Nesër vazhdon dialogu në Bruksel, çfarë do të diskutohet?

Aktuale February 25, 2018 - 15:26

Dialogu ndërmjet ekipeve negociatore të Kosovës dhe Serbisë, do të vazhdojë nesër. Edhe pse ishte planifikuar të fillonte në muajin janar, vrasja e Oliver Ivanoviqit bëri që pala serbe të tërhiqet nga bisedimet.

Takimi i nesërm në fokus do të ketë zbatimin e marrëveshjeve që janë arritur gjatë dialogut, dhe që ende nuk kanë gjetur zbatim.

Në mediat serbe gjatë ditës u raportuar se temë kryesore do të jetë edhe vrasja e Ivanoviqit, për çka ka pasur informacione se serbët do të marrin ekspertë hetues për të pyetur rreth zbardhjes së vrasjes së politikanit serbë në Kosovës.

Por një gjë të tillë lajmi.net nuk ka mundur ta konfirmojë nëprmjet shefit të ekipit të Kosovës në bisedime, Avni Arifi.

Ky i fundit gjatë gjitë ditës nuk ka pasur çasje në telefon.

Njëra nga marrëveshjet që tash e sa kohë ka mbetur pa u zbatuar është edhe ajo për formimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe.

Avni Arifi gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Jashtme ditë më parë, kishte thënë se për këtë marrëveshje do të hartohet një draft i ri.

Kjo nuk i ka pëlqyer ministrit të jashtëm serb, Ivica Daçiq i cili sot gjatë ditës deklaroi se në marrëveshjen për Asociacionin nuk do të ketë asnjë ndryshim.

Pasi sipas tij marrëveshja e arritur në Bruksel është përfundimtare për këtë temë.

Tema tjera që pritet të diskutohen në takimin e nesërm janë edhe zbatimi i marrëveshjes për lirinë e lëvizjes, tabelat dhe regjistrimi i automjeteve, menaxhimi i kalimeve kufitare, e zbatimi i marrëveshjes për gjyqësorin.

Serbia në këtë dialog përfaqësohet nga drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Serbi, Marko Gjuriq. /Lajmi.net/