Fabrizi: Kosova, kushti kryesor i Serbisë për t'u anëtarësuar në BE

Aktuale April 18, 2018 - 18:29
Kjo është kërkesa e Bashkimit Evropian për Serbinë

Ky dhe viti i ardhshëm janë vendimtar për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

Kështu ka thënë sot shefi i delegacionit të BE-së në Serbi, Sem Fabrizi, duke shtuar se rruga e Serbisë drejtë BE-së është veçse realitet.

Duke folur për raportin e Komisionit Evropian mbi përparimin e Serbisë drejt BE-së, Fabrizi tha se është vërejtur se qeveria serbe ishte e angazhuar për rrugën e saj evropiane, shkruan “Vesti”, transmeton “Zeri.info”.

“ Është bërë përparim në fushat kyçe, si në sundimin e ligjit, në fushën e gjyqësorit si dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka thënë Fabrizi në konferencën e përbashkët me ministren serbe të Integrimeve Evropiane, Jadranka Joksimoviq.

Më tutje, Fabrizi ka thënë se ka përparim në lirinë e shprehjes, por që ka vlerësuar se qeveria serbe duhet ta trajtojë më seriozisht këtë çështje, pasi që siç shprehet ai, liria e shprehjes është një nga vlerat themelore të BE-së, përcjell “Zeri.info”.

Fabrizi tha se në këtë raport po ashtu është bërë e ditur se Serbia ka pasur rol pozitiv shumë të rëndësishëm në bashkëpubim rajonal, e që sipas tij, kjo është edhe një çështje tjetër mjaftë e rëndësishme për shtetin serb.

“Dialogu me Prishtinën është një element kyç dhe raporti arriti në përfundimin se Serbia duhet të jetë edhe më e angazhuar në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme", tha Fabrizi, transmeton “Zeri.info”.

Kreu i delegacionit të BE-së tha se ka pasur përparim të mirë në fushën ekonomike, veçanërisht kur është fjala për arritjen e rezultateve fiskale dhe se gjithashtu është vërejtur se Serbia ka një suficit buxhetor.

“Rritja ekonomike në periudhën raportuese ka qenë 1.9 për qind, por bazat e sistemit janë të forta dhe ka shanset që ajo do të rritet në vitet e ardhshme”, deklaroi më tutje Fabrizi, i cili shtoi se, kjo rritje është bërë për shkak të eksporteve dhe investimeve të huaja, dhe se mjedisi i biznesit është përmirësuar, transmeton “Zeri.info”.

Duke deklaruar se BE-ja është partneri më i madh tregtar i Serbisë dhe donatori i parë, ai tha se në gjashtë vitet e ardhshme Serbia morri 1.5 miliardë grante.

Shefi i delegacionit të BE-së në Serbi tha se përfaqësuesja e BE-së, Federica Mogherini do të qëndrojë në Beograd të enjten dhe ka thënë se kjo vizitë ka për qëllim të nxjerrë në pah rrugën evropiane të Serbisë.

Po ashtu Fabrizi, tha sot në Beograd në fund të muajit do të qëndrojë edhe presidenti i Këshillit të Evropës, Donald Tusk, i cili do të bisedojë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, për samitin që do të mbahet më 17 maj në Sofje. /ZËRI