Veseli: Beteja e Koshares shembi përgjithmonë kufirin e dhunshëm

Aktuale April 09, 2018 - 11:33
Edhe Kadri Veseli kujton betejën e Koshares

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka kujtuar betejën e Koshares, e cila para 19 vjetëve arriti të shemb kufirin e dhunshëm ndërmjet shqiptarëve.

"Në ato ditë të lavdishme, “Brigada 138 Agim Ramadani” kishte përpara një detyrë të veçantë historike: shembjen e kufirit të dhunshëm, që për gati një shekull e ndau në dysh kombin tonë", ka shkruar ndër të tjera Veseli në profilin e tij zyrtar në rrjetin social "Facebook". 

Statusi i plotë i Veselit:

Sot nderojmë dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të “Brigadës 138 Agim Ramadani”.

19 vjet më parë, nga Kosharja e deri në malet e Shalës, nga Maja e Pashtrikut e deri në Bjeshkët e Kaçanikut, UÇK luftonte me vendosmëri përballë makinerisë gjenocidale të Serbisë.

Në ato ditë të lavdishme, “Brigada 138 Agim Ramadani” kishte përpara një detyrë të veçantë historike: shembjen e kufirit të dhunshëm, që për gati një shekull e ndau në dysh kombin tonë.

Për dy muaj rresht, betejë pas beteje, nga të gjitha trevat shqiptare, ranë qindra luftëtarë të lirisë.

Qindra të tjerë morën plagë, e shumë humbën gjymtyrët e trupit. Por, ëndrrën e Kosovës e bënë realitet.

Lavdi dëshmorëve të Koshares dhe gjithë dëshmorëve të lirisë.