Shkojnë për t’u shëruar, infektohen në spitale!

Aktuale March 08, 2018 - 08:17

Shumë pacientë që shkojnë për shërim në spitalet kosovare nga këto të fundit ndodh të kthehen me infeksione, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Se shkalla e infeksioneve spitalore në Kosovë është shumë e lartë e konfirmon edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Më saktësisht, mikrobiologu Lul Raka ka bërë të ditur për gazetën Zëri se dy të tretat e pacientëve kosovarë marrin infeksione spitalore.

Sipas tij, Kujdesi Intensiv dhe ai i Kirurgjisë janë më të rrezikuarit nga këto infeksione.

“Infeksionet janë pjesë e pandashme e kujdesit shëndetësor në të gjitha shtetet e botës. Në kujdesin intensiv të shteteve më të zhvilluara në botë çdo i katërti pacient merr infeksion spitalor, kurse në vendet e pazhvilluara, ku bën pjesë edhe Kosova, dy të tretat e pacientëve marrin infeksione spitalore. Kujdesi intensiv edhe repartet e kirurgjisë janë pjesët më të rrezikshme”, ka deklaruar ai.

LEXO EDHE: Miratohen ''masat'' për Agjencinë e Akreditimit

Raka ka treguar se Kosova nuk ka asnjë nënkategori buxhetore për infeksione të tilla.

“Kosova nuk mban asnjë kategori nënbuxhetore për parandalimin e infeksioneve spitalore. Pa buxhet është më vështirë. Problemet më të mëdha janë në spitale, sepse është kujdesi i nivelit më të lartë. Duhet të ketë mbështetje institucionale dhe mbikëqyrje të rregullt në reparte të ndryshme, të cilat janë më të shpeshta për adresim. Duhet të ketë bashkëpunim rajonal e ndërkombëtar”, ka thënë ai.

Sipas tij, në qendrat e mjekësisë familjare këto infeksione janë shumë të rralla në krahasim me spitalet, pasi që, siç ka theksuar ai, spitalet janë prioritet sepse trajtohen sëmundje më të rënda.

Për më shumë, infektologu Salih Ahmeti ka deklaruar se këto infeksione shpeshherë mund ta rrezikojnë edhe jetën e pacientëve.

“Zakonisht janë infeksione të rënda që shpeshherë janë të shkaktuara nga mikroorganizmat rezistentë ndaj medikamenteve dhe barnave, të cilat përdoren në njësitë e trajtimit të këtyre pacientëve dhe shoqërohen me patologji të rënda, që ndonjëherë mund ta rrezikojnë edhe jetën e pacientëve”, ka thënë ai për “Zërin”.

Sipas tij, këto infeksione janë problematike për Kosovën, por edhe për shtetet e tjera.

“Infeksionet brendaspitalore janë një problematikë e veçantë e infeksioneve që i kemi. Jo vetëm për vendin tonë, por për të gjitha vendet, qoftë edhe ato me standarde të larta dhe që ofrojnë shërbime shëndetësore mjaft cilësore dhe zakonisht në shumicën e rasteve infeksione të tilla janë infeksione rezistente e të cilat kryesisht shfaqen në repartet e kujdesit intensiv që janë të ndërlidhura me procedura të ndryshme të ofrimit të kujdesit shëndetësor”, ka thënë ai.

Në anën tjetër drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Hamdi Ramadani, ka thënë për “Zërin” se në këtë Klinikë nuk ka asnjë rast me infeksione spitalore.

“Ne nuk e kemi këtë problem. Ne dimë si të mbrohemi, si të veprojmë dhe si të punojmë. Ne nuk e kemi pasur asnjë infeksion spitalor tashmë me muaj e vite”, ka thënë ai.

Ramadani ka treguar se shkaqet për përhapjen e këtij infeksioni janë të ndryshme, por siç ka thënë ai, ata janë të përgatitur në këtë drejtim.

“Shkaqet janë nga vetë personeli, nga vetë pacientët, p.sh. hyrja e pakontrolluar në spital edhe e personelit duhet të ndalet.  Duhet të jetë kujdesi në nivel të infermierëve, të personelit shëndetësor, pastaj të pacientëve. Ato përcillen, barten nga njëri tek tjetri. Personeli duhet të jetë me maska, me doreza për një përdorim e me gjilpëra për një përdorim. Në këtë drejtim ne jemi mirë dhe nuk e kemi këtë problem. Ne jemi të kujdesshëm dhe kemi përvojë dhe njohuri në këtë drejtim”, ka deklaruar ai.