Fatmir Limaj: EULEX-i e nisi me mua, me mua po shkon (VIDEO)

Aktuale March 19, 2018 - 23:04
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe kryetari i Nismas, Fatmir Limaj, ka folur për të gjitha proceset gjyqësore që ka kaluar, e së fundmi, ku është shpallur i pafajshëm në rastin e njohur si “Bellanica” ku akuzohej për krime lufte.

“Pas 15 viteve, prej 17 shkurtit  të vitit 2003, më 18 shkurt kam shkuar në Hagë. Tash bëhen 15 vjet e diçka”.

Limaj në Zona B të Klan Kosovës ka ironizuar me gjithë këtë historik të tij nëpër gjykata.

“I kam thënë avokatit tim mbrojtës, Tahirit, të më regjistrojë edhe në Odën e Avokatëve edhe formalisht”.

Ai ka treguar se si ka ndikuar në jetën e tij gjithë kjo periudhë jetësore.

“Unë kam mësuar shumë, edhe ndihem mirë që nuk ma ka marrë anën njerëzore ky 15 vjeçar”.

“E dyta, më ka dhënë shumë përvojë, e treta e që mbi të gjitha është se ndihem mirë që çdo pjesë e jetës time është hetuar dhe vlerësuar nga mbi 30 gjyqtarë profesionistë, dhe jemi ku jemi, krenar për çdo minutë të jetës time sepse e di çfarë kam bërë në jetën time”.

Limaj ka deklaruar se shpreson se rastet ndaj tij do të jenë ndihmë për drejtësinë në Kosovë.

“Shpresoj që këto t’i shërbejnë drejtësisë në Kosovë që të mos nguten të shkojnë pas emrit, por pas fakteve dhe provave. Shpresoj që do t’i shërbejnë memories së drejtësisë kosovare që të shkojnë duke u përmirësuar”.

“Rasti im tregon më së miri në çfarë situate ka kaluar drejtësia në Kosovë. EULEX-i e ka nis punën me mua e po shkon me mua”.

“E nisi edhe e përfundoi, e zeza e tyre do të jetë rasti ynë. Shpresoj që t’i shërbejë drejtësisë së vendit”.

Për më shumë, ndiqeni videon e mëposhtme: