Hoxha kërkon mbështetje nga KE në zbatimin e Reformave në Agjendën Evropiane

Aktuale April 26, 2018 - 18:18
Lexo detajet

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha ka takuar sot Shefin e Njësisë për Kosovën në Komisionin Evropian, David Cullen, me ç'rast diskutuan për të arriturat dhe sfidat e Kosovës në procesin integrues, transmeton “Zëri.info”.

Në takim, Hoxha dhe Cullen diskutuan lidhur me të gjeturat e raportit të fundit për Kosovën dhe mënyrën e adresimit të tyre.

Po ashtu u diskutua edhe për Agjendën Evropiane të reformave dhe proceset që duhet kryer në kuadër të kësaj agjende. 

"Reformat që parashihen me Agjendën Evropiane dhe reformat ekonomike, përfshijnë edhe reformat në administratë të cilat i shohim si hap të rëndësishëm në procesin integrues. Përmes zbatimit të Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, Ministria ka punuar në rishikimin e Programit të MSA-së në shtator të vitit të kaluar si dhe zbatimin e tij", tha Hoxha.

Ajo tha se institucionet e Kosovës mbeten të përkushtuara në kryerjen e detyrave që avancojnë procesin e integrimit.

Në anën tjetër, David Cullen theksoi se modernizimi, transformimi dhe avancimi administratës në Kosovë është investim shembullor në të ardhmen e qytetarëve të Kosovës, e cila ndikon fuqishëm në përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarëve si dhe vlerave integruese.

Shefi i Njësisë për Kosovën në Komisionin Evropian, Cullen po ashtu, ka shprehur gatishmërinë e Komisionit Evropian për përkrahjen e Agjendës Evropiane të Reformave si dhe mbështetjen buxhetore sektoriale për Kosovën. /Zëri/