Aktuale

Trump i dërgon Vuçiqit planin për Kosovën

Trump i dërgon Vuçiqit planin për Kosovën
12 mars 2018 • 11 : 04

Paralajmrohen pasoja serioze për Beogradin nëse refuzon paketën e SHBA-së

Sef Xhema

Ndihmës Sekretari i ri i Shtetit për çështjet evropiane dhe euroaziatike Wess Mitchell shkon nesër në Beograd dhe nuk përjashtohet mundësia që qeverisë serbe t’i paraqet një projekt-tekst në lidhje me Kosovën.

Uashingtoni parashikon kompetenca më të gjera për Asociacionin e komunave serbe (AKS) dhe Beogradi nga ana tjetër do të lejojë hyrjen e Prishtinës në organizata ndërkombëtare. Duke pranuar kushtet, Serbisë do t’i bëhet e mundur hyrja në BE.

Mediat serbe bëjnë të ditur se Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq do t’i paraqitet një dokument për “zgjidhjen e çështjes” së Kosovës, të cilin e kanë përgatitur Shtetet e Bashkuara.

Dokumenti i Uashingtonit përmban katër pika dhe siguron që Bashkësia e komunave serbe të fitoj kompetenca të gjera ekzekutive dhe kompetenca të zgjeruara në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe kulturës. AKS-ja do të jetë e lidhur ngushtë me zv/presidentin e qeverisë së Kosovës, i cili do të vinte nga radhët e komunitetit serb dhe praktikisht do të ishte kontrollues i punës dhe zbatimit të kompetencave të AKS-së. Si shpërblim, Beogradi pritet të lejojë Prishtinën të bashkohet me organizatat ndërkombëtare, raporton zeri.info. Duke pranuar kushtet, Serbia do të jetë në gjendje të hyjë në BE dhe Shtetet e Bashkuara do të garantojnë mbështetje më të madhe ekonomike dhe diplomatike në arenën politike ndërkombëtare. Por, në qoftë se Beogradi refuzon paketën e SHBA-së, do të pasonte një bllokadë e integrimit evropian të Serbisë dhe humbja e investimeve të huaja direkte, kryesisht nga vendet e BE-së, e cila do të jetë një goditje e rëndë për ekonominë serbe, transmeton zeri.info

Ky propozim i administratës së presidentit amerikan Donald Trump, sipas analistit politik Dragomir Andjelkoviç, nuk është një zgjidhje kompromisi për statusin e Kosovës.

“Presidenti serb Vuçiq tha se nuk do të pranonte asgjë tjetër, përveç një kompromisi të drejtë. Nuk ofrohet ndonjë plan i ri, por vetëm plani i ricikluar i Marti Ahtisaarit, që ofron më pak se që është ofruar nga vetë Ahtisaari. Serbia 12 vjet më parë ka refuzuar planin e Ahtisaarit, kur Shtetet e Bashkuara ishte në kulmin e fuqisë, por nuk ka asnjë logjikë që të pranojnë atë tani kur Amerika po humb luftën gjeostrategjike me Rusinë dhe Kinën”, tha Andjelkoviç.

 

Ai mendon se nuk ka kërcënime reale për bllokadën e investimeve dhe rrugën e Serbisë drejt BE-së.

“Në vitin 2006, ata kërcënuan të bllokonin rrugën e integrimit evropian të Serbisë, dhe kjo nuk ndodhi. Së fundi, BE-ja është përtej interesit kombëtar. Kjo është më pak e dëmshme sesa të bëjmë lëshime tjera, sepse, kur kjo të ndodh, atëherë nuk ka asnjë garanci që një ditë ata nuk do të mendojnë për të kërkuar dhe Vojvodinën dhe rajonin e Rashkës”, tha Andjelkoviç.

Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike Dushan Janjiq beson se në këtë mënyrë Uashingtoni përgatitet për një fazë të re të dialogut, i cili do të duhej të vazhdojë në maj.

“SHBA-ja po përcakton një strategji ndaj Serbisë dhe kjo tregon se do të ndjekë dialogun. Këto qëndrime të Amerikës janë të njohura - për të mbështetur normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, si dhe insistojnë të mos bllokohet anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Kjo nuk është një thirrje që Beogradi të njohë pavarësinë e saj, as për të votuar për anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, pasi për këtë nevojiten të sigurohen 127 vota” ka vlerësuara Janjiq.

Amerika siç shkruan “Vecernje Novosti”, ka vendosur për këtë hap, sepse ata janë të pakënaqur me inercinë e Brukselit, kur është fjala për çështjen e Kosovës, por edhe për shkak të asaj se kohët e fundit është përfolur për ndarjen e mundshme të Kosovës, të cilën e kundërshton Uashingtoni dhe nuk dëshiron që Beogradi de jure të marrë Verin e Kosovës, pasi kjo do të krijonte zona tampon midis boshnjakëve dhe shqiptarëve dhe Serbia do të merrte kontrollin e Kopaonikut dhe Zubin Potokut, të cilat janë pika të rëndësishme strategjike. Është parashikuar që kjo nismë e Shteteve të Bashkuara mund të qojë në planë të dytë iniciativën e zyrtarëve evropianë në lidhje me marrëveshjen "ligjërisht të detyrueshme mes Beogradit dhe Prishtinës"./Zeri

© zëri.info