Raporti i KE-së për Kosovën, shpresëdhënës për këtë vit

Aktuale April 12, 2018 - 14:55
Lexo detajet

Njohësit e çështjeve të integrimeve evropiane presin që “Raporti i Progresit për Kosovën” këtë vit , të jetë më i qartë sa i përket rrugës së Kosovës drejt BE-së , më pozitiv në fushën e ekonomisë dhe sigurisë.

Derisa shprehin drojë se Kosova sërish do të kritikohet për mos bërje mjaftueshëm në luftën kundër krimit e korrupsionit. Raporti i Progresit për Kosovën do të publikohet të martën e javës së ardhshme.

Njohësit e proceseve integruese presin që këtë vit “Raporti i Progresit për Kosovën” i cili do të publikohet më 17 prill nga Komisioni Evropian, të jetë më shpresëdhënës, pikërisht në rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së. Profesori i Shkencave Politike në Francë, Nezir Kraki, pret që “raporti” fokusin do ta ketë te marrëveshjet Kosovë-Serbi , normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i marrëveshjeve. 

 “Pres që ky raport të reflektojë normalisht që  t’i tregojë edhe të metat, për të mos thënë dështimet e marrëveshjeve me Serbinë në disa aspekte të dialogut që është zhvilluar në Bruksel. Por, do t’i vë edhe të arriturat, stabilitetin në nivel të Kosovës, në nivel rajonal dhe njëfarë lidhshmërie ekonomike apo funksionim relativisht të qetë sa i përket raporteve ekonomike, shkëmbimeve tregtare, lëvizjes së njerëzve dhe një perspektivë pak më të afërt për integrim”, tha  Kraki.

Ai më tej thotë se “raporti” do të identifikojë edhe telashet që ka Kosova në sistemin e drejtësisë.

“Korrupsioni si një lloj gangrene në shoqërinë dhe në funksionimin shtetëror të Kosovës, duke mos pasur prova për dënime apo për vënien para drejtësisë të njerëzve të akuzuar apo dyshuar. Pra, nuk është që ka parë opinioni në këtë vitin e fundit që një dosje është dërguar deri në fund” , shtoi Kraki.

Në këtë opinion bashkohet edhe Jehona Lushaku, profesoreshë në Fakultetin Filozofik. Ajo shpjegon se kapitulli i cili flet për kriteret politike, mund të   ketë vërejtje posaçërisht në ndarjen apo respektimin e pushteteve, sundimin e ligjit,  mos- respektimin e rregullave të demokracisë.

 “ Disa raporte ndërkombëtare  që kanë matur luftën kundër korrupsionit, kanë shënuar një ngritje të lehtë të Kosovës në luftën kundër korrupsionit. Por, sa i përket rasteve të veçanta dhe profileve të larta është shënuar mos-arritje, prandaj, unë pres se do të ketë vërejtje edhe për këtë gjë”, tha Lushaku.

Ndërkaq,ministrja e Integrimeve, Dhurata Hoxha, nuk është shprehur e gatshme të bashkëpunojë me Radio Kosovën.

Ditë më parë ajo deklaroi për portalin “Lajmi” se raporti do të jetë gjithëpërfshirës dhe çështjet që kanë të bëjnë me liberalizmin e vizave do të mbulohen.

Ndryshe,  ky raport do të vlerësojë punën e institucioneve të Kosovës deri në shkurt të vitit 2018, prandaj  ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi, që ka ndodh në muajin mars, e që ka qenë njëri prej kritereve kyç për liberalizmin e vizave, nuk pritet të jetë pjesë e vlerësimit të tij. /Rtk/