Gjuriq: Për 4 vjet kemi ndërtuar 888 banesa në veri të Mitrovicës

Aktuale April 21, 2018 - 08:50

Drejtori i Zyrës Serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, gjatë qëndrimit në Mitrovicë të premten ka precizuar se për 4 vjetët e fundit qeveria e Serbisë dhe ministria e “Jevtiqit” kanë ndërtuar 888 banesa për serbët, ndërsa ka premtuar se në vitin 2018 Serbia do të ndërtojë edhe të paktën 4 ndërtesa të larta në këtë komunë veriore, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka siguruar serbët e veriut të Mitrovicës se shteti i Serbisë do të vazhdojë të investojë në Kosovë në të gjitha fushat, për “të siguruar kushte për serbët që të qëndrojnë në Kosovë”. Ai bëri të ditur se qeveria e Serbisë të enjten ka marrë vendimin për paketën e re të ndihmave për serbët në Kosovë, para së gjithashtu për të siguruar kushte të banimit, për zhvillimin e bujqësisë, për zhvillimin turistik të Banjës së Banjskës dhe kompleksin e rehabilitimit në Banjskë. Gjuriq paralajmëroi se në maj të 2018-s do të organizohet në veri të Mitrovicës një “forum biznesi” apo një lloj konference e donatorëve, në të cilin do të marrin pjesë kompanitë më të fuqishme të Serbisë, të cilat do të inkurajohen që të investojnë në të gjitha mjediset me popullatë serbe. Ai pastaj ka vizituar një ndërtesë të lartë në të cilën ndodhen 12 banesa, të dedikuara për çifte serbe që kanë kurorë 19 vjet, si dhe për familje serbe që nuk kanë të zgjidhur problemin e banimit. “Edhe kjo godinë është pjesë e programit të madh të mbështetjes së ndërtimit të objekteve të larta në gjithë Kosovën. Në 4 vjetët e kaluara, bashkërisht me përfaqësuesit e institucioneve të përkohshme, me ministrinë e Dalibor Jevtiqit, si dhe me mjetet e qeverisë së Serbisë kemi ndërtuar 888 njësi banesore (banesa), ndërsa në këtë vit do të ndërtojmë në Mitrovicë të Veriut të paktën 4 ndërtesa, ndërsa në vitin që vjen edhe shumë të tjera në të gjitha mjediset me serbë. Me pakon që është miratuar dje (e enjte) janë lejuar pesëfish më shumë mjete për bujqësi në mjediset serbe në Kosovë nëpërmes programeve të ndryshme”, ka thënë Gjuriq. Gjuriq ka porositur se Serbia do të jetë e palëkundur në luftën e vet për serbët e Kosovës, nga të cilat KAS-i është një prej qëllimeve kryesore.

“Dje (e enjte) i kemi dërguar mesazh të qartë BE-së se afati i tyre që ia ka dhënë Prishtinës për ta formuar AKS-në kalon pas 3 muaj e gjysmë. Një prej parakushteve është që Prishtina t’i ndryshojë ligjet dhe ta harmonizoj kornizën me atë që është arritur në Bruksel”.

Në anën tjetër, Organi i Përkohshëm i Komunës Paralele të Mitrovicës ka shpallur konkurs për 20 banesa, 12 për çifte të rinjsh serbë dhe 8 banesa për familje serbe që nuk kanë zgjidhur problemin e banimit. Këto banesa ndodhen në “Lagjen e Boshnjakëve”, ku ndodhen edhe 12 soliterë që Serbia i ka ndërtuar dhe i ka populluar me serbë, pa qenë asnjëherë banor të asaj pjese. Për ndërtimin e dy ndërtesave në “Lagjen e Boshnjakëve”, sipas Zyrës Serbe për Kosovën, qeveria e Serbisë ka investuar 64 milionë dinarë (582 mijë euro), ndërsa për ndërtimin e një fabrike të birrës përbrenda Kishës së Banjskës ku ndodhet edhe qendra rehabilituese, qeveria e Serbisë ka investuar 25 milionë dinarë ose 228 mijë euro.