Nëse Demarkacioni s’kalon në mars s’ka viza deri më 2020-n

Aktuale March 07, 2018 - 08:47

Ekspertët e integrimit evropian alarmojnë se nëse Kuvendi i Kosovës nuk e miraton Demarkacionin me Malin e Zi gjatë këtij muaji, atëherë vendi duhet të presë deri në vitin 2020 për liberalizim të vizave me BE-në, pasi në vitin tjetër mbahen zgjedhjet për Parlamentin Evropian, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Pas zvarritjes së vazhdueshme që po i bëhet Marrëveshjes së Demarkacionit, ekspertët e integrimit evropian kanë paralajmëruar se Kosova mund ta humbasë afatin e fundit për këtë vit lidhur me liberalizimin e vizave.

Sipas tyre, po qe se ky kusht (ratifikimi i Demarkacionit) nuk përfundon këtë muaj Kosovës mund t’i kushtojë edhe me dy vjet e gjysmë mungesë të vizave, shkruan tutje "Zëri". 

E megjithëse ata pohojnë se institucionet e Kosovës janë vonuar tejet shumë në këtë drejtim, kanë njoftuar se nëse Demarkacioni përmbyllet javën që vjen ekziston mundësia që deri në fund të vitit të arrihet liberalizimi.

Mirëpo, ky proces nuk përmbyllet menjëherë pas ratifikimit të Demarkacionit.

Përkundrazi, duhet plotësuar edhe kushti tjetër - luftimi i krimit e i korrupsionit i vendosur tashmë nga BE-ja. Me këtë rast, ekspertët kanë bërë të ditur se për të shkuar deri te heqja e vizave duhet kaluar nëpër disa procedura, të cilat kalojnë nëpër Komisionin Evropian, në Parlamentin Evropian dhe në Këshillin e Ministrave të BE-së.

Pasojat nëse Demarkacioni vazhdon të zvarritet

Jehona Lushaku, njohëse e procesit të integrimit dhe liberalizimit, ka vlerësuar për “Zërin” se Kosova tashmë është vonuar sa i përket këtij procesi meqë nuk e ka ratifikuar Demarkacionin gjatë javës që shkoi. Sipas saj, java e ardhshme për ta përmbyllur Demarkacionin është shumë e vonuar për ta zënë hapin e liberalizimit.

“Liberalizimi as që vihet në diskutim nëse nuk kalon Demarkacioni. Domethënë, në institucionet e BE-së nuk shqyrtohet më procesi i liberalizimit, është i vdekur. Demarkacioni është dashur të kryhej javën e kaluar për të qenë në hap. Ne jemi edhe tash shumë vonë. Kështu që çdo shtyrje do të bëjë që në dy vjetët e ardhshëm të mos kemi liberalizim. Edhe java tjetër është vonë, duhet të ndodhë menjëherë për ta zënë hapin”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Madje, nëse do të ketë vonesa sa i takon Demarkacionit, sipas Taulant Kryeziut, njohës i çështjeve integruese, skenarët nuk do të jenë aspak të favorshëm për Kosovën.

“Nëse ne nuk arrijmë që brenda këtyre ditëve të reflektojmë në këtë drejtim, atëherë skenarët tjerë janë dekurajues sepse viti 2019 është vit i zgjedhjeve në Parlamentin Evropian, që nënkupton konstituimin e parlamentit të ri, i cili duhet të marrë në shqyrtim amendamentin e propozuar, të krijohen komisionet parlamentare, pastaj fillojnë pushimet verore, shto këtu faktin më të rëndësishëm që Parlamenti Evropian me Traktatin e Lisbonës është bashkëvendimmarrës në pozitë të barabartë me Këshillin në procesin e vendimmarrjes për liberalizim të vizave, e bën situatën jo të favorshme për ne”, ka theksuar ai.

Ndërkaq Albana Merja, eksperte e çështjeve të integrimit, ka vlerësuar se zgjedhjet në Parlamentin Evropian vështirësojnë edhe më shumë çështjen e liberalizimit po qe se Demarkacionit nuk merr epilog.

“Në këtë rast do të jetë akoma më e vështirë për Kosovën pasi duhet të pritet deri sa të finalizohet funksionimi i institucioneve të BE-së”, ka theksuar ajo.  

