Kostoja e izolimit, mbi 25 milionë euro për viza

Aktuale March 05, 2018 - 07:40

Nga viti 2010 deri në vitin 2016 qytetarët e Kosovës kanë shpenzuar mbi 25 milionë euro vetëm për aplikim për marrjen e vizës Shengen pa llogaritur edhe shpenzimet tjera për plotësimin e dosjes për aplikim. Gjatë kësaj kohe janë dorëzuar mbi 507 mijë aplikacione, ndërsa rreth 97 mijë janë refuzuar, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Qytetarët e Kosovës kanë shpenzuar mbi 25 milionë euro gjatë shtatë vjetëve të fundit për t’u pajisur me viza të Zonës Shengen.

Por këtu nuk janë llogaritur shpenzimet tjera që kanë të bëjnë me kompletim të dokumentacionit për viza, si shpenzimet për fotografi, sigurimin shëndetësor, shërbimet e përkthimit, shpenzimet bankare e ato të rrugës.  

Pagesa për aplikim për vizë Shengen dallon varësisht nga ambasada, më e lira është 35 euro, ndërsa taksat më të larta shkojnë në 60 apo në 65 euro, shkruan tutje "Zëri".

Sipas statistikave të Komisionit Evropian dhe të Eurostat-it, gjatë viteve 2010-2016 kosovarët kanë pasur mbi 507 mijë aplikime për viza Shengen, të cilat sipas një përllogaritjeje me pagesën mesatare u kanë kushtuar mbi 25 milionë euro. Madje, rreth 97 mijë prej aplikimeve gjatë këtyre shtatë vjetëve janë refuzuar.  

Në vitin 2016, mbi 77 mijë aplikime për viza

Përderisa ende nuk ka të dhëna se sa aplikime për viza Shengen nga kosovarët janë bërë gjatë vitit 2017, në vitin paraprak (2016) numri i tyre është mbi 77 mijë.

Albana Merja, nga Grupi për Studime Juridike e Politike, ka thënë për “Zërin” se nëse ky numër i aplikimeve llogaritet me çmimin minimal prej 35 eurosh, atëherë i bie që në këtë vit janë shpenzuar mbi 2 milionë e 700 mijë euro. Megjithatë, ajo ka vlerësuar se shpenzimet reale gjatë këtij viti kanë qenë shumë më të larta. “Nëse e llogarisim me çmimin e disa prej ambasadave që është 35 euro për aplikim, atëherë afërsisht gjatë 2016-s qytetarët kanë shpenzuar  2 milionë e 722 mijë e 860 euro. Gjithsesi kjo shifër është edhe më e lartë po të marrim parasysh që disa nga ambasadat kanë një çmim më të lartë për aplikim. Për më tepër këtu nuk përfshihen paratë që një qytetar harxhon për shpenzime administrative në përgatitjen e dosjes për aplikim”, është shprehur Merja.

Aplikimi për viza, humbje e parasë dhe e kohës

Drejtori i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj, ka thënë se përveç aspektit financiar, aplikimi për viza u merr shumë kohë qytetarëve. “Taksa për vizën Shengen është vërtet taksë e lartë, mund të themi edhe e papërballueshme pasi 60-65 euro është mesatarja e pagesave që bëhen për atë vizë. Nuk është vetëm ajo shuma që paguhet në ambasadë, sepse janë edhe një mori dokumentesh që kërkohen e që përveç kohës kushtojnë edhe në aspektin financiar”, ka deklaruar Demhasaj. Ai më tej ka thënë se përafërsisht aq është edhe ndihma sociale që marrin familjet në Kosovë. “Prandaj është mjaft shpenzim i lartë. Po ashtu kur i kalkulojmë edhe kërkesat e mëdha për vizë, atëherë është një dëmtim i rëndë i ‘kuletave’ familjare dhe e vetmja mënyrë për të shpëtuar nga këto pagesa është kur Kosova e merr liberalizimin e vizave”, ka shtuar Demhasaj.

Tetë vjet premtime për liberalizim

Në fund Demhasaj ka thënë se premtime për liberalizimin e vizave janë duke u bërë tash e tetë vjet. Ai ka thënë se përgjegjëse për humbjen e miliona eurove të qytetarëve është klasa politike. “Nga viti 2010 kemi pasur premtime për liberalizim të vizave, sidomos nga kryetari i atëhershëm i PDK-së Hashim Thaçi. Në kuadër të kësaj po flasim tani tetë vjet më vonë kur ende nuk është arritur kjo. Nuk mund të themi se fajtor është dikush tjetër përveç palës kosovare, e cila nuk ka arritur t’i bëjë reformat e kërkuara dhe t’i plotësojë kushtet e kërkuara nga Bashkimi Evropian”, është shprehur Demhasaj.

Ai ka kritikuar partitë politike për moszgjidhjen e problemit të demarkacionit për rreth tre vjet. “Në tre vjetët e fundit e dimë se liberalizimi i vizave ka qenë peng i kësaj teme, duke mos e anashkaluar edhe luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit që është njëri ndër kushtet kryesore në këtë proces. Por tani kemi ardhur në atë pikë kur gjithçka po varet fillimisht nga ratifikimi i Demarkacionit dhe pastaj sigurisht se BE-ja do ta masë edhe progresin në luftimin e korrupsionit dhe pastaj mund ta kemi më të qartë se kur Kosova do ta ketë liberalizimin vizave e që nënkupton se kosovarët nuk do të kenë më nevojë të paguajnë shuma të tilla milionëshe për të aplikuar për viza”, ka përfunduar Demhasaj.

Burjani: Partitë të deklarohen pro liberalizimit ose të largohen

Analisti Blerim Burjani ka thënë se shpenzimet e kosovarëve për marrjen e vizave Shengen janë maksimalisht të larta, por gjithashtu ka potencuar faktin se shumë prej tyre shpenzojnë para dhe në fund u refuzohet viza. “Shpenzimet për marrjen e vizës janë maksimalisht të larta, megjithëse nuk dihet saktësisht pasi dallojnë pagesat që bëhen për aplikim, disa e kanë 35 e të tjerat deri në 60 apo 65 euro. Përveç kësaj, askush nuk garanton se qytetarët e marrin vizën. Pra në shumë raste bëhen pagesat, por në fund mbesin pa marrë viza, pasi u refuzohen ato”, ka thënë Burjani.

Ai ka thënë se nëse partitë politike në Kosovë nuk arrijnë të sjellin liberalizimin e vizave shpejt duhet të largohen nga skena. “Pa dyshim përgjegjëse për këtë gjendje është klasa politike në Kosovë pasi për vite të tëra nuk ka punuar për përmbushjen e kritereve. Megjithatë, qytetari i Kosovës nuk e meriton një izolim të tillë. Mbetet të shpresohet se shpejt do të marrim liberalizimin e vizave. Partitë politike ose të deklarohen pro liberalizimit, ose ta lirojnë skenën politike që të vijnë të tjerët në pushtet dhe kosovarët të lëvizin lirshëm”, ka shtuar Burjani. /ZERI/

 

 

Image

Image