Ndërlikimet e Demarkacionit

Aktuale March 02, 2018 - 08:15

Partia e kryeministrit Haradinaj, AAK-ja, po e akuzon LDK-në se e ka ndryshuar tekstin e Marrëveshjes për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi duke e rrezikuar edhe më shumë miratimin e saj në Kuvend, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Nëse partia e ish-kryeministrit Isa Mustafa tërhiqet nga përkrahja për Demarkacionin s’ka kurrfarë shprese për plotësimin e këtij kushti të BE-së për liberalizimin e vizave.

Koalicioni qeverisës ndonëse vazhdon të mos i ketë votat e mjaftueshme për ta ratifikuar Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, partia e kryeministrit Ramush Haradinaj AAK-ja tashmë ka acaruar raportet edhe me partinë opozitare LDK-në, e cila doli në mbështetje të Demarkacionit, shkruan tutje "Zëri". 

Pas dështimit të tretë për ta ratifikuar Marrëveshjen për Shënimin e Kufirit, AAK-ja akuzoi LDK-në për shtrembërim të marrëveshjes së arritur mes partive politike. E tërë përplasja e tyre u fokusua në një pikë të Nenit 3, ku AAK-ja po kërkon që raporti i Komisionit për Shënimin e Kufirit të jetë në pikën 1.2 (siç ka qenë sipas tyre), ndërkohë që në dokumentin të cilin ka publikuar LDK-ja ky raport është vendosur në një pikë të veçantë (2) të këtij neni. Si rrjedhojë e kësaj, përfaqësuesit e AAK-së kanë bërë të ditur se tashmë e kanë stopuar këtë marrëveshje.

Ndërkohë, përfaqësuesit e PDK-së kanë bërë thirrje që të lihen anash këto dallime dhe të votohet Demarkacioni. E përderisa AAK-ja ka paralajmëruar se çdo gjë mund të kthehet në pikën zero analistët politikë nuk kanë përjashtuar një skenar të tillë. Sipas tyre, kryeministri nuk duhet të merret me këto ndryshime, të cilat mund të çojnë drejt një dështimi final.

Kadrijaj: E kemi stopuar marrëveshjen

Deputetja e AAK-së Time Kadrijaj ka fajësuar LDK-në për shtrembërim të marrëveshjes së arritur mes tyre. Ndonëse e ka votuar ndryshimin e Projektligjit për Demarkacionin në Komisionin për Punë të Jashtme, ajo ka thënë se nuk e ka ditur se ai është ndryshuar.

“Ne e kemi votuar për një deklaratë të mëparshme që ka qenë në pikën 1.2, raportit të Komisionit t’i shtohet një fjali në vazhdim që i shërben raporti i Bulliqit, i cili shërben për orientim. I vetmi ndryshim që është dashur të bëhet ka qenë ky. Më pas ne kemi parë shtrembërim, pika 1.2 është bërë deklarata e presidentëve dhe pikë tjetër e veçantë pika 2 e kanë vendosur Komisionin e Bulliqit”, ka thënë ajo për “Zërin”.  

Sipas saj, koalicioni ka pranuar marrëveshjen ashtu si ka kërkuar LDK-ja, që të mbetet ashtu siç ishte, vetëm që raportit të Bulliqit t’i shtohej një pikë vazhduese si orientim.

Ndërkohë, e pyetur nëse vlen ende kjo marrëveshje Kadriaj ka thënë se tashmë ajo është stopuar. “Ne i kemi stopuar ato procese, s’na është ofruar dokument, kur ndryshohet diçka përpos asaj që është marrë vesh duhet të jetë e shkruar, neve s’na është ofruar. Është stopuar ajo”, ka theksuar ajo.

Osmani: Nuk është ndryshuar asnjë presje

Kurse kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme nga LDK-ja, Vjosa Osmani, është shprehur e bindur se LDK-ja nuk ka ndryshuar asnjë pikë të vetme sa i përket Projektligjit të Demarkacionit. E nëse AAK-ja tani ka ndryshuar qëndrimin rreth marrëveshjes që është arritur mes LDK-së e koalicionit qeverisës Osmani ka thënë se duhet të tregojë qartë e jo ta manipulojë publikun.

Mirëpo, sipas saj, AAK-ja nuk e ka problemin këtu. Përkundrazi, siç deputetja e LDK-së është shprehur, partia e kryeministrit e ka hallin te mosarritja e sigurimit të votave të mjaftueshme për ta kaluar Demarkacionin.

