Isufi: Të bëhet një rikapitulim i të gjitha marrëveshjeve të Brukselit

Aktuale April 24, 2018 - 11:26
Flet shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, ka konsideruar se duhet të bëhet një rikapitulim i të gjitha marrëveshjeve që janë arritur tashmë në mes Kosovës e Serbisë, në mënyrë që negociatat mes dy vendeve të vazhdojnë tutje, raporton zeri.info.

“Duhet të bëhet një rikapitulim i tërë asaj që ka ndodhur. Krijimi i një ekipi që të analizojë të gjitha marrëveshjet që janë bërë deri tash”, ka deklaruar ai.

Lidhur me atë se a duhet apo jo që dialogun ta drejtojë presidenti i vendit, Isufi ka thënë se institucionet e Kosovës i ndajnë përgjegjësitë mes vete, porse në fund sipas tij, kuvendi është ai që e ka përgjegjësinë kyçe.

LEXO EDHE: Konjufca: Qeveria ta udhëheqë dialogun, jo Thaçi

“Detyrat ndahen mes institucioneve, por përgjegjësia duhet të jetë e kuvendit të Kosovës që duhet ta monitorojë këtë proces”, ka shtuar ai.

Isufi më tej ka folur edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, me ç’rast ka deklaruar se ai nuk duhet dhe nuk mund të krijohet pa u mbështetur në plotni me kushtetutën e Kosovës.

“Me kushtetutë mund të krijohet një Asociacion që nuk ka kompetenca ekzekutive. Pikë. Këtu duhet të jemi të gjithë bashkë që të mos lejohen shkelje të kushtetutës dhe të mos lejohet që procesi të degradojë”, ka potencuar ai. /Zeri