Rrëzimi i Qeverisë, në dorë të koalicionit

Aktuale April 10, 2018 - 07:46
Ja kush po e kërkon rrëzimin e qeverisë ''Haradinaj''

Lidhja Demokratike e Kosovës po e kërkon rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”, megjithatë një gjë e tillë vlerësohet se nuk mund të ndodhë pa mbështetjen e partnerëve të koalicionit, veçanërisht të PDK-së, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Ndonëse LDK-ja ka paralajmëruar se gjatë kësaj jave do t’i nisë procedurat për ngritjen e mocionit për rrëzimin e Qeverisë, një gjë të tillë nuk do të mundë ta bëjë pa mbështetjen e partive të koalicionit, veçanërisht të PDK-së.

Kështu konsiderojnë njohësit e çështjeve politike, të cilët thonë se pjesa tjetër e opozitës aktualisht nuk ka synim të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Nga ana tjetër, përderisa lëvizja “Vetëvendosje” tashmë ka njoftuar se nuk do ta mbështesë LDK-në në të tilla iniciativa, nga Grupi i Deputetëve të Pavarur (GDP) kanë thënë se fillimisht do ta shohin se ç’përmban mocioni e tek pastaj do të vendosin se si do të veprojnë, shkruan më tutje "Zëri".

Megjithatë, përfaqësuesit e GDP-së kanë ritheksuar se do ta ndihmojnë Qeverinë për kalimin e ligjeve që janë në të mirë të vendit.

Ndërkaq pavarësisht paralajmërimeve për rrëzim të Qeverisë, nga koalicioni shprehen të vendosur se do të vazhdojnë të funksionojnë edhe më tutje.

Sipas tyre, LDK-ja nuk i ka votat për ta realizuar synimin e saj.

Xhelili: Jemi të gatshëm për zgjedhje

Deputeti i PDK-së Fatmir Xhelili ka thënë se ky subjekt është i gatshëm që të shkojë në zgjedhje, porse është shprehur skeptik nëse një gjë e tillë do të ndodhë.

“PDK-ja është e gatshme edhe që të shkojë në zgjedhje. E kemi strukturën organizative të mirë dhe edhe ashtu jemi në procesin e zgjedhjeve të brendshme. Për ne nuk është pengesë as shkuarja në zgjedhje, ani pse unë nuk pres që gjërat të shkojnë deri në atë masë”, ka deklaruar ai.

Sa i përket paralajmërimit të LDK-së për ngritje të mocionit, Xhelili ka vlerësuar se as LDK-ja vetë nuk është e përgatitur për zgjedhje.

I pyetur nëse PDK-ja do ta votojë këtë mocion në rast se ngrihet (ashtu siç kishte bërë vitin e kaluar), Xhelili ka thënë se atë kohë kishte arsye që Qeveria të rrëzohej.

“Atëherë ka qenë arsyeja Demarkacioni dhe pamundësia e marrjes së vendimeve të mëdha. Demarkacioni ka qenë arsyeja që ka determinuar që të prishet koalicioni, jo gjëra të tjera. Tash nuk është situata e tillë”, ka nënvizuar ai.

Gaxherri: Nëse s’ka dakordim për datën e zgjedhjeve do ta nisim mocionin

Ndërkaq deputetja e LDK-së Besa Gaxherri ka deklaruar se LDK-ja u ka bërë thirrje të gjitha partive politike që të ulen dhe të vendosin për një datë për zgjedhje të parakohshme.

Por, në rast se partitë politike nuk binden rreth kësaj Gaxherri ka thënë se do të fillohet me ngritjen e mocionit për rrëzimin e Qeverisë.

“LDK-ja publikisht është deklaruar se i fton të gjitha partitë politike të ulen në një tryezë dhe të vendosin për datën e zgjedhjeve, duke vendosur para zgjedhjeve disa tema që janë me rëndësi të veçantë për vendin. Në qoftë se partitë politike nuk binden që të ulen në tryezë dhe të vendosin për çështjet e rëndësishme për vendin, të vendosin për datën e zgjedhjeve, atëherë do të nisim mocionin, do të fillojmë t’i mbledhim nënshkrimet”, ka deklaruar Gaxherri për “Zërin”.

