Maksymiuk: Ratifikojeni Demarkacionin!

Aktuale March 20, 2018 - 07:46

Ambasadori i Kanadasë në Kroaci dhe njëherësh jorezident për Kosovën, Daniel Maksymiuk, gjatë një interviste për gazetën “Zëri” tregon arsyet pse deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta votojnë Demarkacionin me Malin e Zi para se çështja të shkojë në Arbitrazh Ndërkombëtar, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Daniel Maksymiuk, ambasador i Kanadasë në Kroaci dhe njëherësh jorezident për Kosovën, kërkon nga deputetët e Parlamentit të Kosovës që ta ratifikojnë Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.
Sipas tij, në fund të fundit arsyeja për ta bërë demarkimin e kufirit me Malin e Zi është që të mundësohet bashkëpunim më i mirë me një shtet mik dhe një zhvillim ekonomik mes dy palëve. Ndërsa kushti i dytë i BE-së për heqjen e vizave - luftimi i krimit të organizuar dhe i korrupsionit, është që të ndërtohet një Kosovë më e mirë dhe prosperuese. Këto komente Maksymiuk i ka bërë gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Zëri”, duke shtuar se Kanadaja e mbështet dëshirën e kosovarëve që të udhëtojnë pa viza në BE dhe njëkohësisht integrimin e tërësishëm të vendit në familjen evropiane.

Maksymiuk është ambasador i Kanadasë në Kroaci, shtet ky që po ashtu ka mosmarrëveshje me Slloveninë mbi kufijtë detarë dhe mbi të drejtat e lundrimit e të peshkimit, përderisa në qendër të mosmarrëveshjeve është Gjiri i Piranës.

Në fund të qershorit të vitit të kaluar Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit kishte marrë një vendim që tri të katërtat e Gjirit të Piranës t’i përkasin Sllovenisë krahas korridorit që i siguron qasje në det të hapur, por Kroacia nuk e pranon vendimin.

Për këto arsye ambasadori Maksymiuk thotë se preferon zgjidhjet e negociuara dhe bilaterale para se çështja të dërgohet në Arbitrazh. “Në rastin e Kosovës dhe të Malit të Zi tashmë ka një zgjidhje bilaterale, e cila reflekton interesat e të dyja palëve. Është e bazuar në punën e ekspertëve. Do të doja t’i shihja përfaqësuesit e zgjedhur të Kosovës në Parlament që të marrin përgjegjësinë për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje të rëndësishme dhe jam optimist se kjo është ajo që ata do ta bëjnë”, shprehet mes tjerash ai.

Gjatë kësaj interviste për “Zërin” diplomati kanadez flet edhe për mundësitë që kosovarët kanë të shkojnë dhe të punojnë në shtetin e tij.

Zëri: Zotëri Ambasador, Kuvendi i Kosovës për rreth 3 vjet nuk po arrin ta miratojë Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, kusht ky për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian (BE). A mendoni se nëse miratohet Demarkacioni dhe plotësohet kushti tjetër për luftimin e korrupsionit qytetarët e Kosovës shumë shpejt mund të lëvizin lirshëm në BE?

Maksymiuk: Si një ambasador i Kanadasë nuk mund të paragjykoj se çfarë do të bëjë BE-ja. Mund të kuptoj dëshirën e qytetarëve të Kosovës që të udhëtojnë lirshëm brenda BE-së dhe që Kosova të jetë tërësisht e integruar në familjen evropiane sa më shpejt të jetë e mundur. Kanadaja fuqishëm i mbështet këto qëllime. Sidoqoftë, mendoj se është për keqardhje që këto çështje teknike – lëvizja e lirë dhe Marrëveshja për Demarkacionin  janë lënë mbrapa nga pritjet politike dhe polemikat. Kjo vetëm sa i bën gjërat më të komplikuara. Në fund të fundit, arsyeja për ta bërë demarkimin e kufirit me Malin e Zi është që të mundësohet një bashkëpunim më i mirë me një vend mik dhe një zhvillim ekonomik i të të dyja palëve. Arsyeja për të adresuar rendin e ligjin dhe sfidat e korrupsionit në Kosovë është që të ndërtojmë një Kosovë më të mirë e më prosperuese dhe nga pikëpamja kanadeze e di që të kesh vizë me një vend të caktuar nuk e pengon zhvillimin e lidhjeve të gjera ekonomike, akademike, të njerëzve ose të partneritetit të ngushtë bilateral.