Procedurat nëpër të cilat kalon procesi i liberalizimit

Ndërkohë në momentin që ratifikohet kjo marrëveshje, Lushaku ka bërë të ditur se për të ardhur deri te liberalizimi duhet kaluar nëpër disa procedura. “Komisioni Evropian harton një raport, ku thotë se Kosova i ka përmbushur dy kushtet e mbetura dhe e procedon në Parlamentin Evropian dhe në Këshillin e Ministrave. Këshilli i Ministrave mblidhet në formatin e ministrave të Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme, ata janë instanca e fundit që marrin vendim. Por para se ata ta marrin vendimin final Parlamenti e voton me shumicë votash në një seancë raportin e Komisionit Evropian, i cili rekomandon liberalizimin e vizave”, ka sqaruar Lushaku.

Ndërkaq sa i përket 5 shteteve anëtare të BE-së të cilat nuk e kanë njohur ende Kosovën, Naim Rashiti nga Grupi për Hulumtim të Politikave Ballkanike, ka deklaruar se ato nuk e rrezikojnë procesin e liberalizmit për Kosovën.

“Nuk paraqesin rrezik sepse edhe Këshilli i Ministrave vendos me shumicë, Parlamenti Evropian do ta votojë gjithsesi marrëveshjen, rekomandimin për liberalizimin e vizave në një afat rekord brenda dy-tre muajsh pas miratimit të Demarkacionit dhe në njëfarë forme edhe BE-ja për shkak të strategjisë ndihet e obligueshme pak më shumë në raport me Kosovën dhe ka konsideratë e dëshiron që ta përmbyllë këtë proces”, është shprehur ai.

Rasti i fundit që Kosova duhet ta shfrytëzojë 

Pavarësisht zvarritjes që është bërë, Naim Rashiti është shprehur optimist se liberalizimi do të ndodhë brenda këtij viti me kushtin që pala kosovare ta shfrytëzojë rastin që këtë muaj ta përmbyllë Demarkacionin. Por, nëse ndodh e kundërta ndryshojnë edhe rrethanat.

“Natyrisht ky është një proces shumë i vonuar. Ideja është që nëse kryhet gjatë muajit mars mund të flasim për liberalizim të vizave diku në shtator deri në dhjetor e nëse jo, atëherë flasim për një rrethanë tjetër. Besoj që partitë politike shqiptare ose shumica (90%) me një formulim shtesë që i kërkohet ligjit aktual do ta miratojë. Është e vërtetë që është bërë një avancim në formulimin dhe në gjetjen për ligjin dhe për korrektim nëse gjenden dëshmitë”, ka deklaruar ai.

Rashiti tutje ka thënë se Bashkimi Evropian nuk guxon që të mos e mbajë fjalën që ka dhënë lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën.

Periudha për heqjen e vizave - pas ratifikimit të Demarkacionit

Ndërkaq po qe se Demarkacioni kalon gjatë muajit mars, Taulant Kryeziu ka thënë se vendimi për liberalizim mund të shkojë 6-9 muaj. “Sa i përket afateve kohore nëse shikojmë rastin e Gjeorgjisë dhe të Ukrainës, nga momenti që këto dy vende kanë marrë mandatin nga Komisioni LIBE (të Drejta Civile, Drejtësi, Punë të Brendshme) e deri te lëvizja e lirë ka zgjatur 6 muaj për Gjeorgjinë dhe 9 muaj për Ukrainën, por po flasim gjithmonë nën presupozimin që kemi përmbushur të dyja kriteret e mbetura”, ka shtuar ai

Mirëpo, sipas tij, pos që duhet ratifikuar Demarkacioni për arritjen e vizave duhet përmbushur edhe kriteri tjetër - luftimi i krimit e i korrupsionit.

Edhe Alban Merja ka ritheksuar se pos Demarkacionit, luftimi i krimit e i korrupsionit mbetet kusht thelbësor drejt liberalizimit.

“Ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit është një kërkesë shumë e rëndësishme, e cila e ka bllokuar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Gjithsesi, nuk duhet harruar edhe kërkesa tjetër e Komisionit Evropian që është po aq e rëndësishme sa dhe Demarkacioni dhe që lidhet drejtpërdrejt me luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit”, ka theksuar Merja.