Mblidhet kryesia e AKR-së pas zhvillimeve të fundit në Qeveri

Aktuale April 05, 2018 - 18:30
Ja çfarë po diskutohet

Aleanca Kosova e Re ka mbledhur Kryesinë për të diskutuar, ndër të tjera, edhe për atë se kush do të jetë Ministri i ri i Punëve të Brendshme të Kosovës, pasi Flamur Sefaj ka dhënë tashmë dorëheqje.

Nënkryetari i kësaj partie, Fatmir Matoshi, ka treguar se akoma nuk është vendosur për një gjë të tillë.

“Nuk kemi marrë ende vendime. Mbledhja ka filluar para pak minutash, me një vonesë prej 10 minutash”, ka thënë Matoshi për Klan Kosovën.

Matoshi ka komentuar edhe përfoljen e Florian Qehajës që vjen nga shoqëria civile si emër të mundshëm për të marrë postin e Ministrit të Punëve të Brendshme.

“AKR i ka dyert e hapura për njerëz të rinj, sidomos për ata që vijnë nga shoqëria civile, u krijojmë gjithmonë hapësirë. Sa i përket Florian Qehajës, kemi pasur një deklaratë të presidentit të AKR-së, Behgjet Pacolli, që e ka cilësuar si spekulim mediatik”, u shpreh ai.

“AKR brenda strukturave të saj, organeve të saj, ka mjaft shumë kandidatë që mund të jenë ministra të suksesshëm, ashtu si ka funksionuar dhe vepruar ndershëm edhe ish-Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj”.