Ajo me këtë rast ka thënë se fillimisht do të shikohet nëse pjesa tjetër e opozitës është e gatshme t’i bashkohet kësaj nisme, kurse ka njoftuar se do të bëhet përpjekje që Lista Serbe të mos përfshihet fare në këtë mes.

Kadriaj: Nuk e kemi luksin të shkojmë në zgjedhje

Megjithatë, deputetja e AAK-së Time Kadriaj është shprehur e vendosur se vendi nuk do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Nuk e kemi luksin si shtet të shkojmë në zgjedhje. Po t’i kishte pasur LDK-ja numrat kjo qeveri nuk do të ishte formuar fare. Unë nuk mendoj që do të ketë zgjedhje, s’do t’i kenë numrat për ndonjë mocion për rrëzimin e Qeverisë aktuale, kjo është fushatë zgjedhore që po e bën LDK-ja”, ka theksuar Kadriaj.

E pavarësisht se koalicioni tashmë është duke funksionuar me vetëm 53 deputetë, Kadriaj është shprehur optimiste se Qeveria do të ketë përkrahje nga deputetët e opozitës.

Baftiu: Do t’i votojmë ligjet që janë në të mirë të qytetarëve

Në anën tjetër deputetja e Grupit të Deputetëve të Pavarur (GDP), Besa Baftiu, ka bërë të ditur se ky grup parlamentar do ta ndihmojë Qeverinë për kalimin e ligjeve që janë në të mirë të vendit.

“Ne do t’i votojmë ligjet që janë në të mirë të qytetarëve të Kosovës. Nëse kjo qeveri sjell ligje që janë në të mirë të qytetarëve unë prapë do ta jap votën kurdo që ka nevojë për t’i votuar ligjet, edhe pse qeveria ‘Haradinaj’ nuk i ka numrat”, ka thënë ajo. 

Sa i takon mocionit të paralajmëruar nga LDK-ja, Baftiu ka thënë se ai fillimisht do të shihet dhe do të analizohet.

“E kemi dëgjuar nga mediet, por paraprakisht ne duhet ta shohim dhe ta diskutojmë në grup. Ne nuk kemi parë diçka që është proceduar në këtë drejtim, vetëm që është dëgjuar përmes lajmeve se do të fillojë”, ka shtuar ajo.

Tahiri: Mocioni varet sërish nga PDK-ja

Kurse politologu Ramush Tahiri ka konsideruar se nisma e LDK-së për rrëzim të Qeverisë nuk mund të realizohet po që se nuk gjen përkrahje.

“LDK-ja ka 27 deputetë, që ta plotësojë kushtin për ta marrë iniciativën i duhen 1/3 e deputetëve, kurse 61 deputetë i nevojiten për ta rrëzuar Qeverinë. Domethënë, iniciativa e saj nuk mund të jetë valide sepse nuk i kalon as 30 deputetë nëse nuk e ka përkrahjen e LS-së, LVV-së ose të GDP-së”, është shprehur ai.

Gjatë analizës së tij Tahiri ka thënë se “topi” për rrëzimin e Qeverisë është te partnerët e koalicionit, gjegjësisht te PDK-ja.

“Siç po shihet, prapë varet prej PDK-së se si të përcaktohet ajo: a do që ta vazhdojë koalicionin apo ta çojë vendin në zgjedhje. Kur Nisma e mori iniciativën PDK-ja ia dha përkrahjen dhe u rrëzua qeveria e Isa Mustafës. Presim që Haradinaj ta mbajë fjalën dhe t’i bashkëngjitet LDK-së, pasi u deklarua se LDK-ja i ka votat e AAK-së nëse e nis këtë iniciativë, pastaj të shihet se a po bëhen megjithatë numrat e nevojshëm prej 61 votash për t’u rrëzuar Qeveria”, ka përfunduar ai.