Përfundon takimi mes Delawie e liderëve kosovarë

Aktuale March 08, 2018 - 20:17
Ja çka u vendos për demarkacionin!

Ka përfunduar takimi mes ambasadorit amerikan, Greg Delawie dhe liderëve të partive politike dhe presidentit, i nisur para më shumë se një ore.

Nga ky takim nuk është arritur marrëveshje për demarkacionin, gjegjësisht nuk janë siguruar votat, raporton Gazeta Blic.

Burime të afërta të “Gazeta Blic”, me koalicionin bëjnë të ditur se të pranishëm në takim pos ambasadorit amerikan, kanë qenë presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Haradinaj, kryeparlamentari Veseli e zëvendëskryeministrat, Fatmir Limaj e Behgjet Pacolli.

Në këtë takimi nuk është arritur ndonjë marrëveshje, ndërsa pritet që edhe në ditën e nesërme të ketë takime tjera.

“Nëse nesër dakordohen, do të thotë arrihet të sigurohen votat , ka gjasa që Seanca të mbahet nesër pasdite ose të shtunën paradite”, i ka thënë ky burim, “Gazetës Blic”.

Deri tani nuk koalicioni qeverisës nuk ka arritur t’i sigurojë votat për marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Në anën tjetër “Gazeta Blic”, ka kontaktuar edhe me  zëvendëskryeministrin e Kosovës, Fatmir Limaj i cili tha se java e ardhshme do të jetë përfundimtare për demarkacionin.

Limaj ka pohuar se ka pasur takime të vazhdueshme me deputetët e Kuvendit të Kosovës, për t’i siguruar votat për demarkacionin.

“Pres që javën e ardhshme të mbyllet tema e demarkacionit”, ka thënë shkurt për Gazeta Blic, Fatmir Limaj.

Kujtojmë se Seanca për demarkacionin ka dështuar për tri herë radhazi, e gjithë kjo si rezultat i mungesës së votave për të kaluar kjo marrëveshje. Për të kaluar marrëveshja e demarkacionit duhen 78 vota. Për këtë duhen votat e Listës Serbe apo Vetëvendosjes.