Katër deputetë po hetohen për korrupsion

Aktuale April 05, 2018 - 08:01
Flet për ''Zërin'', kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë se katër deputetë të Kuvendit të Kosovës janë duke u hetuar aktualisht për korrupsion. Beka ka treguar se për korrupsion po ashtu janë duke u hetuar edhe ministra, zëvendësministra, kryetar komunash, por edhe zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit

Imer Beka, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ka thënë se gjykatat e Kosovës janë fajtore për hedhje poshtë të aktakuzave të ngritura nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, por edhe nga prokuroritë e tjera në të gjithë vendin.

Gjatë një interviste për gazetën Zëri ai nuk e ka përjashtuar mundësinë kur persona të caktuar kanë tentuar të fillojnë hetime apo edhe të ngritin aktakuza për motive politike.

LEXO EDHE: Të gjithë pro zgjedhjeve, GDP-ja kundër

I pari i Prokurorisë së Prishtinës ka bërë të ditur se katër deputetë të Kuvendit të Kosovës po hetohen për korrupsion, por s’ka përmendur emra me arsyetimin se mund të dëmtohen hetimet.

Sipas tij, “nën llupën” e Prokurorisë si të dyshuar për korrupsion ka edhe ministra, zëvendësministra, kryetarë komunash, etj.

Zëri: Luftimi i korrupsionit tashmë është kushti kryesor për liberalizim të vizave. Sa është e gatshme Prokuroria për ta plotësuar këtë kusht?

Beka: Prej momentit kur kanë mbetur si kusht për liberalizimin e vizave vetëm lëndët ekonomike të korrupsionit, ne si prokurori, por edhe Prokuroria e Shtetit, jemi mobilizuar dhe kemi bërë disa takime. Në ato takime është kërkuar që t’u jepet edhe më shumë prioritet lëndëve të krimeve ekonomike e posaçërisht korrupsionit. Kemi pasur takime me Policinë e Kosovës, me Administratën Tatimore, Doganën e Kosovës dhe me Agjencinë Kundër Korrupsionit. Prej vitit 2015 kryeprokurori i Shtetit ka themeluar një njësi, e cila punon vetëm lëndët e krimeve ekonomike dhe të korrupsionit, ky njësit operon vetëm në kuadër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, pasi që 99 për qind të lëndëve të korrupsionit janë te ne. Ky ekip ka punuar, kemi pasur edhe afatet, këtu ka qenë e angazhuar edhe Ambasada Amerikane dhe Angleze, që na kanë mbështetur shumë në këto lëndë. Ne meqenëse i kemi pasur të ndara kategoritë, deri kur, sa lëndë etj., tani kemi ardhur në përfundim që lëndët e vjetra tashmë i kemi përfunduar, kështu që e kemi afatin deri në qershor.

Zëri: Sa besoni që do të arrini t’i përfundoni lëndët e korrupsionit në kohën e caktuar?

Beka: Ne i bëjmë raport obligativ Këshillit Prokurorial të Kosovës çdo tre muaj, mirëpo pasi e kemi këtë natyrë të lëndëve për interes, sepse e dimë rëndësinë e tyre, ne po bëjmë statistika çdo muaj e shumë shpejt do të bëjmë çdo javë. Në tremujorin e fundit të vitit të kaluar e kemi raportuar në Këshillin Prokurorial të Kosovës. Ata janë të kënaqur, pasi që këtë natyrë të lëndës mbi 100 për qind e kemi kryer, pra çdo prokuror ka punuar më shumë se që ka pasur obligim. E kemi marrë si aksion këtë natyrë të lëndëve për ta kryer, të mos thirret askush te ne se nuk është kryer kjo detyrë, që ka si objekt mundësinë e liberalizimit të vizave.

Nën hetime ministra, zëvendësministra e kryetar komunash

Zëri: Lëndët e vjetra, deri në cilin vit e keni fjalën?

Beka: Lëndët e vjetra njëherë i kemi pasur deri në vitin 2013, i kemi përfunduar, tash i kemi lëndët e vitit 2015, mirëpo besoj që tani jemi vetëm me lëndë të reja. Unë e kam mobilizuar njësitin edhe më shumë, jemi dy grupe të ndara, Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion në Krime të Rënda dhe Njësiti për Krime dhe Korrupsion në Departament të Përgjithshëm.

Zëri: Sa raste të rënda të korrupsionit në nivel të politikanëve apo të zyrtarëve të lartë të shtetit janë trajtuar gjatë vitit të kaluar dhe sa janë duke u trajtuar sivjet?

Beka: Sa i përket kompetencës lëndore ne i kemi ndarë me Prokurorinë Speciale. Në Prokurorinë Speciale në bazë të një udhëzimi që e kemi pasur nga prokurori i Shtetit hyjnë personalitetet me ndikim ose që kanë funksione të larta, kurse lëndët që janë me persona me më pak peshë janë në Prokurorinë Themelore. Por, nuk jemi kursyer as nga lëndët ku janë të përfshirë persona me ndikim, pasi Prokuroria Speciale na i ka kthyer gati të gjitha lëndët e kryetarëve të komunave, të deputetëve dhe ato jemi duke i punuar.

Zëri: A ka ndonjë deputet që jeni duke e hetuar aktualisht për korrupsion?

Imer Beka: Ka, por unë me emra nuk flas. Janë rreth 3 apo 4 deputetë që po hetohen nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, mirëpo nuk kam statistikë të veçantë veç për deputetë, kryetar komunash ose për ministra apo zëvendësministra.

Zëri: Këta zyrtarë janë duke u hetuar apo kanë aktakuza?

Beka: Këta zyrtarë janë duke u hetuar, ka lëndë të kryera, ka lëndë që gjykata veç i ka marrë.

206 lëndë të pakryera

Zëri: Sa është numri i lëndëve të korrupsionit në këtë Prokurori?

Beka: Mund të themi lirisht se në shkurt të këtij viti e që kjo është statistika e fundit që e kemi, lëndët e mbetura tek ne, ku përfshihen persona të njohur në dy departamentet (Krimet e Rënda dhe Krimet e Përgjithshme) i kemi 206 lëndë të pakryera. Në të gjitha këto lëndë janë të përfshirë zyrtarë shtetërorë, të cilët dyshohen se kanë manipuluar me pronën shoqërore ose me buxhetin e Kosovës. Këto 206 lëndë për neve mendoj që nuk janë shumë. Këto lëndë janë kryesisht lëndë të reja dhe të vitit të kaluar. Ka gjasa që numri i këtyre lëndëve të jetë zvogëluar gjatë muajit mars, pasi ende nuk i kemi marrë statistikat e këtij muaji. Kurse lëndët që ende nuk i dimë a janë penale apo jo i regjistrojmë me PPN të ndryshme derisa prokurori të bindet se ka të bëjë me vepër penale. Në punë i kemi 318 lëndë të tilla.

Zëri: Cilët janë zyrtarët e lartë shtetërorë që janë duke u hetuar aktualisht për afera të ndryshime korruptive?

Beka: Ka ministra, zëvendësministra, edhe pse ne i dërgojmë në Speciale ajo menjëherë po i kthen te ne, sepse kanë shumë lëndë dhe i kthejnë te ne prapë. Të gjitha këto raste kanë të bëjnë me shpërdorim të detyrës zyrtare. Kemi raste edhe të hedhjeve të kallëzimeve penale, sepse shpeshherë te këto pozita bëhen kallëzime penale me qëllime të tjera. Nuk ka natyrë penale, por bëhen me qëllim të shtyrjes së dikujt nga pozita, nxënies së vendit të punës, të degradimit të dikujt, ndoshta pa arsye, prandaj për këtë kam biseduar edhe me prokurorët që kur ka raste të tilla ne e kemi mundësinë t’i hedhim këto raste.

Zëri: Sa vlerësohet se është shuma e dëmit që me veprimet e tyre ata ia kanë shkaktuar shtetit të Kosovës?

Beka: Nuk e kemi atë vlerësim, mirëpo mund të them te Krimet Ekonomike, te kolegët e Krimeve të Përgjithshme, ne me fillimin e veprimeve tona ia kemi siguruar diku buxhetit të Kosovës rreth 8 milionë euro vetëm se kemi filluar para një viti e gjysmë t’i hetojmë dy kategori të qytetarëve.

Zëri: A po bëjnë prokurorët kërkesa për konfiskim të pasurisë së fituar në mënyrë të jashtëligjshme te rastet e korrupsionit?

