''Do t'i kërkojmë sqarime Turqisë për deklaratat e Erdoganit, s'mund të përzihen në punët tona''

Aktuale April 01, 2018 - 16:54
Ja kush thotë kështu

Jetlir Zyberaj është zyrtari i parë i Ministrisë së Punëve të Jashtme që i ka reaguar deklaratave kërcënuese të Presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.

Ai ka thënë se do të kërkojnë llogari nëpërmjet kanaleve diplomatike për deklaratat e presidentit turk.

Duke reaguar për kërcënimin për rrëzimin e Qeverisë, Zyberaj ka shkruar se Kosova nuk lejon asnjë shtet tjetër të përzihet në punët e brendshme të Shtetit përfshirë edhe rrëzimin e Kryeministrit.

“Turqia është vend mik i Kosovës, vend që e ka mbështetur dhe e mbështet Kosovën në vazhdimësi.  Nëpërmjet kanaleve diplomatike në ditët në vijim do të sqarojmë arsyet e deklaratave të bëra nga presidenti Erdogan, në pajtim me marrëdheniet e mira që kemi si dy shtete dhe të parimeve të barazisë së shteteve sovrane dhe mos-përzierjes në punët e brendshme”, ka shkruar Zyberaj, në një reagim në FB.

“Ne jemi të përkushtuar të kultivojmë marëdhëniet ndërshtetërore me të gjithë partnerët ndërkombëtare dhe me Turqinë mike.  Dihet fare mire se Kosova është e hapur për bashkëpunim dhe dialog me Turqinë ne llë secilen fushë, pa pasur nevojë për interferim në punët e brendshme.  Kosova ka institucionet e veta dhe ato udhëhiqen me pergjegjesi dhe respekt nga udhëheqësit e zgjedhur me votën e popullit”, ka shtuar ai.

Reagimi i Zyberajt ka ardhur pas kërcënimeve të Erdoganit drejtuar Ramush Haradinajt, pasi ky i fundit shkarkoi nga pozita e Ministrit Flamur Sefajn dhe Driton Gashin e AKI’së.

LEXO EDHE: Ky është vendimi i AKR-së për Haradinajn pas shkarkimit të Sefajt

Këta dy kishin marrë pjesë dhe ishin në dijeni për operacionin e inteligjencës turke në arrestimin e gjashtë gylenistëve, të cilët pastaj u dëbuan në Turqi.

Ndaj këtij kërcënimi ka reaguar edhe Kryetari i Parlamenti, i cili ka thënë se nuk u japin llogari asnjë shteti tjetër për veprimet e udhëheqësve.

Deri tash, për këtë kërcënim, asnjë fjalë s’e ka thënë Ramush Haradinaj dhe as presidenti Hashim Thaçi.

Gjashtë shtetasit turq u dëbuan nga Kosova me një vendim të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila kishte revokuar lejet e qëndrimit në Kosovë. Revokimi kishte ndodhur pasi AKI në bashkëpunim me inteligjencën turke kishin konstatuar se të njëjtit persona përbëjnë rrezik  kombëtar për Shtetin.

Sidoqoftë, operacioni për arrestimin dhe dërgimin e turqve në Turqi ishin zhvilluar gjatë ditës së enjte. Ishin deportuar për në shtetin turk me një procedurë të përshpejtuar.