Daçiq vazhdon të ëndërrojë kthimin e institucioneve serbe në Kosovë

Aktuale March 25, 2018 - 15:50
E Fundit

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë Ivica Daçiq mendon se presidenti Vuçiq është “tepër tolerant” lidhur me atë që Prishtina, përkundër Marrëveshjes së Brukselit, tashmë pesë vjet refuzon ta formojë Asociacionin e Komunave Serbe, transmeton Gazeta Express.

Daçiq, i cili ngritjen në karrierë e nisi si bashkëpunëtor i afërt i Sllobodan Millosheviqit, diktatorit që emër të dytë e ka “kasapi ballkanik”, ka thënë se shefit të tashëm të shtetit serb i ka propozuar tërheqjen e nënshkrimit nga Marrëveshja e Brukselit. Sipas tij, kjo do të thoshte “kthim i institucioneve serbe në Kosovë e Metohi”, raportojnë mediat serbe.

“Unë si kryeministër e kam nënshkruar Marrëveshjen e Brukselit, unë do ta kisha tërhequr nënshkrimin dhe do t’u kisha thënë (shqiptarëve): ‘Nuk e doni Asociacionin, mirë pra, ne nuk e duam pjesën tjetër të marrëveshjes, kthehemi në gjendjen paraprake, e kjo është kthim i institucioneve serbe në Kosovë e Metohi’. Shqiptarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare duhet thënë: ‘në rregull, nëse nuk dëshironi të jeni konstruktivë, gjithçka ka fundin e vet’”, ka thënë Daçiq dhe ka treguar se tashmë i ka propozuar Vuçiqit ta tërheqë nënshkrimin, porse tani do t’ia përsërisë propozimin.

I përkëdheluri i Millosheviqit ka thënë se nuk dëshiron të shprehë qëndrime që mund t’ia vështirësojnë pozitën Vuçiqit, porse mendon se, për dallim nga shefi i tij paraprak, ky është “tepër tolerant” lidhur me çështjen e Asociacionit.