“Falimenton” QKUK-ja, pacientët po i blejnë materialet shpenzuese

Aktuale March 17, 2018 - 07:51

Pacientët e QKUK-së po detyrohen t’i blejnë vetë gjilpërat dhe penjtë kirurgjikë e madje edhe mantelet sterile të mjekëve në mungesë të furnizimit të nevojshëm nga Ministria e Shëndetësisë

M.M. ka shpenzuar hiç më pak se 30 euro mëngjesin e së premtes (dje) për të blerë shiringa, gjilpëra e penj kirurgjikë, të cilët i nevojiteshin për operimin e një familjari të tij në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Njëjtë si ai edhe pacientët e tjerë të QKUK-së po detyrohen t’i blejnë gjilpërat dhe penjtë kirurgjikë, madje edhe mantelet sterile të mjekëve, në mungesë të furnizimit të nevojshëm nga Ministria e Shëndetësisë.

“Unë jam operuar prej zorrës qorre dhe komplikimeve në zorrë të trashë. Mjetet më të thjeshta, si shiringat e injeksionet, duhet t’i blejmë vetë. Barnat më të shtrenjta i japin në spital”, ka thënë për “Zërin” Ardian Zekaj, nga Peja.

Në lidhje me mossigurimin e materialeve shpenzuese për pacientë gazeta “Zëri” ka komunikuar edhe me zyrtarë për informim në QKUK, por sipas tyre, buxhetin për furnizim me barna dhe me materiale shpenzuese e ka Ministria e Shëndetësisë dhe se duhet të flasim me ta.

Ismaili: Do të sigurohet materiali shpenzues

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, në seancën e së premtes së Kuvendit ka thënë se do ta vazhdojë reformën e tij, t’i sigurojë barnat dhe materialin shpenzues.

Sipas tij, do të ulen shpenzimet e qytetarëve dhe do të krijohen shërbime të reja, të cilat kanë munguar deri më sot.

“Reforma sipas jush nënkupton një dokument strategjik shumë të mirë, ta lëmë në raft, të vijmë këtu dhe të rrahim shuplaka e qytetari përsëri të mos ketë barna, përsëri të mos ketë shërbim, përsëri të maltretohet nga barnatorja në barnatore, të maltretohet nëpër klinika. Nuk dua të bëj reforma me dokumente që nuk i përdorim e qytetarët tanë t’i kenë shpenzimet më të larta në rajon. Krejt dokumente e kam Ministrinë, kurse ju, punëtorët shëndetësorë, nuk i keni materialet bazike. Për çfarë reforme po flasim këtu?”, ka thënë ai.

Ismaili ka thënë se do të punojë për qytetarët deri të rregullohet furnizimi stabil me barna dhe të krijohen shërbime të reja.

Ndonëse ka mungesë të barnave dhe të mjeteve shpenzuese, Qeveria e Kosovës për këtë vit ka ndarë 200 milionë euro për Ministrinë e Shëndetësisë.

Zyrtarë për Informim në Zyrën e Kryeministrit kanë thënë për “Zërin” se përmirësimi i sektorit të shëndetësisë është prioritet i Qeverisë.

“Siç e dini, përmirësimi i gjendjes në sektorin shëndetësor është prioritet i kësaj Qeverie.  Ministri i shëndetësisë Uran Ismaili ka ndërmarrë një varg veprimesh, të cilat tashmë kanë nisur ta kenë efektin e tyre. Buxheti për investime kapitale është dyfishuar në krahasim me vitin e kaluar. Kjo do të ndikojë që të blihen edhe aparatura, të cilat do t’i shtojnë shërbimet për qytetarët tanë në QKUK dhe nëpër spitale rajonale”, thuhet në një përgjigje për “Zërin”.

Baftiu: Në QKUK pacientët i blejnë materialet shpenzuese

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Besa Baftiu, ka thënë për “Zërin” se në spitale ka mungesë të gjërave elementare.

 “Kemi mungesë të gjërave elementare, duke filluar prej atyre që janë në materiale harxhuese siç janë shiringat e fashat. Pothuajse asnjë bari nuk gjendet qoftë në spitale, qoftë në shtëpi shëndeti”, ka thënë ajo.

Baftiu, në seancën e Kuvendit, ka thënë se ka mungesë të insulinave, derisa ka kërkuar ta dijë nga ministri Urani se pse ka mungesë të furnizimit me të.

“Ka insulina, por jo të mjaftueshme. Në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Gjilan ka nevojë për 2.700 insulina, por janë dhuruar vetëm 1.000. Një situatë e tillë është në tërë Republikën e Kosovës. Na shpjegoni se pse kanë ndodhur këto vonesa deri më tani”, ka thënë ajo.

Ndërsa ministri Ismaili ka reaguar duke thënë se buxheti për barna ka qenë i limituar në krahasim me kërkesat, ndonëse sipas tij, do të stabilizohet furnizimi gjatë javëve të tjera.

“Mjetet buxhetore që kanë qenë të planifikuara dhe kërkesat që vijnë për këtë medikament janë 1 me 4. Që nga fundi i javës së kaluar ka filluar furnizimi me insulinë analoge. Do të vazhdojmë me furnizim. Do të stabilizohet gjatë javëve dhe gjatë muajve në vazhdim”, ka theksuar ai.

Image