Vazhdojnë problemet në mes të 'Vetëvendosjes' dhe GDP-së

Aktuale April 23, 2018 - 08:08
Çfarë po ndodh kështu mes Lëvizjes Vetëvendosje e GDP-së

Edhe pse kanë kaluar afër gjashtë muaj qyshkur deputetja Aida Dërguti ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat në Lëvizjen Vetëvendosje, ajo ende po vazhdon ta mbajë  postin e nënkryetares së Kuvendit, të cilin e ka marrë në emër të kësaj partie, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Kjo gjë po i pengon Vetëvendosjes, që tani kërkon që këtë post ta marrë ndonjë deputet i saj.

Përveç këtij posti, Vetëvendosja dhe Grupi i Deputetëve të Pavarur kanë probleme edhe sa i përket pjesëmarrjes në komisione parlamentare, pasi GDP-ja ende nuk ka liruar postet që duhet t’i marrë LVV-ja, ndërkohë që deputetët e kësaj të fundit janë larguar nga postet të cilat u takojnë deputetëve të LVV-së.

LEXO EDHE: Së paku 14 agjenci drejt shuarjes

Kurteshi: Ne kemi filluar t’i lëshojmë vendet, të mos zvarriten procedurat

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Ismajl Kurteshi për Zërin ka deklaruar se kjo parti nuk i ka dërguar kërkesë për t’i liruar pozitat e tyre Grupit të Deputetëve të Pavarur. 

“Ne nuk u kemi bërë kërkesë. Këtë çështje e rregullon Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në Nenin 67 të saj, pika 4 thotë se në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës janë përfaqësuesit e tre grupeve më të mëdha parlamentare”, ka thënë Kurteshi për "Zërin".

Ai ka shtuar se Aida Dërguti nuk mund të jetë nënkryetare e Kuvendit të Kosovës për arsye se kjo pozitë i takon Vetëvendosjes, pasi që është grupi i tretë parlamentar më i madhi në Kuvend.

“Ne si grupi i tretë parlamentar kërkojmë vendin tonë në Kryesinë e Kuvendit, kurse Aida në momentin kur ka hequr dorë dhe është larguar nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes, që është grupi i tretë parlamentar për nga madhësia, e ka humbur cilësinë e anëtares së Kryesisë, domethënë kjo është çështja. Këtë çështje duhet ta zgjidhë Kushtetuta dhe nuk duhet të ketë zvarritje”, ka thënë më tutje ai.

Më tutje Kurteshi ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje tanimë ka filluar t’i lirojë pozitat në komisione parlamentare, pozita këto që do t’i takojnë Grupit të Deputetëve të Pavarur.

“Edhe në komisionet parlamentare, atje ku kemi qenë më shumë sesa që na ka takuar, jemi pajtuar dhe jemi marrë vesh se kush do të hiqet prej atij komisioni. Shembull, në Komisionin për Arsim ku jam unë, Arbërie Nagavci dhe Adem Mikollovci jemi pajtuar që Adem Mikullovci të largohet meqë neve aty na takojnë dy vende, kurse i treti i takon Grupit të Deputetëve të Pavarur”, ka përfunduar ai.

Baftiu: Nuk kemi pasur kërkesë që t’i lirojmë pozitat

Deputetja e Grupit të Deputetëve të Pavarur, Besa Baftiu, për “Zërin” ka potencuar se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka kërkuar as nga ajo, por as nga Aida Dërguti që t’i lirojnë pozitat e tyre.

“Nuk kemi informata nëse ka ndonjë shkresë zyrtare në Kuvend për këtë gjë. Ende nuk kemi marrë ndonjë kërkesë për lirimin e këtyre pozitave nga unë dhe Aida”, ka thënë Baftiu.

Kurse analisti politik Ramush Tahiri për “Zërin” ka thënë se çështja e nënkryetarit të Kuvendit zgjidhet me rregullore të punës së Kuvendit. Sipas tij, kjo çështje nuk është për publikun.

“Nuk është çështje e zënkave politike, por është çështje e rregullores. Kryesia e vendos në bazë të shpjegimit të rregullores që e bën sekretari. Kjo nuk është aspak çështje për publikun, por është çështje e cila bëhet me automatizëm. Nëse i takon grupit që është më i madh apo më i vogël ajo me automatizëm është çështje e grupeve parlamentare që vendosin vetë”, ka thënë Baraliu.