Ekstradimi i turqve, pasoja për Kosovën në KiE

Aktuale April 04, 2018 - 07:40
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Kosova, e cila këtë vit pritej të aplikonte për anëtarësim në Këshillin e Evropës, nuk i ka punët mirë në këtë drejtim. Ekstradimi i gjashtë turqve nga Kosova ka bërë që institucionet e shtetit ta shkelin Nenin 3 të Statutit të KiE-së, që thotë se çdo shtet evropian duhet t’i respektojë të drejtat e njeriut dhe parimet e shtetit ligjor për t’u pranuar në këtë organizatë, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Deportimi i gjashtë gylenisëtve në Turqi pritet ta ndëshkojë Kosovën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Ky veprim i autoriteteve kosovare vlerësohet se është në kundërshtim me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Deputetë dhe njohës të organizatave ndërkombëtare thonë se Kosova tani mund t’i vuajë pasojat e depërtimit të gylenistëve, shkruan tutje "Zëri". 

LEXO EDHE: Kuvendi në “gjumë”, 100 ligje në pritje

Ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli në takimin e mbajtur në janar të këtij viti me Grupin Punues për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës ka thënë se Kosova do të aplikojë për anëtarësim gjatë këtij viti, kurse, pranimi do të ndodhë pas dy vjetësh.

“Duke marrë parasysh procedurat e aplikimit në organizatën kryesore të kontinentit për të drejtat e njeriut, ne presim që Kosova të jetë anëtare e plotë dhe shteti i 48-të i Këshillit të Evropës deri në vitin 2020”, ka thënë ai.

Deliu: Është krijuar një situatë e re

Kryetarja e Komisionit për Integrime, Blerta Deliu, ka thënë për “Zërin” se është krijuar një situatë e re për anëtarësim në Këshillin e Evropës pas deportimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova.

“Është një situatë e re. Ne duhet me pa sot që tentativat tona do të vazhdojnë prej deputetëve që marrin pjesë në takimet e Këshillit të Evropës. Procesi nuk është proces shumë i shkurtër. Mirë është që Kosova është pjesë e takimeve aktualisht”, ka thënë ajo.

Deliu shprehet optimiste për pranimin e Kosovës në KiE, megjithëse thotë se procesi është i komplikuar. Sipas saj, duhet të bëhet një lobim më i fuqishëm nga të gjithë mekanizmat institucionalë që nga Qeveria e Parlamenti.

Berisha: Ekstradimi i turqve do të ndikojë në mospranimin e Kosovës në KiE

Zafir Berisha, anëtar në Komisionin për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, ka thënë për “Zërin” se në Kosovë janë shkelur të drejtat e njeriut dhe siç ka thënë ai, si pasojë e kësaj Kosova do të mundë të mos pranohet në Këshillin e Evropës.

“Sigurisht që do të ndikojë në mosanëtarësim për shkak se janë shkelur të drejtat e njeriut. Veprimi ka qenë joligjor, jokushtetues dhe natyrisht se perëndimi i gjykon rëndë këto shkelje të kësaj natyre”, ka thënë ai.

Sipas Berishës, ekstradimi i shtetasve turq është sulmi më i madh tashmë 19 vjet.

“Ne e dimë se ka pasur kërkesa edhe nga shtetet e Evropës për të bërë një veprim të tillë, por nuk u janë përgjigjur për shkak edhe të kartave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe natyrshëm që ky veprim i njerëzve të papërgjegjshëm në institucionet e sigurisë d.m.th. llogaritet si më i madhi që është bërë në demokraci tashmë 19 vjet pas luftës”, ka thënë ai.

Pacolli: Kosova me mesazh që nuk respekton të drejtat e njeriut

Fitore Pacolli, anëtare e Komisionit për Integrime Evropiane, ka thënë për “Zërin” se ky veprim i institucioneve të Kosovës do të ketë pasoja në anëtarësimin e Kosovës në KiE, por edhe në organizata të tjera.

“Pasojat negative të këtij veprimi nuk do të ndikojnë vetëm në anëtarësimin e Kosovës në  Këshillin e Evropës, por edhe në organizatat tjera në të cilat Kosova synon të anëtarësohet e sidomos në Bashkimin Evropian.  Mënyra sesi ka vepruar Kosova është e rrezikshme për demokracinë  dhe respektimin e të drejtave dhe lirive brenda vendit dhe kjo aspak nuk u ngjan shteteve ligjore dhe demokratike”, ka thënë ajo.

Sipas saj, me këto veprime Kosova ka dhënë mesazh se nuk është e gatshme t’i respektojë të drejtat e njeriut.

KMLDNJ: Ekstradimi i turqve, pasoja për KiE dhe liberalizim

Behxhet Shala, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka deklaruar se ekstradimi i gjashtë turqve nga Kosova do t’i kushtojë vendit si në pranimin në Këshillin e Evropës e po ashtu edhe në liberalizimin e vizave.

“Ekstradimi i gjashtë turqve të cilët kanë pasur leje të qëndrimit është krim kundër të drejtave të njeriut. Erdogani prej Turqisë ka dhënë urdhër dhe u bë zbatimi i urdhrit nga Policia dhe AKI-ja. Kjo do t’i kushtojë shumë Kosovës. Nuk mendoj se do të jetë pjesë e Këshillit të Evropës dhe as nuk do të kemi viza”, ka theksuar ai për “Zërin”.

Sipas tij, ata që kanë arrestuar gjashtë shtetasit turq janë bërë pjesë e krimit të organizuar.

Hoti: Ekstradimi i turqve, dëshmi që Kosova nuk zbaton ligjin

Njohësi i çështjeve të integrimeve, Afrim Hoti, ka thënë për “Zërin” se ekstradimi i gjashtë turqve mund të pasohet me vërejtje nga institucionet ndërkombëtare.

“Efekte negative mund të ketë për faktin se institucionet e Kosovës nuk japin dëshmi që zbatojnë kushtetutshmërinë dhe ligjin. Nuk besoj që kjo mund të bëhet pengesë për faktin si e tillë mund të jepet një vërejtje, sugjerim dhe që rruga drejt anëtarësimit pastaj të vazhdojë”, ka theksuar ai.

Sipas tij, anëtarësimi në Këshillin e Evropës bëhet përmes plotësimit të kritereve, që është sundimi i ligjit e rendit.