Beka: E kanë obligative të bëjnë. Është një procedurë e komplikuar, një procedurë që zgjat, është një procedurë që është e lidhur me gjykatë, mirëpo prej anës sonë vazhdimisht shkojnë kërkesa për sekuestrim, për konfiskim më tutje.

Zëri: Sa lëndë të korrupsionit janë te prokurorët e EULEX-it apo i kanë bartur të gjitha tek ju?

Beka: Kohëve të fundit kanë filluar t’i bartin, ende nuk e kanë kryer procesin. Nuk kemi numër të saktë të lëndëve, mirëpo vazhdimisht janë duke ardhur. Shumica po shkojnë në Prokurorinë Speciale, e cila gjatë hetimit ndonjëherë e sheh që ne jemi kompetentë dhe i dërgon te ne. Mirëpo ende jemi në fazën kur ne pranojmë lëndë nga EULEX-i.

6 prokurorë në Krimet e Rënda

Zëri: Vazhdimisht jeni ankuar për numër të vogël të prokurorëve. Sa është numri i prokurorëve aktual në këtë prokurori?

Beka: Në Krime të Rënda ne i kemi gjashtë prokurorë, kemi qenë shtatë, mirëpo një prokuror e kanë avancuar në Prokurorinë Speciale dhe kemi mbetur gjashtë prokurorë. Kurse në Krime të Përgjithshme të natyrës korruptive janë tre prokurorë.

Zëri: A keni pasur rritje të numrit të prokurorëve gjatë vitit të kaluar dhe a mjafton ky numër i prokurorëve?

Imer Beka: Unë mendoj se mjafton. Ne kemi bërë kërkesë që të na plotësohet edhe prokurori që mungon, d.m.th. të bëhemi 7 prokurorë në Krime të Rënda, sepse kryesisht lëndët me karakter të korrupsionit janë në Krime të Rënda dhe në Krime të Përgjithshme e që janë mosdeklarimi i pasurisë ose deklarimi i rrejshëm i pasurisë. Tash mendoj që nëse plotësohet numri që Këshilli Prokurorial do të vendosë në bazë të kërkesës sonë, shtatë prokurorë në Krime të Rënda dhe tre, po bëhen dhjetë prokurorë që merren vetëm me këtë natyrë të lëndës.

Zëri: Deri ku kanë shkuar hetimet e Prokurorisë së Shtetit në lidhje me rastin e dy vdekjeve të cilësuara si të dyshimta në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, më 7 shtator të vitit të kaluar?

Imer Beka: Për këtë rast unë kam qenë vazhdimisht i angazhuar me prokurorin e rastit Valdet Gashin, është një prokuror që e ka udhëhequr mirë deri tash këtë proces të hetimeve. Kemi ardhur deri te përfundimi që ekspertizën ta bëjmë jo në Kosovë, sepse edhe mundësitë e vërtetimit të teknologjisë janë të tilla që nuk na kanë mundësuar, prandaj ne presim që Ministria e Drejtësisë të na japë mundësi dhe të na bëjë edhe pagesën dhe lënda të shkojë jashtë vendit.

Zëri: A keni vendosur në cilin shtet do të bëhet kjo ekspertizë?

Beka: Besoj që prokurori e di, mirëpo unë ende nuk kam marrë mendim prej tij se në cilin vend, por besoj që në shtetet perëndimore ku kanë mundësi teknologjike ta vërtetojnë cilësinë e gazit. Edhe pse ne këtu e kemi pasur të përfshirë edhe Ministrinë e Shëndetësisë. Unë e di se ky rast do të shkojë deri në fund dhe do të vërtetohet se a ka qenë me vlera të mira ky gaz, i cili ka qenë në QKUK.

Zëri: Tashmë dihet se në shumë raste që Prokuroria ka ngritur aktakuzë në fund ata persona nga Gjykata janë shpallur të pafajshëm. Si e shpjegoni këtë?

Imer Beka: Këtu defekti diku ekziston. Prokurorët nuk mund t’i quaj joprofesionalë, sepse tashmë disa prej tyre i kanë bërë 17 vjet përvojë pune në Prokurori. Unë besoj që duhet të ulen dy këshillat, Këshilli Prokurorial dhe ai Gjyqësor dhe të analizohen mirë këto defekte, sepse tek e fundit jashtë Kosovës shkojmë me një emër si drejtësia në Kosovë.

