Kurti: Nga ''Vetëvendosja'' ka dorëheqje, por nuk ka ndarje

Aktuale March 12, 2018 - 08:42
Flasin për 'Zëri'-n të dorëhequrit nga 'Vetëvendosje'

Me sloganin “Me zemër” lëvizja “Vetëvendosje” arriti që në zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë gjatë vitit 2017  t’i sigurojë 32 ulëse në Kuvendin e Kosovës, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Pa kaluar thuajse as edhe një vit nga kjo fushatë lëvizja “Vetëvendosje” ka filluar të ndahet në dysh

Në “Vetëvendosje” deri më tani kanë dhënë dorëheqje 12 deputetë, nga 32 sa i ka gjithsej kjo parti në Kuvendin e Kosovës. Nga kjo parti kanë dhënë dorëheqje po ashtu edhe dy kryetarë komunash, Shpend Ahmeti kryetar i Prishtinës dhe Qëndron Kastrati kryetar i Kamenicës.

Zyrtarë nga grupi i të dorëhequrve për gazetënZëri kanë bërë të ditur se nëse ky grup vendos për formim të një partie ata këtë gjë do ta bëjnë publike, mirëpo ditë më parë burime nga grupi i të pakënaqurve kanë bërë të ditur se janë në bisedime për një parti të re.

LEXO EDHE: Ja kur pritet të raportojnë 75 zëvendësministrat

Në anën tjetër, deputetja e fundit e cila ka dhënë dorëheqje nga kjo parti është Besa Baftiu, e cila për gazetën Zëri ka konfirmuar se pakënaqësitë e saj ndaj kësaj partie kanë nisur kohë më parë.

Ndërsa gjatë mbledhjes së rregullt me kryetarë e me sekretarë nga kjo parti kryetari i LVV-së Albin Kurti ka deklaruar se pavarësisht largimeve në LVV nuk do të ketë ndarje.

Kurti: Në LVV nuk ka ndarje

Të shtunën është mbajtur mbledhja e rregullt me kryetarë e me sekretarë të LVV-së, në të cilën kryetari i kësaj partie Albin Kurti ka deklaruar se pavarësisht largimeve në këtë parti nuk do të ketë ndarje.

"Nga lëvizja ‘Vetëvendosje’ ka disa dorëheqje dhe dalje që janë për keqardhje dhe të gabueshme, por në lëvizjen ‘Vetëvendosje’ nuk ka as ndarje dhe as ndalje”, ka thënë ai.

Zyrtarë tjerë nga krahu i Albin Kurtit nuk kanë pranuar të flasin duke thënë se nuk kanë çfarë të komentojnë në lidhje me situatën e krijuar në këtë parti.

Baftiu: Pakënaqësia ime ndaj LVV-së ka nisur para se të dalin problemet e brendshme

Deputetja e fundit e tërhequr nga të gjitha pozitat udhëheqëse në “Vetëvendosje” është Besa Baftiu.

Ajo për “Zërin” ka deklaruar se pakënaqësitë e saj ndaj Lëvizjes kishin nisur kohë më parë dhe se ajo ka pritur që kjo çështje të rregullohet.

“Unë i kam pasur pakënaqësitë e mia qysh para se të dal edhe mospajtimet që kanë qenë në Qendër, sa i përket Qendrës në Gjilan, por fillimisht kam heshtur dhe menjëherë pas zgjedhjeve lokale kam dashur të jap dorëheqje nga pozita që kam qenë si kryetare e Qendrës po më pastaj duke ditur si është situata në atje nuk kam dashur dhe kam pritur të zgjidhet kjo situatë jo e mirë, jo e kënaqshme”, ka thënë Baftiu.

Po ashtu Baftiu ka përmendur edhe mosgatishmërinë e Albin Kurtit për ta përmirësuar gjendjen në organizatë.

“Nuk kam parë vullnet as te kryetari i Lëvizjes, z. Albin Kurti, që ta parandalojë këtë lloj mendësie që i kanosej organizatës dhe e cila duket se po zë vend brenda saj”, ka shtuar ajo.

Pantina: Çfarëdo vendimi që marrim do ta bëjmë publik

Shqipe Pantina, e cila po ashtu radhitet në grupin e të dorëhequrve nga LVV-ja, për “Zërin” ka bërë të ditur se nëse ky grup do të marrë ndonjë vendim për formim të ndonjë partie ajo do të bëhet publike.

“Çfarëdo vendimi që marrim e bëjmë publik, por s’kam koment për këtë”, ka thënë Pantina. Ditë më parë burime nga grupi i të dorëhequrve në LVV për “Zërin” kanë bërë të ditur se së shpejti do të formohet grupi i ri parlamentar e më pas edhe subjekti i ri politik.

“Formimi i subjektit të ri është i paevitueshëm, sigurisht se do të kemi edhe grup të veçantë parlamentar. Pas largimit të Shpendit presim të takohemi dhe të vendosim. Deri më tani nuk është se kemi pasur ndonjë angazhim në këtë drejtim”, ka thënë ky burim për “Zërin”.

Paçarizi: Vështirë të krijohet një grup i ri

Sipas analistit politik Rrahman Paçarizi, situata e krijuar në “Vetëvendosje” ka shkaktuar vështirësi për riorganizimin e një grupi të ri.

“Ende nuk është qartësuar nëse po bëhet fjalë për largime, për dorëheqje apo për ndarje. Ndonëse ka pasur elemente të një largimi të organizuar, fakti që nuk kanë dalë si grup e bën më të vështirë riorganizimin e grupit të ri”, ka thënë Paçarizi.

Ai e ka cilësuar si të vështirë mundësinë e nisjes së një ndërmarrjeje të organizuar politike.

“Së këndejmi, është vështirë të thuhet nëse njerëzit e dalë tashmë nga LVV-ja kanë aq tipare ideologjike të përbashkëta sa për ta nisur një ndërmarrje të organizuar politike”, ka shtuar ai.