Jevtiq: Asociacioni duhet të formohet

Aktuale March 29, 2018 - 11:38
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Zëvendëskryminisitri i Kosovës nga Lista Serbe, Dalibor Jevtiq i cili po merr pjesë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, është deklaruar në lidhje me arrestimin e Shefit të Zyrës serbe për Kosovë, Marko Gjuriq, raporton “Zëri.info”.

Jevtiq ka thënë se ky subjekt nuk ka pritur të përdoret dhunë gjatë arrestimit të Marko Gjuriq.

Ndërsa, sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Jevtiq tha se e vetmja mënyrë që t’i zgjidhim problemet është të bisedohet sinqerisht për zgjidhjen e tyre nga dy palët.

“Ne jemi për bisedime dhe e vetmja mënyrë për t’i zgjidhur problemet është të bisedohet, por ato biseda të jenë të sinqerta. Unë kam biseduar me z.Arifin për këtë. Dhe do të ishte turp, personalisht për mua, nëse do t’i ndodhte e njëjta gjë z.Arifit apo kujtdo tjetër në Beograd. Nëse vërtetë jeni të sinqertë që në të ardhmen të punojmë së bashku në ndërtimin e mirëbesimin, i cili është lëkundur shumë, atëherë duhet të hetohet se çfarë ka ndodhur dhe kush është përgjegjës për atë që ka ndodhur në Mitrovicë. Nuk ka asgjë sekrete, pasi ekzistojë xhirime dhe mund të gjenden fajtorët”, u shpreh Jevtiq, raporton tutje “Zëri.info”.

Ndërkaq, për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, ai tha se asociacioni duhet të formohet.

“Nuk e di nëse është e vërtetë z.Lekaj se do të na arrestoni nëse formojmë AKS, pasi ne nuk bëjmë asgjë jashtë asaj për të cilën jemi marrë vesh në Bruksel. Por ta dini se ne nuk frikohemi nga kjo, por nuk është në rregull të bëni kërcënime të tilla. Ajo që dua të them, është se asociacioni duhet të formohet dhe kam ardhur këtu t’ju shikoj të gjithëve në sy për të parë se çfarë mendoni. Le të punojmë edhe njëherë së bashku dhe flisni me ne si përfaqësues legjitim të zgjedhur. Nëse jeni të gatshëm që sinqerisht të tejkalojmë problemet, atëherë mos e trajtoni shtrirjen e dorës sonë për bashkëpunim, siç e keni trajtuar të hënën”, deklaroi Jevtiq. /Zëri.info/