Ministria e Drejtësisë me konkurs diskriminues

Aktuale March 19, 2018 - 07:41

Ministria e Drejtësisë ka shpallur konkurs për 70 zyrtarë korrektues, por si kriter ka vendosur moshën. Për meshkuj kufizimi është bërë deri në moshën 30 vjeç, ndërsa për femra deri në moshën 35 vjeçe. Ky konkurs po vlerësohet si diskriminues nga Institucioni i Avokatit të Popullit dhe nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Këto institucione kërkojnë që ky konkurs të anulohet dhe të shpallet konkursi i ri, ku nuk do të bëhet një diskriminim i tillë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Institucioni i Avokatit të Popullit ka konfirmuar për “Zërin” se ka pranuar ankesa lidhur me këtë konkurs dhe se procesi ndodhet në fazën e hetimit. “Meqenëse, tashmë Institucioni i Avokatit të Popullit ka pranuar ankesa që lidhen me këtë konkurs dhe procesi ndodhet në fazën e hetimit nuk mund të prononcohemi specifikisht për rastin në fjalë”, thuhet në përgjigjen e këtij Institucioni.

Avokati i Popullit vlerëson se përjashtimi apo dhënia e përparësisë duke vendosur si kriter moshën është diskriminim. “Sidoqoftë, parimisht përjashtimi apo dhënia e përparësisë duke vendosur moshën si kriter konsiderohet si diskriminim. Në çfarëdo trajtimi ndryshe kërkohet legjitimitet dhe proporcionalitet brenda normativës juridike në fuqi dhe në asnjë rrethanë kjo nuk mund të jetë çështje arbitrariteti”, thuhet në më tej në përgjigjen e Institucionit të Avokatit të Popullit..

Edhe kreu i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Behxhet Shala, ka thënë se nuk mund të bëhet kufizim moshe për personat të cilët kanë mbushur 18 vjet. “Realisht deri më tash në asnjë konkurs nuk ka pasur kufizim moshe, do të thotë nuk është përfaqësuar mosha. E dinë të gjithë që nuk mund të konkurrojnë pa i mbushur 18 vjet, por më pas deri në ditën kur e gëzon të drejtën për pension nuk mund të bëhet kufizim moshe. Kjo është diskriminuese pa asnjë dyshim”, është shprehur Shala.

Ai ka thënë se si KMDLNJ nuk kanë hasur në ndonjë konkurs që ka pasur kufizim moshe dhe në rast se hasin në një të tillë do të reagojnë pasi është diskriminuese dhe në kundërshtim me ligjin.

Shala ka thënë se Ministria e Drejtësisë duhet ta anulojë këtë konkurs.

“Mendoj se këtë vendim do ta rrëzojë çdo gjykatë. Nuk e di në çfarë baze, ku e kanë siguruar bazën ligjore që ta kufizojnë moshën gjatë konkurrimit për një vend pune.

Ministria duhet ta anulojë konkursin, pasi është diskriminues, është i kundërligjshëm dhe nuk i trajton të gjithë në mënyrë të barabartë. Duhet të jepen mundësi të barabarta, por më pas gjatë intervistimit duhet të kalojnë më të mirët”, ka shtuar Shala.

 Kurse drejtori i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj, ka thënë se kufizimi i moshës ka mundësi që është bërë për shkak detyrës specifike që kanë zyrtarët korrektues. “Me gjasë kufizimi i moshës është bërë për shkak të funksionit, pasi u duhen persona sa më të rinj. Duke e ditur se do të pranohen kaq shumë persona nuk është bërë me qëllim që të diskualifikohet dikush. Besoj që arsyeja e këtij kufizimi është të pranohen persona sa më të rinj. Diskriminimi është fije e hollë që mund të vlerësohet ashtu ose jo, por në raste të tilla ndoshta edhe mund të tolerohet”, është shprehur Demhasaj.

Gazeta “Zëri” gjatë javës ka pritur përgjigje nga Ministria e Drejtësisë për arsyet e kufizimit të moshës, si dhe nëse do të anulohet konkursi, por kjo Ministri nuk ka dhënë asnjë përgjigje. Përveç 70 zyrtarëve korrektues, Ministria e Drejtësisë do të hapë konkurs tjetër edhe për 50 vende të reja në këto pozita.