Vetëvendosje: Dërguti të dorëhiqet nga posti i nënkryetares, ose e shkarkojmë

Aktuale March 14, 2018 - 18:36
Ja kush nga lëvizja ''Vetëvendosje'' e kërkoi këtë

Deputetja e "Vetëvendosjes", Albulena Haxhiu ka thënë se në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit është debatuar për formimin e grupit të ri parlamentar nga 12 deputetë që deri sot kanë qenë pjesë e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, raporton "Zeri.info".

Haxhiu ka thënë se posti i një nënkryetari i takon Vetëvendosjes prandaj ka thënë se duhet të dorëhiqet nënkryetarja Aida Dërguti pasi më nuk përfaqëson Vetëvendosjen.

“Në emër të grupit parlamentar kërkova që zonja Dërguti që është anëtare e Kryesisë së Kuvendit, që deri sot e ka përfaqësuar lëvizjen Vetëvendosje, ose të dorëhiqet pasi më nuk e përfaqëson Lëvizjen Vetëvendosje ose ne qysh nesër do iniciojmë procedurat për shkarkimin e saj që do të duhej ta bënte Kuvendi. Është e pakuptimit që ta mbaj atë post përderisa nuk e përfaqëson më Vetëvendosjen. Po të kishte moral politik, zonja Dërguti do të duhej të dorëhiqej nga ky post që e mban në emër të Vetëvendosjes. Nëse nuk odrëhiqet në do kërkojmë shkarkim nga ana e Kuvendit pasi kështu e kërkon Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Haxhiu, raporton "Zeri.info".

Ajo ka thënë se i ka kërkuar Dërgutit në mbledhje të Kryesisë së ta ofroj dorëheqjen nga posti i nënkryetares, por ka thënë se Dërguti nuk ka thënë ndonjë fjalë.

Për më tepër Haxhiu ka thënë se deputetët e dorëhequr nga Vetëvendosje do të duhej të dorëhiqeshin nga posti deputetit në tërësi. /Zëri/