Zëri: A mendoni se ka aktakuza politike?

Imer Beka: Unë prejse jam kryeprokuror kur e kemi hetuar që ka qëllime politike nuk e kemi bërë aktakuzën. Kujdesemi shumë të mos bëjmë lojëra e të mos punojmë për dikë tjetër, nëse ata kanë pasur qëllime të tjera.

Zëri: A ka pasur tendenca të tilla te ju?

Beka: Ndoshta ka pasur, por ne nuk i kemi lejuar të bëhen edhe akuzat, kështu që shpeshherë ka raste kur hedhen aktakuzat, hedhen me arsye, përgjegjësinë e marrim ne për hedhje. Prokurori nuk mund të qortohet për hedhje, sepse vetë ligji e ka autorizuar, e kemi edhe Shkallën e Dytë. Kështu që unë mendoj që asnjë akuzë politike me dijen tonë nuk ka shkuar, se është bërë pa dije kam qejf ta di.

Zëri: Ka qenë Driton Gashi i akuzuar për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, mirëpo disa javë para se të vinte në pozitën e shefit të AKI-së prokurori i rastit është tërhequr nga akuza. Pse?

Beka: Ai ka qenë i akuzuar, mirëpo për natyrën e çështjes pse është akuzuar ai këtu mund ta shihni rolin e Prokurorisë. Kur e kemi shikuar mirë lëndën e kemi parë që ajo lëndë nuk ka bërë të ngrihet aktakuza, sepse nuk ka pasur asnjë element penal.

Zëri: Pse e ka ngritur prokurori aktakuzën atëherë?

Imer Beka: Sepse çështja ka qenë një ndërrim i vendit të punës, që ka autorizime administrative eprori i atij lloji, siç ka qenë sekretari permanent i asaj ministrie. Mua më ka habitur kur e kam parë se ka shkuar në gjyq ajo çështje. Po të ishte shikuar mirë ajo lëndë as nuk do të ishte ngritur aktakuza.

Zëri: Sipas jush, a duhet të ndëshkohen edhe prokurorët të cilit po ngrehin aktakuza pa fakte?

Beka: Ne e kemi prokurorin disiplinor, Zyrën e Prokurorit Disiplinor dhe kemi prokurorë në këtë proces. Sepse nuk është e mundur që gjatë gjithë kohës të mos ketë ndonjë lëshim nga prokurorët prandaj shkon verifikohet, shkon në Komision propozimi i prokurorit disiplinor dhe Komisioni e vlerëson a ka bazë ai prokuror të largohet, të dënohet dhe të ndëshkohet.

Zëri: Pse shumica e aktakuzave tuaja po hidhen ose edhe jepen dënime minimale. A është faji te prokurorët që nuk po arrijnë t’i mbrojnë mirë aktakuzat e tyre?

Beka: Nuk është problemi te prokurorët, por te gjykatat. Ne e kemi thënë disa herë se nuk jemi të kënaqur me masat e dënimit. Ne e kemi marrë një shembull të natyrës tjetër të lëndëve, ku kalojnë 85 për qind e aktakuzave. Të njëjtit prokurorë i punojnë, i njëjti nivel. Pse të kësaj natyre nuk kalojnë. Ne mendojmë që ndoshta mund të ushtrohet ndikimi diku tjetër. Ne e dërgojmë lëndën me aktakuzë, ne e konsiderojmë lëndën të kryer, pastaj e presim gjykimin, shqyrtimin gjyqësor dhe Gjykata e ka pastaj punën e saj. Por pse janë dënimet e ulëta dhe krejt liruese ne nuk i kemi fajet, ne mund të bëjmë vetëm ankesë dhe e marrim përgjegjësinë vetëm te ngritja e aktakuzës.

Zëri: Kryeprokuror, ju nuk po e përjashtoni mundësinë që gjykatat mund të jenë të ndikuara politikisht?

Beka: Ne e kemi bërë këtë krahasim kur lëndët e natyrës së krimeve ordinere të tjera na kalojnë 85 për qind apo 90 e lëndët e korrupsionit nuk na kalojnë, këtu diçka nuk është në rregull.