Tutje ajo ka njoftuar se dokumenti për të cilin po pretendon AAK-ja se është ndryshuar u është dërguar partive, është lexuar në seancën e para dy ditëve dhe po i njëjti është lexuar në Komision.

“Kam sqaruar se pika që i referohet dokumentacionit zyrtar është paragraf i veçantë dhe kam sqaruar që aty po ashtu përfshihet fjala për orientim. Edhe përfaqësuesja  e AAK-së, edhe ata që janë në pushtet kanë votuar për”, ka theksuar Osmani.

Hoxhaj: Të mos ketë dallime rreth neneve, ta votojmë marrëveshjen!

Ndërkaq nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka bërë thirrje që të shuhen mospajtueshmëritë mes partive sa i përket ndryshimit të radhitjes së pikave në Projektligjin e Demarkacionit. “Nuk duhet të ketë dallime gjuhësore mes këtij subjekti politik dhe atij subjekti për Nenin e 3-të apo të 2-të, por të shkojmë ta votojmë marrëveshjen”, ka deklaruar ai.

Hoxhaj më tej ka vlerësuar se Demarkacioni duhet të përmbyllet më së largu javën që vjen, në mënyrë që ta zërë hapin për liberalizim e vizave.

“Më 2019-n janë zgjedhjet për institucione të BE-së. Mund ta gjejmë derën e mbyllur nëse javën e ardhshme nuk e ratifikojmë Marrëveshjen e Demarkacionit”, është shprehur ai duke u bërë thirrje partive që ta votojnë atë.   

Beqaj: Çdo skenar është i mundshëm

Nga ana tjetër politologu Belul Beqaj ka vlerësuar se pas dështimit të tretë për ta ratifikuar Demarkacionin dhe pas përplasjeve mes AAK-së e LDK-së lidhur me këtë marrëveshje çdo skenar është i mundur.

“Përvoja e deritanishme me këtë pushtet është dëshmi se asgjë nuk është e qëndrueshme dhe e sigurt pos pasigurisë e paqëndrueshmërisë, prandaj çdo skenar është i mundur përpos atij që rrezikon interesat e pushtetarëve”, ka deklaruar ai.

Kurse Rasim Alija, nga “D4D”, ka vlerësuar se përplasjet dhe akuzat për ndërrime propozimesh e heqje tekstesh janë vetëm vazhdimësi e joseriozitetit të të gjitha palëve të përfshira në këtë proces.

“Krejt çfarë mbetet ditëve të ardhshme është qëndrimi i Listës Serbe. Votat e saj përcaktojnë edhe më tutje gjithçka me rëndësi vitale për Republikën. E një fuqi e tillë e Listës Serbe e vendos këtë në pozicionin ku votën e tyre pro e këmbejnë me kushtet që ata i vendosin për partnerët e koalicionit me të cilin qeverisin”, ka deklaruar ai.

Halitaj: Vështirë se do të kalojë edhe javën tjetër Demarkacioni

Agron Halitaj, njohës i çështjeve politike njëherësh kryeredaktor në “Aktivpress”, ka thënë se dështimi i tretë i ratifikimit të Demarkacionit ka qenë i pritshëm.

“Seanca nuk u thirr pse ishin siguruar votat, por ‘për të aktruar’ para shefave të BE-së se erdhën atë ditë në Prishtinë, se Qeveria e Kuvendi janë të interesuara t’i japin epilog çështjes së kufirit me Malin e Zi”, ka thënë ai.

Sipas Halitajt, koalicioni qeverisës nuk i ka numrat për ta kaluar këtë marrëveshje, duke përfshirë këtu edhe deputetët e partive në koalicion që janë kundër Demarkacionit. Andaj Halitaj është shprehur skeptik nëse edhe gjatë javës së ardhshme kjo marrëveshje do të ratifikohet.

Ndërkohë, duke komentuar përplasjet e fundit mes AAK-së e LDK-së ai ka konsideruar se një rrugë e tillë mund të çojë drejt dështimit final.

“Në këto rrethana kryeministri Ramush Haradinaj në vend se të përpiqet që ta mbajë konsensusin e arritur me njërën prej partive opozitare dhe në ndërkohë t’i bindë partnerët nga Lista Serbe që ta votojnë projektligjin, ai po hap vragë të reja që mund t’ia japin vulën e dështimit tërë procesit. Aktualisht është e vështirë të besohet se Marrëveshja për Demarkacionin mund të ratifikohet javën tjetër”, ka theksuar ai.