Lista Serbe edhe në pushtet, edhe në opozitë!

Aktuale April 12, 2018 - 07:49
Lexoni më shumë detaje dhe mësojeni se çfarë po ndodh me ministrat dhe deputetët e Listës Serbe

Ministrat nga Lista Serbe në Qeverinë e Kosovës po vazhdojnë t’i kryejnë detyrat e tyre, ndërkohë që deputetët e këtij subjekti politik kanë kaluar në ulëset e opozitës. Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se nuk i ka pranuar dorëheqjet e ministrave serbë dhe se pret kthimin e plotë të Listës Serbe në pushtet, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Ani pse Lista Serbe ka deklaruar se është larguar nga koalicioni qeverisës dhe që nga ajo kohë deputetët serbë janë radhitur në ulëset e opozitës në Kuvend, ministrat serbë në Qeverinë e Kosovës janë duke e kryer detyrën e tyre, megjithëse nuk po marrin pjesë në mbledhjet e ekzekutivit.

Kështu zëvendëskryeministri dhe ministri për Kthim e Komunitete Dalibor Jevtiq, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal Ivan Teodosijeviq, dhe Nenad Rikalo ministër i Bujqësisë, i Pylltarisë dhe i Zhvillimit Rural, po vazhdojnë të kryejnë detyrën në këto dikastere qeveritare, shkruan më tutje gazeta "Zëri".

Kjo është konfirmuar dje nga kryeministri Ramush Haradinaj, i cili tha se ministrit serbë vazhdojnë të qëndrojnë në krye të detyrës pasi ai nuk e ka pranuar dorëheqjen e tyre.

Kurse njohësit e çështjeve politike këtë veprim të Listës Serbe e shohin si një lëvizje strategjike në këmbim të plotësimit të kushteve.

Ata thonë se Lista Serbe në këtë mënyrë po i shfrytëzon pozitat udhëheqëse në Qeveri, ndërkohë që në Kuvend koalicioni qeverisës s’mund të llogarisë në votat e tyre.

Haradinaj: Nuk i pranova dorëheqjet e ministrave serbë

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj gjatë ditës së djeshme ka deklaruar se ndonëse ka pasur një dialog me Listën Serbe për kthimin e tyre në koalicionin qeverisës, por ky dialog nuk ka dhënë rezultate.

“Me Listën Serbe kemi pasur një prezantim të dorëheqjes në takim të Qeverisë, pra është kumtuar formalisht. Unë nuk e kam pranuar këtë, kam kërkuar një dialog me ta mirëpo ky dialog nuk ka dhënë rezultate. Ende jemi në dialogim e sipër”, tha ai. 

Ai ka thënë se ministrat e Listës Serbe që udhëheqin me tri dikastere vazhdojnë të kryejnë detyrat e tyre, pasi Qeveria nuk ka pranuar dorëheqjen e tyre dhe kjo ua mundëson atyre që të qëndrojnë në detyrë.

“Ata kanë paraqitur dorëheqjen, unë s’e kam pranuar. Në momente të caktuara i janë përgjigjur ftesës për detyra të caktuara, por nuk janë aktivë ashtu në Qeveri dhe mospranimi i dorëheqjes ka mundësuar vazhdimin e komunikimit me ta dhe mundësinë që kohë pas kohe të jenë në detyrë. Mirëpo, formalisht nuk janë thyer në Qeveri ende”, ka thënë Haradinaj.

Analistët: Lista Serbe po përfiton nga shteti

Artan Murati, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se Lista Serbe është në pozicion që të bëjë lojëra të tilla politike, madje edhe ta shantazhojë koalicionin qeverisës duke qenë se koalicioni ka nevojë për numrat e Listës Serbe.

“Nëse koalicioni qeverisës nuk arrin të llogaritë në votat e deputetëve të Listës Serbe që janë në Kuvend edhe nëse do të ketë çështje të cilat do të hidhen në votim dhe Lista Serbe do të rreshtohet përkrah opozitës dhe nuk do ta përkrahë koalicionin qeverisës, atëherë kjo shumë pak ka rëndësi se a kanë dalë zyrtarisht nga koalicioni ose jo, sepse janë votat që kanë rëndësi e koalicioni tani për tani nuk llogarit në votat e tyre”.

Ndërkaq për ministrat e Listës Serbe që po vazhdojnë udhëheqjen e tri dikastereve, Murati tha se kjo i konvenon Listës Serbe për shkak të pagave dhe të përfitimeve që marrin.

“E sa i përket pjesëmarrjes së ministrave ata do të vazhdojnë të marrin pjesë për shkak se kanë benefite prej këtyre pjesëmarrjeve edhe në mbledhje të Qeverisë, edhe me qëndrimin në Qeveri për faktin se edhe paguhen, edhe kanë benefite të llojeve të ndryshme dhe janë në një pozicion ku mund të bëjnë kalkulime politike. Mund të kërkohet diçka nga Qeveria për ta kushtëzuar kthimin e tyre apo edhe të vazhdojnë me veprime qe i kemi parë edhe në të kaluarën ku gati 6 muaj nuk patën marrë pjesë në jetën parlamentare”, tha ai.  

Sipas Muratit, këtu faji për shkak të negocimeve që bëhen nga koalicionet qeverisëse ku subjektet politike po e lënë veten të jenë të varura edhe prej një grupi të vogël të deputetëve, siç është grupi i Listës Serbe.

Ndërsa njohësi i çështjeve politike Mazllum Baraliu ka thënë se largimi i Listës Serbe është politik dhe se ky subjekt po pret presionin ndërkombëtar që kjo të qëndrojë në Qeveri, duke qenë se Bashkësia Ndërkombëtare nuk është e interesuar për ngërçe politike e zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Largimi i tyre është largim politik, ndërkaq nga Qeveria dorëheqjet nuk i kanë dhënë ata sepse duan të përfitojnë paga dhe ndonjë ditë edhe mbase presin që të shihet versioni ndërkombëtar për Listën Serbe dhe për Beogradin që të mos largohet sepse bashkësia ndërkombëtare është shumë e interesuar që të vazhdojë kjo Qeveri sepse e di se çfarë pasoja do të shkaktonte vendimi për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë dhe shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme”.

Baraliu tha se vendimi nga Beogradi për largimin e Listës Serbe është një gjendje mes veprimit politik dhe atij praktik të ministrave që janë në Qeveri.