa zëvendësministra, të cilët kanë treguar që i kanë dorëzuar raportet e tyre të punës në Zyrën e Kryeministrit brenda afatit të caktuar.

 Zëvendësministrat konfirmojnë dorëzimin e raporteve

Rejhan Vuniqi, zëvendësministre në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ka treguar për “Zërin” se ka dorëzuar raportin e saj dhe beson se të njëjtën gjë e kanë bërë edhe zëvendësministrat tjerë të kësaj Ministrie. “Po, unë raportin tim të punës e kam dorëzuar te Zyra e Kryeministrit brenda afatit të caktuar. Besoj që të njëjtën gjë e kanë bërë edhe zëvendësministrat tjerë të Ministrisë së Punëve të Jashtme”, ka deklaruar Vuniqi.

Ndërkohë edhe Besnik Beka, zëvendësministër në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, tha se ka dorëzuar raportin e tij. “Po, patjetër që e kam dorëzuar...Unë e kam dorëzuar atë raport diku 10 ditë para kohe në Zyrën e Kryeministrit”, ka thënë ai.

Ndërkaq të njëjtën gjë e ka pohuar edhe zëvendësministri Isni Kilaj, i cili tha se brenda afatit kohor ka dorëzuar raportin ku përfshihet puna 100-ditëshe në këtë Ministri.

Opozita: Zëvendësministrat më shumë e pengojnë njëri-tjetrin sesa punojnë

Lirije Kajtazi, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë për gazetën “Zëri” se zëvendësministrat e shumtë më shumë po e pengojnë njëri-tjetrin sesa punojnë. “Ajo çka është parë dhe është raportuar në disa raste është se ata më shumë e kanë penguar njëri-tjetrin duke u munduar të gjejnë hapësira, pasi s’kanë pasur as karrige të mjaftueshme nëpër zyra”, ka thënë Kajtazi.

Ndërkaq Ismajl Kurteshi, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se LVV-ja nuk ka informacion për ndonjë punë konkrete të zëvendësministrave të qeverisë “Haradinaj”.

“Sa unë kam informata, nuk dimë asnjë punë konkrete deri më tani të ndonjë zëvendësministri. Kjo nuk do të thotë që ata s’kanë bërë asgjë, por ne nuk dimë ndonjë punë të veçantë të ndonjërit prej tyre”, ka thënë Kurteshi për “Zërin”. 

Ai tutje tha se numri i madh i zëvendësministrave nuk e ka shtuar aspak intensitetin e punës në ministritë përkatëse.

 

Të zvogëlohet numri i zëvendësministrave, të kursehet buxheti

 

Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu”, vlerëson se nuk është parë asnjë rezultat i punës së një numri aq të madh të zëvendësministrave të qeverisë “Haradinaj”. Sipas tij, asnjë nga zëvendësministrat deri më tani nuk dihet për ndonjë punë konkrete që mund ta ketë ndihmuar ministrinë përkatëse.“Konkretisht, mund të them se deri më tani nuk kam parë ndonjë punë apo veprim konkret që është ndërmarrë dhe që ka qenë meritë ose punë e ndonjë zëvendësministri. Nuk e di a është për faktin që të gjitha punët që ata i kryejnë janë t’i ndihmojnë ministritë, apo është çështje që thjesht nuk bëjnë asgjë pasi deri më tani nuk kemi parë asgjë që ka të bëjë direkt me punën e tyre?”, ka thënë Demhasaj.

Ai pret që pas takimit që kryeministri do ta ketë me të gjithë zëvendësministrat të vetëdijesohet se një numër aq i madh i zëvendësministrave nuk e intensifikon punën nëpër ministri dhe të fillojë ta zvogëlojë këtë numër. “Ajo çfarë pres nga një takim i tillë është që edhe vetë kryeministri ta kuptojë se numri i madh i zëvendësministrave nuk e rrit punën nëpër ministri dhe të reflektojë që pas atij takimi, duke menduar se si ta shkurtojë numrin e tyre dhe në këtë mënyrë ta kursejë buxhetin e shtetit”, ka përfunduar ai.