Qehaja për ushtrinë: T’i bindim ndërkombëtarët, s’kemi më kohë

Aktuale April 19, 2018 - 17:51
Lexo detajet

Eksperti i sigurisë Ramadan Qehaja formimin e ushtrisë e ka parë si një vonesë të madhe duke konsideruar që kjo punë duhej të kryhej para tre vjetëve.

Sipas tij, nëse Lista Serbe nuk e voton transformimin e FSK-së në ushtri atëherë ka mundësi që FSK-ja të mbetet e tillë dhe të bëhet vetëm një ndryshim ligjor.

“Beogradi zyrtar ka vendosur që të mos lejojë Listën Serbe ta votojë këtë ndryshim kushtetues, atëherë ne duhet të marrim masa tjera”, ka thënë Qehaja për “Zërin”.

Tutje Qehaja ka folur edhe për mundësinë e ndryshimeve ligjore për formimin e ushtrisë. Ai ka bërë thirrje që kjo çështje të mos zvarritet më tutje. Kosova siç tha ai duhet t’i bindë partnerët ndërkombëtarë që vendi ka nevojë për ushtri.

Në anën tjetër njohësi i çështjeve të sigurisë Naim Maloku ka pak shpresa që Qeveria mund të bëjë ndonjë hap përpara sa i përket transformimit të FSK-së, pasi s’mund të bëhet asgjë pa miratimin e NATO-s, të cilët kërkojnë ndryshime kushtetuese.

“Nuk do të kryhet kjo punë dhe nuk shoh mënyrë se si do të bëhet transformimi i FSK-së, nuk kanë buxhet. NATO-ja dhe bashkësia ndërkombëtare kërkon që ushtria të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese. Qeveria s’mund ta transformojë FSK-në në ushtri pa lejen e NATO-s. Pra, nuk e dimë se si po dëshiron Qeveria që ta bëjë ushtrinë”, ka thënë ai për “Zërin”. /Zëri/