Specializantët protestojnë për paga

Aktuale February 27, 2018 - 08:16

Specializantët vullnetarë të viteve 2016/17 dje kanë mbajtur një protestë para Ministrisë së Shëndetësisë në Prishtinë, për shkak të mosrealizimit të premtimeve nga kryeparlamentari Kadri Veseli, si dhe ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, se nga 1 janari i këtij viti asnjë specializant nuk do të mbetet pa pagë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Me parullat: “Doktorët e lodhur bëjnë gabime”, “Ktheni dinjitetin e specializantëve, mos na detyroni të emigrojmë”, “Premtime çdoherë, realizime asnjëherë” ata kanë kërkuar që kërkesat e tyre të plotësohen ashtu siç kishin premtuar Veseli dhe Ismaili.

Një ndër organizatorët e protestës Hekuran Dibrani ka thënë se kërkesë e tyre është që ata të paguhen për punën që e bëjnë.

“Jemi mbledhur për të kërkuar kthimin në specializantë të rregullt me pagesë. Premtimet që na janë dhënë nga kryetari i Kuvendit Kadri Veseli dhe ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili se nga janari i vitit 2018 s’do të ketë asnjë specializant pa pagesë, por pasi kjo ende nuk është realizuar neve na detyroi të dalim në protestë”, ka thënë ai.

LEXO EDHE: Rinisin bisedimet në Bruksel, sot diskutohet për Asociacionin

Dibrani ka shtuar se specializantët nuk do të ndalen së protestuar derisa t’u realizohen kërkesat e tyre, shkruan tutje "Zëri".

“Jemi të vendosur që nuk do të ndalemi deri në realizimin e kërkesave tona sepse është e pamundur të jemi të suksesshëm në specializim duke punuar me orar të ngarkuar me mbi 80 orë pune në javë e neve nuk po na mbetet kohë për të studiuar”, ka theksuar ai.

Në anën tjetër Ministria e Shëndetësisë dje përmes një komunikate për shtyp ka premtuar të gjejë një zgjidhje për këtë çështje.

“Ministria e Shëndetësisë është në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha palët, duke përfshirë edhe Ministrinë e Financave, në mënyrë që sa më shpejt të gjejë një zgjidhje ligjore për plotësimin e kërkesave të specializantëve vullnetarë. Ministria e Shëndetësisë ka vullnetin dhe do të përpiqet maksimalisht që kjo çështje të zgjidhet me rishikimin e buxhetit në muajin qershor, në mënyrë që specializantët vullnetarë të mundë të futen në sistemin e pagave”, shkruan në komunikatë.

Për më shumë, në komunikatë thuhet se specializantët nuk kanë pranuar të takohen me përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë.

“Sot para Ministrisë së Shëndetësisë ka protestuar një numër specializantësh vullnetarë të gjeneratës 2016/2017. Në mungesë të ministrit Uran Ismaili, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare dyditore në Kroaci, specializantët nuk pranuan të takohen me përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë për të diskutuar lidhur me kërkesat e tyre dhe punën që është bërë në drejtim të realizimit të e tyre”, thuhet më tej.

Lidhur me pagesën e specializantëve ministri i Financave, Bedri Hamza, kishte thënë se buxheti për shëndetësi do të jetë mbi 200 milionë euro dhe brenda këtij buxheti do të paguhen të gjithë specializantët. /ZËRI/