Zëri:Ju jeni ambasador në një shtet (Kroaci), i cili gjithashtu ka mosmarrëveshje të njëjta kufitare me Slloveninë. A është zgjidhje edhe për Kosovën Gjykata e Arbitrazhit njëjtë si Kroacia e Sllovenia nëse koalicioni qeverisës dështon ta miratojë marrëveshjen në Kuvend?

Maksymiuk: Arbitrazhi mund të jetë një mjet i dobishëm në zgjidhjen e çështjeve mes dy fqinjëve, posaçërisht në rastet që janë politikisht të ndjeshme. Por kur është e mundshme, unë do të preferoja zgjidhjet e negociuara dhe bilaterale. Në rastin e Kosovës dhe të Malit të Zi tashmë ka një zgjidhje bilaterale, e cila reflekton interesat e të dyja palëve. Është e bazuar në punën e ekspertëve. Do të doja t’i shihja përfaqësuesit e zgjedhur të Kosovës në Parlament që të marrin përgjegjësinë për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje të rëndësishme dhe jam optimist se kjo është ajo që ata do ta bëjnë.

Zëri: A mendoni se BE-ja ka tentuar që nëpërmjet kushtit për demarkacion t’i eliminojë mosmarrëveshjet mes shteteve të cilat janë në proces të integrimit, përkatësisht për të mos u përsëritur rasti Slloveni-Kroaci?

Maksymiuk: Bëtë një pyetje të shkëlqyeshme! Nuk dua t’i interpretoj qëndrimet e BE-së apo të mundohem të analizojë strategjinë e BE-së në avancimin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Mund të them se Kanadaja e mbështet BE-në si një partner i rëndësishëm, pasi fokuson vëmendjen e shtuar në këtë rajon. Për shembull, Strategjia e Re e Komisionit për Ballkanin Perëndimor dhe Procesi i Berlinit janë të rëndësishëm dhe përpjekje pozitive. Në fund, po ashtu besoj se Kosova dhe fqinjët e saj janë përcaktuar të jenë anëtarë të BE-së. Ky është qëllimi. Duhet të ketë kushte të qarta për këtë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të pranojnë atë që vërtet nënkupton të jesh anëtare e BE-së. Por të jesh tepër i ashpër rreth një kushti të caktuar mund ta bëjë qëllimin e madh më të vështirë për ta arritur.

Kanadaja do ta mbështesë Kosovën në sigurimin e njohjeve ndërkombëtare

Zëri: Kosova dhe Serbia qe disa vite vazhdojnë dialogun në Bruksel për normalizim të marrëdhënieve, mirëpo pala kosovare vazhdon të ankohet te pala tjetër për bllokim në organizata ndërkombëtare, presion për tërheqje të njohjeve ndërkombëtare, etj. A mendoni se një dialog i tillë do të përmbyllet me normalizim të plotë të raporteve mes të dyja vendeve?

Maksymiuk: Kanadaja fuqimisht mbështet integrimin e plotë të Kosovës brenda bashkësisë ndërkombëtare, duke përfshirë të gjitha organizatat multilaterale që vendi dëshiron t’u bashkohet. Vendi im do të vazhdojë t’i mbështesë përpjekjet e Kosovës që të arrijë njohje nga shtetet tjera. Po ashtu, besoj se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është i rëndësisë vitale e besoj se me vendosmëri, me kurajë dhe me gatishmëri për kompromis në të dyja anët rezultati i dialogut mund të jetë normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Dialogu ka prodhuar rezultate të rëndësishme dhe në fakt një normalizim është në rrugë e sipër në shumë fusha të marrëdhënieve bilaterale.

 

Bashkëpunimi Serbi - Kosovë, në të mirë të rajonit

 

Zëri: Koha e anëtarësimit të Serbisë në BE është përmendur të jetë viti 2025. A besoni se Serbia do të kushtëzohet që ta njohë Kosovën para anëtarësimit në BE?

 

 Maksymiuk: Do të doja të shihja Serbinë, por edhe Kosovën, si anëtare të BE-së deri në vitin 2025, por vetëm BE-ja, në dialogun e saj me këto dy vende, mund t’i përcaktojë hapat për arritjen e këtij qëllimi. Ndoshta do të duhen pak më shumë vite, por nuk ka asgjë të keqe me të qenit optimist dhe ambicioz. Çfarë mund të them me siguri është se kur Serbia dhe Kosova me të vërtetë janë në gjendje të punojnë së bashku si partnerë, me marrëdhënie normale dhe bashkëpunim do të jetë më mirë për Serbinë, më mirë për Kosovën dhe më mirë për stabilitetin e prosperitetin e gjithë rajonit.

