Guinea-Bissau rikonfirmon njohjen e Kosovës

Aktuale February 19, 2018 - 16:12

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot në takim ministrin e Shtetit dhe shef i Shtatmadhorisë së presidentit të Guinea-Bissau, Fabien Sagna dhe këshilltarin e  presidentit, Paulino Cabral.

Në këtë takim, ministri i shtetit të Guinea-Bissau, Fabien Sagna ia dorëzoi presidentit Thaçi letrën e presidenti të  Guinea-Bissau, José Mário Vaz, me të cilën rikonfirmohet njohja e Kosovës nga ky shtet.

Presidenti Thaçi ka falënderuar ata për prezencën e tyre, pikërisht në dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se kjo është dëshmia më e mirë se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Guinea-Bissau janë më të forta sesa çdo përpjekje për t'i lënduar ato.

"Falënderoj presidentin Vaz, qeverinë tuaj për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kosova do të jetë gjithmonë një shtet mik i juaji dhe synojmë të thellojmë edhe më shumë bashkëpunimin", ka thënë Presidenti.

Nga ana tjetër, ministri i Shtetit dhe shef i Shtatmadhorisë të presidentit të Guinea-Bissau, Fabien Sagna në emër të presidentit Vaz, ka uruar presidentin dhe popullin e Kosovës për dhjetëvjetorin e pavarësisë.

Image