Haradinaj me qeveri të pakicës
Lista Serbe ka marrë vendim të dalë nga Qeveria e Kosovës dhe tani kryeministri Ramush Haradinaj ka mbetur me “qeveri të pakicës”, por pavarësisht kësaj ai është shprehur i sigurt se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme. Ndërkohë, opozita nuk shpreh ambicie për rrëzimin e Qeverisë, shkruan sot Gazeta "Zëri".
Lista Serbe të martën ka marrë vendim për të dalë nga Qeveria e Kosovës në shenjë proteste ndaj arrestimit të shefit të së ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, pasi kishte hyrë në veri të Mitrovicës pa lejen e autoriteteve kosovare. Kështu koalicioni qeverisës nuk e ka shumicën në Kuvend pasi ka vetëm 53 deputetë.
Megjithatë, kryeministri Ramush Haradinaj është shprehur i sigurt se Qeveria e drejtuar nga ai nuk do të rrëzohet dhe se nuk do të ketë zgjedhje të reja.
Në anën tjetër, subjektet opozitare nuk shprehin pretendime për ngritjen e iniciativës për rrëzimin e Qeverisë, gjë të cilën e kanë kërkuar javët e fundit. Kurse analistët politikë thonë se edhe në të kaluarën në Kosovën kanë funksionuar qeveri të pakicës, prandaj ata thonë se vështirë se do të ketë zgjedhje në këtë kohë, shkruan tutje "Zëri".
Rakiq: Lista Serbe del nga Qeveria
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë dje në Beograd se serbët më nuk do të jenë pjesë e qeverisë “Haradinaj”. Ai ka shtuar se Qeveria në Prishtinë më nuk do të ketë mbështetjen e Listës Serbe dhe se “shqiptarët tash do të bashkohen rreth interesave të veta sidomos kundër serbëve”.
Këto deklarata Rakiq i ka dhënë të martën pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, një ditë pas arrestimit të Marko Gjuriqit në veri të Kosovës.
“Dua të them se Lista Serbe do të dalë nga Qeveria dhe ata nuk do ta kenë më përkrahjen tonë. E dimë se ata do të bashkohen rreth interesave të veta, sidomos kundër serbëve ata bashkon lehtë, por do të bashkohemi edhe ne”, ka thënë.
Kurse zëvendëskryeministri i Kosovës nga radhët e Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, ka thënë se vendimi për dalje nga Qeveria ka përkrahjen e presidentit Aleksandar Vuçiq. “Vendimi për tërheqje nga Qeveria e Kosovës është sjellë unanimisht, në mënyrë të përbashkët. Këtë vendim ia kemi thënë sot presidentit Vuçiq dhe ai e ka mbështetur”, ka thënë Jevtiq.
Haradinaj: S’e kam në plan të jap dorëheqje për shkak të Listës Serbe
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë ka thënë se nuk do të japë dorëheqje edhe pse koalicioni qeverisës nuk e ka shumicën në Kuvend pas largimit të Listës Serbe. Haradinaj ka shtuar se nuk është koha për zgjedhje dhe se ka marrë përkrahje nga shumë deputetë.
“Parlamenti është i përbërë prej shumë grupeve parlamentare. Lista Serbe është partner. Kemi pasur partneritet të mirëfilltë. Veprimi i djeshëm s’ishte i drejtuar kundër serbëve të Kosovës e as kundër komunitetit politik në Kosovë, pos për ata që kanë shkelur ligjin. Është procedurë standarde. Është e pakuptueshme marrja e këtij vendimi sepse është zbatuar ligji. Ka pasur rast kur në emër të ligjit janë tërhequr zvarrë liderë. Dorëheqje s’kam në plan të jap. Do të vazhdoj punën. Nuk kam fjalë për ata që hyjnë e dalin”, ka thënë Haradinaj.
Ai më tej ka thënë se në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë është vlerësuar se gjendja e sigurisë në vend është e qetë dhe stabile. Haradinaj e ka quajtur të ngutshëm deklaratën e Listës Serbe se do të themelohet njëanshëm Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
“Mendoj se është një paralajmërim i ngutshëm i tyre dhe i dëmshëm. I pamë dje se kur nuk ka diskutim të mirëfilltë deri ku mund të shkojnë zhvillimet. Nuk është mirë të testohet pa kufi durimi i askujt. Në tavolinë na ka hije për biseda. U kemi bërë lutje qytetarëve serbë të veriut që të mos vijnë atë ditë. Le të vijnë një ditë më vonë sepse kalon ndalesa, por nëse kanë menduar ashtu, le të dinë të gjithë se janë procedura që respektohen gjithmonë”, ka shtuar Haradinaj.