Zëri: Ditë më parë disa zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës kanë qenë për vizitë në Kanada për t’u takuar me investitorë potencialë. A ka interesim të investitorëve kanadezë për të investuar në Kosovë?

Maksymiuk: Jam i kënaqur që zëvendëskryeministri Dardan Gashi dhe ministri Valdrin Lluka kanë udhëhequr një delegacion në Kanada kohët e fundit dhe morën pjesë në njërën nga konferencat më të rëndësishme të investimeve minerare në botë, që u mbajt në Toronto. Delegacioni bëri një prezantim të detajuar të mundësive në Kosovë në një dhomë të plotë investitorësh kanadezë dhe ministri Lluka nënshkroi një marrëveshje investimi me Ministrinë e Burimeve Natyrore të Kanadasë. Në fakt, kjo ishte marrëveshja e parë dypalëshe midis Kanadasë dhe Kosovës. Ka tashmë disa kompani kanadeze që kanë investuar në Kosovë, jo vetëm në sektorin e minierave, por edhe në IT e bujqësi.

Kosova mund të tërheqë investitorë nga Kanadaja

Zëri: A ka kompani kanadeze të interesuara të investojnë në sektorin minerar të Kosovës dhe cilat janë kërkesat e tyre nga institucionet vendore?

Maksymiuk: Siç thashë, pjesëmarrja e Kosovës në konferencën e minierave të Torontos ishte një sukses i madh. Ajo që pres tani është të shoh më shumë kompani kanadeze dhe kompani më të mëdha në një pozicion për të marrë projekte më të mëdha, të ndjekin hapat e kompanive eksploruese dhe me perspektivë që janë tashmë këtu. Kosova ka burime të klasit botëror dhe do të jetë e suksesshme në tërheqjen e më shumë investimeve nga Kanadaja nëse mund të ofrojë një administrim efikas dhe një fushë loje të barabartë, së bashku me një përmirësim të qëndrueshëm në përpjekjet për transparencë dhe kundërkorrupsion.

Zëri: A ka interesim të qytetarëve të Kosovës për viza pune në Kanada dhe cilat janë mundësitë e tilla?

Maksymiuk: Siç e dini, Kanadaja është një shoqëri multikulturore me një popullsi të tërhequr nga të gjitha kombet e botës, duke përfshirë edhe nga Kosova. Çdo vit ne mirëpresim 300,000 kanadezë të rinj, duke përfshirë punëtorë të kualifikuar dhe sipërmarrës. Duke gjykuar nga kosovaro-kanadezët që kam takuar, besoj se njerëzit nga Kosova mund të jenë shumë të suksesshëm e të begatë në Kanada dhe gjithashtu jam i lumtur që shoh shumë kosovaro-kanadezë pasi gjetën një sukses në Kanada kanë vendosur të ndjekin biznese apo aktivitete profesionale këtu në Kosovë.

Kosova ka të drejtë ta formojë ushtrinë

Zëri: Kosova është duke bërë përpjekje që ta formojë ushtrinë e vet, por deputetët serbë po e kundërshtojnë një gjë të tillë. Gjatë vizitës së fundit në Kosovë edhe ndihmëssekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Wes Mitchell në Beograd ka deklaruar se Kosova ka të drejtë ta formojë ushtrinë. Cili është qëndrimi i Kanadasë për këtë çështje?

Maksymiuk: Kosova është një vend sovran dhe është e drejtë e Kosovës për ta marrë këtë vendim. Megjithatë, mendoj se miqtë dhe partnerët e Kosovës, duke përfshirë vendet e NATO-s që kanë luftuar për mbrojtjen e civilëve të Kosovës gati 20 vjet më parë, mund të ofrojnë këshilla. Këshilla ime është që krijimi i një ushtrie përmes një amendamenti kushtetues do të kontribuojë për sigurinë e Kosovës nëse ky hap është marrë kur FSK-ja reflekton natyrën multietnike të popullatës së Kosovës dhe kur ka fituar besimin e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Unë mund të shoh se është duke u bërë progres i shpejtë drejt këtyre qëllimeve.