Rakiq: Një herë ta ndajmë Suhadollin, për urë ka kohë

Aktuale April 13, 2018 - 13:11

Kryetari i Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, nëpërmes të një komunikate për medie, ka thënë se ura mbi lumin Ibër, për revitalizimin e të cilës BE-ja ka investuar mbi 1 milion euro, nuk mund të hapet për qarkullim të automjeteve dhe të njerëzve, pa u pajtuar të dy palët dhe pa u zgjidhur problemi i definimit të kufirit të dy komunave të Mitrovicës, raporton "Zëri.info". 

Kryetari i Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, vazhdon ta kundërshtojë hapjen e urës kryesore të Ibrit për qarkullim të automjeteve dhe për këmbësorë ashtu siç është arritur me Marrëveshjen e Brukselit.

Rakiq, i cili disa herë ka urdhëruar ndërprerjen e punimeve në revitalizimin e rrugës “Mbreti Peter” për ta shndërruar në zonë të këmbësorëve dhe revitalizimin e urës në pjesën veriore, për të cilat BE-ja ka investuar mbi 3 milionë euro, tani insiston që ura të mos hapet derisa të zgjidhet, siç ka thenë ai “problem i ndarjes së Suahdollit, paraprakisht dhe definimi i kufirit në mes të dy komunave të Mitrovicës”, raporton tutje "Zëri.info". 

Ende pa u definuar kufiri në mes të Mitrovicës së veriut dhe Mitrovicës së jugut, Rakiq kërkon që Suhadolli, pjesa e banuar me serbë të ndahet me një vijë ndarëse nga pjesa e banuar me shqiptarë.

Sipas tij, rreth 20 shtëpi serbe të Suhadollit duhet t’i takojnë Mitrovicës së veriut dhe për këtë ide të tij ai i ka marrë zgjedhjet e fundit për pushtetin lokal, kur KQZ-ja ka ndarë serbët nga shqiptarët dhe i ka vendosur në lista të ndara të votuesve, shqiptarët me jugun e Mitrovicës e serbët me veriun.

Kjo mënyrë e ndarjes së votuesve të Suhadollit u ka pëlqyer tej mase serbëve të veriut, të cilët tani e marrin se punë të kryer që ata edhe me territor i takojnë komunës veriore të Mitrovicës.

Rakiq ka thenë se për ta hapur urën kryesore të Ibrit për automjete dhe për këmbësorë ende nuk janë krijuar kushte të sigurisë dhe se për ta normalizuar gjendjen duhet ende të punohet dhe që organizmat e sigurisë, siç janë KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës duhet ta shtojnë praninë e tyre në terren, për të siguruar qytetarët. Rakiq, nëpërmes të një komunikate dërguar medieve lokale serbe në veri të Mitrovicës ka ripërseritur se hapja e urës nuk përkon me marrëveshjen që është arritur në Bruksel.

“Deklaratat e zyrtarëve të BE-së për hapje të urës nuk janë të bazuar në atë që jemi marrë vesh në Bruksel si dhe nuk është vlerësuar situate reale në terren. Them para së gjithash se ana jonë është duke punuar në zbatimin e marrëveshjes, por deri të zbatimi i plotë i marrëveshjes për urën nuk mund të vie pa pjesën e marrëveshjes për vijen ndarëse të Suhadollit. Dua t’ia përkujtojë Kociançiqit se herën e fundit, përfaqësuesi i BE-së në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës në mënyrë eksplicite ka thenë se çështja e urës dhe çështja e kufirit në mes Mitrovicës së veriut dhe asaj të jugut duhet të zgjidhen përnjëherë (në pako).

Gjithashtu, përfaqësuesi i BE-së ka qenë i pajtimit edhe me atë që ura të hapet atëherë kur të pajtohen të dija palët, e jo atëherë kur të kërkojë njëra palë”, ka thenë Rakiq, të premtën, raporton "Zëri.info". 

Ai ka ripërseritur se është shumë i rëndësishëm aspekti i sigurisë, për shkak të të cilit edhe çështja e urës ka mbetur temë e dialogut në Bruksel. “Unë tani për tani nuk shoh se janë krijuar kushte të sigurisë dhe as kushte tjera që ura të hapet për qarkullim të automjeteve dhe të njerëzve”, ka përfunduar ai.

BE-ja, nëpëmes të zëdhënëses, Maja Kocijançiq, ka kërkuar që të zbatohet marrëveshja për rihapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë. Maja Kocijançiq, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka thenë se BE-ja pret edhe kësaj radhe që marrëveshja për urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë të zbatohet plotësisht pa pasur shtyrje, apo vonesa të tjera, pasi që ajo i kondtirubon lirisë së lëvizjës, takimit të njerëzve dhe përfundimisht pajtimin, kud to përfitonin të gjithë qytetarët e pjesës jugore dhe veriore të Mitrovicës.

Ndryshe, dy projektet e financuara nga Bashkimi Evropian, njëri për revitalizimin e urës kryesore në Mitrovicë që ka koston prej 1 milion e 45 mijë euro dhe ai për revitalizimin e rrugës “Mbreti Peter” në veri, që ka koston prej 2.1 milionë euro, kanë filluar të realizohen në vitin 2016. Marrëveshja është arritur me 25 gusht 2015 në Brukselit, në mes të Prishtinës dhe Beogradit./Zeri.