'Mediat në Kosovë kanë probleme financiare e presion politik'

Aktuale April 25, 2018 - 13:42
Ja kush e thotë!

 Organizata “Reporterët pa kufij” publikoi raportin për lirinë e medias, në të cilin Kosova u rendit në mesin e vendeve me media pjesërisht të lira.

Njohës të kësaj fushe thonë ky raport tregon se të bërit gazetari në Kosovë nuk është e lehtë dhe se gazetarët nuk janë plotësisht të lirë për të bërë punën e tyre.

Zekrija Shabani, ish-kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) për “Zërin” ka thënë po ashtu se gazetarët dhe mediat në përgjithësi në Kosovë kanë presion nga interesi politik e po ashtu edhe biznesi.

“Raporti tregon se të bërit gazetari në Kosovë, nuk është aspak e lehtë dhe ne nuk jemi plotësisht të lirë në punën tonë.

Kjo për shumë arsye. Duke filluar nga gjendja e rëndë financiare, me të cilën përballen mediat në vend, mungesa e funksionimit të rendit dhe ligjit, si dhe presionet e grupeve të interesit nga politika e biznesi”, deklaroi Shabani.

Sa i përket ndarjes se etnive që po ashtu përmendet në këtë raport, Shabani për “Zërin” tha se ofrimi i shërbimeve në gjuhët zyrtare në Kosovë nuk është ndarje etnie, kjo pasi sipas tij nuk ka ndonjë obligim ligjor ndaj mediave përveç medies publike, për program në shumë gjuhë.

“Është e pritshme që gazetat e televizionet që kanë audiencë shqiptare të prodhojnë program dhe të ofrojnë informacion në gjuhën e audiencës. Njëjtë është e pritshme që mediat e komuniteteve të veprojnë për ndryshe nuk do të mund ta informonin drejtë audiencën e vet. Ofrimi i shërbimeve në gjuhët zyrtare të Kosovës nuk është ndarje etnike e medies pasi nuk ka ndonjë obligim ligjor ndaj medieve përveç medies publike, për program në shumë gjuhë”, tha Shabani.

Ndryshe, sipas këtij raporti Kosova për dallim nga viti i kaluar këtë vit radhitet në vendin e 78-të në listën e “Reporterëve pa kufij”, që i bije për katër pozita më lartë.

Vendet fqinje Shqipëria dhe Maqedonia po ashtu kanë pasur ngritje, kurse Serbia ka rënë për 10 pozita më poshtë./ZËRI