LDK: S’lejojmë që Lista Serbe ta përcaktojë fatin politik të Kosovës
Partia më e madhe opozitare në vend Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka thënë se dalja e Listës Serbe nga koalicioni qeverisës konfirmon vërejtjet që LDK-ja ia ka bërë me rastin e themelimit të Qeverisë, kur votimi i saj u vonua derisa nuk mbërritën nga Beogradi deputetët e Listës Serbe.
“Asnjë qeveri e Kosovës nuk mund të jetë stabile kur shumica e thjeshtë prej 61 votave në Kuvend varet nga deputetët e Listës Serbe, të cilët, fatkeqësisht, janë bërë një instrument i Beogradit dhe nuk sillen si përfaqësues të interesave të qytetarëve të Kosovës, nga të cilët janë votuar”, thuhet në komunikatën e LDK-së.
Më tej LDK-ja garanton qytetarët se veprimet e saj do të jenë të matura dhe, si gjithmonë, në përputhje me interesin nacional të Kosovës. “LDK-ja në asnjë rast nuk do të lejojë që deputetët e Listës Serbe ta përcaktojnë fatin politik të Kosovës. Qëndrimet e lidershipit të LDK-së edhe në ditët në vijim do të jenë në dobi të përmirësimit të situatës dhe të kthimit të saj në favor të Kosovës”, përfundon komunikata e LDK-së.
Partia e Isa Mustafës para ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi kërkonte që Qeveria të japë dorëheqje dhe që vendi të shkojë në zgjedhje të reja. Megjithatë, sipas zyrtarëve të kësaj partie, thonë se LDK-ja ka interes t’i bashkohet Qeverisë, por gjithashtu thonë se nuk bëhen pjesë e agjendave të Beogradit për ta rrëzuar Qeverinë e Kosovës.
Kurti: Haradinajn e shpëtojmë nga Lista Serbe
Kryetari i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, ka dënuar gjuhën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas arrestimit të Marko Gjuriqit.
Ai në një konferencë për medie ka folur për daljen e Listës Serbe nga Qeveria e Kosovës, duke theksuar se është kundër një qeverie konsensuale. Ai ka përmendur disa pika, që duhet të plotësohen tash e tutje.
“LVV-ja beson se katër gjëra janë të rëndësishme në vijim. Qeveria në vend se të lutet që Lista Serbe të kthehet duhet të zëvendësohen ministrat me politikanë serbë që e pranojnë Republikën e Kosovës, sikur Nenad Rashiq. Në vend të dialogut për pajtim të hapet dialog me serbët e Kosovës dhe të gjitha pakicat. Nëse dialogu ndodhet mes dy darkave të Thaçit dhe të Vuçiqit është çorbë që nuk hahet”, është shprehur Kurti.
Kurti më tej ka thënë se kryeministri Haradinaj mund të shpëtohet nga të tjerët në situatën që gjendet, por ai nuk mund të shpëtojë nga vetvetja. I pyetur nëse “Vetëvendosja” do ta votojë ndonjë mocion kundër Qeverisë, Kurti ka thënë se nuk mund të lejojë që Serbia të futet mes partive shqiptare.
“Nuk na nevojitet qeveri konsensuale, por qëndrim konsensual sepse nuk ka demokraci pa opozitë. Kemi nevojë për qëndrim konsensual dhe qëndrim kundër Serbisë. Nuk mund të lejojmë që Serbia të hyjë midis nesh... Mund ta shpëtojmë Haradinajn nga Lista Serbe, por jo nga vetja”, ka shtuar Kurti.
Demhasaj: Bashkësia ndërkombëtare është kundër zgjedhjeve të parakohshme
Drejtori i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj, ka thënë për “Zërin” se dalja e Listës Serbe nga ekzekutivi mund t’ia pamundësojë Qeverisë funksionimin normal pasi nuk i ka votat e mjaftueshme në Kuvend, por kjo nuk nënkupton domosdoshmërish rënien e Qeverisëse pasi edhe në të kaluarën ka pasur raste kur qeveria ka funksionuar edhe pse ka pasur më pak se 61 deputetë në Kuvend.
Demhasaj ka thënë se Lista Serbe me gjasë nuk dëshiron rrëzimin e Qeverisë dhe se grupet opozitare, LDK-ja, LVV-ja dhe GDP-ja, nuk i kanë votat për rrëzimin e Qeverisë në rast se nuk i mbështet Lista Serbe.
“Besoj që faktori ndërkombëtar vendos në këtë rast, natyrisht në koordinim me Beogradin. Vizita e Mogherinit sot në Beograd besoj që ka lidhje direkt me këtë çështje pasi as bashkësisë ndërkombëtare nuk i përshtatet të ketë zgjedhje tani në Kosovë. Kjo për shkak të procesit të dialogut, por edhe procesit të Gjykatës Speciale”, ka vlerësuar Demhasaj.