LDK-ja tërhiqet nga mocioni, kërkon zgjedhje

Aktuale April 04, 2018 - 08:02
Pas daljes së Listës Serbe koalicioni qeverisës i ka vetëm 53 vota në Kuvend.

Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së, ka thënë për “Zërin” se nuk planifikojnë rrëzimin e qeverisë “Haradinaj” nëpërmjet mocionit të votëbesimit në Kuvend, por kanë ftuar partitë politike të mblidhen sa më parë për ta caktuar datën e zgjedhjeve të parakohshme, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Nënkryetari i partisë më të madhe opozitare (LDK), Lutfi Haziri, ka bërë të ditur se nuk po planifikojnë të iniciojnë mocion votëbesimi për qeverinë “Haradinaj” në Kuvend pas zhvillimeve të fundit në vend, përkatësisht me arrestimin dhe deportimin e shefit të Zyrës Serbe për Kosovën Marko Gjuriq, njëjtë siç u veprua edhe me gjashtë gylenistët.

Pas daljes së Listës Serbe koalicioni qeverisës i ka vetëm 53 vota në Kuvend, duke mbetur kështu “Qeveri e pakicës”.

LEXO EDHE: Kuvendi në “gjumë”, 100 ligje në pritje

Megjithatë, Kryesia e LDK-së nëpërmjet një komunikate për shtyp dje ka vlerësuar se zgjedhjet e parakohshme janë të domosdoshme, me ç’rast kanë ftuar partitë politike të mblidhen sa më parë për ta caktuar datën e zgjedhjeve të parakohshme.

“S’ka iniciativë për mocion votëbesimi. Ne mocionin e kemi kërkuar para ndodhisë së Mitrovicës dhe të gylenistëve. Në këtë fazë jemi në vlerësimin e të gjitha angazhimeve politike të gjendjes që është shumë fragjile dhe pa stabilitet politik. Kështu që shumë shpejt ne dalim me qëndrime të tjera”, ka thënë Haziri për “Zërin.

Partia tjetër opozitare lëvizja “Vetëvendosje” kishte shprehur rezerva që LDK-ja do ta përkrahë mocionin e votëbesimit. Megjithatë, Haziri nuk ka dashur t’i komentojë deklaratat e zyrtarëve të partisë së Albin Kurtit.

“Është qëndrim i tyre, nuk ka të bëjë me ne. Qëndrimi i LDK-së është i qartë sa i përket kësaj qeverie të pakicës, sepse kështu ka qenë gjithmonë. Por, për shkak se duhen 61 vota ne jemi në çështjen e vlerësimeve të brendshme si parti”, ka përfunduar ai. 

PDK: Do të takohemi për të biseduar rreth koalicionit

Edhe në partinë më të madhe të koalicionit qeverisës (PDK) kanë deklaruar se pas zhvillimeve të fundit në vend do të takohen për të biseduar rreth funksionimit të institucioneve qendrore.

Blerta Deliu, deputete e PDK-së, ka deklaruar për “Zërin” se pas ngjarjeve të fundit (që rezultuan me largimin e Listës Serbe nga koalicioni) Grupi Parlamentar i kësaj partie do të mblidhet për të biseduar.

“Tash besoj që ditëve në vazhdim do të mblidhemi dhe do të diskutojmë, pra pas këtyre ndodhive pritet të mblidhet grupi parlamentar dhe do të bisedojmë”, ka thënë ajo.

Megjithatë, ajo beson që çështja e numrave në Kuvend do të zgjidhet dhe se opozita nuk ka gjasa ta rrëzojë qeverinë “Haradinaj”.

E pyetur për paralajmërimin e LDK-së për ngritjen e mocionit të mosbesimit Deliu ka thënë se nuk pret një gjë të tillë nga opozita. “Është çështje e opozitës, por nuk pres diçka të tillë”, është përgjigjur shkurt Deliu.  

AAK-ja e Nisma: Qeveria do të funksionojë për “merak”

Ndërkohë, AAK-ja e Nisma janë të mendimit që koalicionit qeverisës nuk do të ketë asnjë pengesë në Kuvend, ani pse ka mbetur vetëm me 53 vota.

Rasim Selmanaj, nga AAK-ja, ka thënë për “Zërin” se koalicioni qeverisës vazhdon të jetë stabil dhe se nuk frikësohen nga opozita që do të mundë ta ndryshojë situatën.

“Ne do të vazhdojmë punën dhe nuk kemi probleme. Koalicioni është stabil dhe thjesht opozita nuk i ka numrat për ta ndryshuar situatën. Opozita nuk i ka numrat për ta rrezuar Qeverinë”, ka thënë ai. 

Selmanaj konsideron që koalicioni do të vazhdojë të ketë funksionim normal në Kuvend.

Selmanaj ka shtuar se nuk është në dijeni nëse koalicioni po zhvillon bisedime me ndonjë nga partitë opozitare.

Ndërkohë ka përjashtuar edhe mundësinë e shkuarjes së vendit në zgjedhje të parakohshme, duke vlerësuar se as LDK-ja e as LVV-ja nuk janë të gatshme për zgjedhje.

“S’ka gjasa të shkohet në zgjedhje te parakohshme dhe të jem i sinqertë asnjë parti politike përveçqë nuk janë të interesuara për të shkuar në zgjedhje, asnjëra nuk i ka punët mirë për zgjedhje”, ka thënë Selmanaj.

Edhe Enver Hoti, nga Nisma Socialdemokrate, është shprehur i bindur se koalicioni qeverisës do të funksionojë pa ndonjë problem.

“Jo, nuk besoj që do të jetë vështirë, Qeveria do të funksionojë për merak. Janë 120 deputetë në interes të vendit dhe ne nuk ndihemi aspak të rrezikuar”, ka thënë ai.

Maliqi: Opozita s’është e gatshme për zgjedhje

Analisti Agon Maliqi ka thënë se Qeveria ndodhet në pikën kur mund të rrëzohet me votë mosbesimi, por kjo nuk do të ndodhë pasi opozita nuk është e interesuar për zgjedhje të reja.

Sipas tij, ose do të formohet një qeveri teknike, ose Lista Serbe do t’i kthehet koalicionit.

“Për momentin opozita nuk duket e interesuar ta rrëzojë Qeverinë, sepse nuk është e gatshme për zgjedhje për shkak të problemeve të brendshme. Mendoj se për një kohë, të paktën deri në fund të verës, gjërat mund të vazhdojnë kështu me qeveri të pakicës. Skenarët në këtë rast janë: ose krijimi i një qeverie teknike, ose kthimi i Listës Serbe nëse ka zhvillime përpara në dialog”, tha ai.  

Sipas tij, zgjedhjet e parakohshme do të mbahen kur LDK-ja të jetë gati, ndërsa ka përmendur edhe një skenar të dytë ku PDK-ja vendos sërish të rrëzojë Qeverinë nga brenda, si në mandatet e kaluara.

Maliqi ka potencuar se në LDK për momentin është krijuar një klimë e pasigurisë dhe një garë e brendshme, e cila mund të përkeqësohet pasi në zgjedhjet e ardhshme LDK-ja cilësohet favorite për t’i fituar zgjedhjet.